Dy ndeshje pezullim për fushën e Lushnjës
Pas një mbledhjeje maratonë, Komisioni i Disiplinës ka publikuar vendimet për episodet e dhunshme të konstatuara në stadiumet shqiptare gjatë fundjavës së kaluar. Në qendër të vëmendjes ka qenë plagosja e mbrojtësit të Apolonisë, Maringlen Shoshi, në sfidën me Lushnjën: lojtari është goditur me një copë betoni nga tifozët vendas dhe pësoi dëmtime serioze në syrin e majtë. Për atë që ndodhi, fusha e "lagunarëve" u pezullua me dy ndeshje, ndërkohë që ndeshja e tretë do të luhet me dyer të mbyllura. "Pasi u njoh dhe shqyrtoi dokumentacionin e paraqitur nga sektori i garave, u vendos që për hedhje të sendit të fortë, me pasojë dëmtimin e futbollistit kundërshtar, Lushnja të dënohet me dy ndeshje pezullim të fushës", citohej në vendimin e KDS-së. "Një tjetër ndeshje do të zhvillohet në stadiumin ‘Roza Haxhiu‘ pa praninë e tifozëve, ndërkohë që klubi gjobitet me 100 mijë lekë të reja". Tjetër vendim, që duket se nuk i ka kënaqur aspak drejtuesit e Apolonisë, ishte mospranimi i kërkesës për akordimin e tri pikëve në tavolinë. Për ironi, Disiplinori u ka dhënë një goditje të fortë edhe fierakëve, por këtë herë për dhunën e ushtruar në fushë nga sportistët. "Për goditje me shkelm të kundërshtarit, lojtari (brazilian) i Apolonisë, Uashington Xhunjor, dënohet me pesë ndeshje pezullim nga aktiviteti dhe gjobitet me 100 mijë lekë (të reja)". Për hedhjen e sendeve të forta nga tifozët, me pasojë plagosjen e lojtarit kundërshtar, për dy javë është pezulluar edhe fusha e Pogradecit. Ashtu si në rastin e lushnjarëve, edhe liqenorët do të luajnë një ndeshje të tretë pa tifozë, e klubi gjobitet me 100 mijë lekë të reja.