Dy përpjekje për opozitë
Edi Rama po përpiqet të fokusohet tek problemi i kontrollit të territorit, si një prioritet i parë i qeverisë së tij, dhe për këtë duket se po bën përpjekje të ngrejë vëmendjen në nivel ndërkombëtar. Kontrolli i territorit ka qenë në të vërtetë suksesi i tij më i pakontestuar si kryetar bashkie në kryqet, ku për dhjetë vite askush nuk ndërtoi dot pa leje, siç po ndodh rëndom këto kohë, ku ndërtohet në çdo cep rrugë, tarracë pallati apo qoshe të lirë.
Nuk jam ende i qartë sa fuqi ka qeveria e re t’ia dalë këtij aksioni, por në thelbin e tij ka diçka frymëzues, dhe është përpjekja për të imituar një sukses të mëparshëm.
Ndaj këtij prioriteti ka dy reagime nga opozita. Njëra nga kryetari formal i opozitës dhe tjetri nga rivali formal i tij në opozitë, i cili është ende ministër i Territorit.
Të dy reagimet më shumë se sa kritikojnë prioritetin e Edi Ramës, kanë probleme me prioritet e njëri- tjetrit. Lulzim Basha, i cili kishte humbur adresën prej një muaji, u bë i gjallë në Facebook dhe akuzoi Ramën se ka një plan të qartë për grabitjen e pronave në bregdet dhe pasuritë e qytetarëve që kanë investuar aty. Është një reagim që kopjon fjalë për fjalë atë që Berisha ka thënë disa herë për këtë prioritet të Edi Ramës. Përpjekja për të vënë më shumë pika se Berisha dhe për ta kthyer fjalorin nga gegnisht në normë letrare, janë po ashtu të sforcuara. Përmbajta është qartazi e njëjtë. Lulzim Basha po e nis karrierën e tij si kryeopozitar me akuza në ajër për rrëmbime pronash, vjedhje tokash, ende pa hyrë në zyrën e kryeministrit, rivali i tij.
Reagimi tjetër erdhi nga Sokol Olldashi, i cili është ende ministër në detyrë për territorin. Akuza e tij ishte e kundërta e asaj të Lulzim Bashës. Ai akuzoi Edi Ramën se nuk ka asnjë plan për bregdetin dhe territorin dhe përpiqet të bëj show para marrjes së pushtetit. Kjo akuzë bën më shumë sens se ajo e Bashës, pasi së paku thotë diçka që mund ta dyshojnë më shumë njerëz . Akuza e Bashës se Rama ka plan të qartë të grabisi prona dhe të prishë pallate, (këtu i kujtohet pallati i tij në det te Uji i Ftohtë) i shkon gojës së Sali Berishës, por jo një kryetari të ri opozite, i cili së paku duhet të jetë serioz në folklorin opozitar që prodhon. Kjo është një akuzë që nuk e beson as Basha.
Akuza e Olldashit është më e rëndë në thelb, më e pranueshme nga opinioni dhe më dyshuese dhe nga vet Rama, pasi ai vërtet mund të mos ketë ndonjë plan të qartë dhe mund të jetë duke e hartuar atë rrugës.
Diferenca mes dy qëndrimeve kritike ndaj Ramës nga vet opozita, më shumë se sa mungesën e një plani të Ramës apo një plani të qartë për grabitje, siç thotë Basha, tregon se opozita nuk e ka të qartë se çfarë kërkon nga qeveria: të ketë apo mos të ketë një plan. Basha e pranon që ka një plan, por një plan që të vjedhë prona dh pallate. Olldashi dyshon që ai nuk ka plan fare dhe po e bën rrugës. Kjo është dhe më e besueshme. Në këto kushte, Basha do të bënte më mirë të ulej e të diskutonte me faktorët opozitarë qëndrimin që duhet mbajtur si opozitë, se sa të dalë me dy qëndrime krejt të ndryshme nga njëri- tjetri, që bëjnë qesharake vet opozitën e tij. Edhe pse Olldashi e ka denoncuar si manipulues të zgjedhjeve në PD, ai e ka për detyrim formal ta thërrasë e të konsultohet për një qëndrim në këtë rast, pasi është një qëndrim që i takon ta mbajë ministri i Territorit, dhe jo ministri i oborrit që ka caktuar Berisha, atë ogiçin e vet. Mundet dhe mos ta bëjë, por para se shqiptarët të dëgjojnë një opozitë serioze, do dëgjojnë disa zëra jashtë opozitës formale që do ti kujtojnë Bashës se gara reale për tu bërë kryetar opozite nuk ka mbaruar më 22 korrik, kur atë e emëruan. Ajo fillon tani dhe rrezikon që nga njeri që vetëm qesh, ta bëjnë një njeri vetëm qesharak.
