Assadi nuk e ka të gjatë!
Marina luftarake e Shteteve të Bashkuara do ta forcojë praninë në Detin Mesdhe duke mbajtur aty një luftanije, e cila normalisht do të duhej të largohej drejt portit të ankorimit. Kështu, në Mesdhe, numri i destrojerëve të Flotës VI Amerikane arrin në katër, për dallim nga tre sa janë zakonisht. Të gjitha këto luftanije janë të armatosura me dhjetëra raketa kryqëzore "Tomahawk". Një zyrtar amerikan i Mbrojtjes ka theksuar se rritja e pranisë së marinës luftarake ndërlidhet me zhvillimet e fundit në luftën civile në Siri. Megjithatë, zyrtari ka thënë se marina nuk ka marrë kurrfarë urdhri rreth operacioneve eventuale ushtarake kundër regjimit sirian. Ndërsa, Chuck Hagel, sekretari amerikan i Mbrojtjes, e ka bërë të qartë se Shtetet e Bashkuara i kanë në gjendje gatishmërie forcat e tyre detare në rast të vendimit eventual të presidentit Barack Obama për të ndërhyrë ushtarakisht në Siri. "Departamenti i Mbrojtjes ka përgjegjësinë t’i ofrojë presidentit opsionet e përshtatshme për të gjitha rrethanat", ka deklaruar Chuck Hagel teksa po udhëtonte drejt Malajzisë. "Dhe kjo kërkon që ne t’i kemi forcat tona, elementet tona të gatshme për të realizuar opsione të ndryshme". "Gjithsesi, prania e katër destrojerëve nuk do të thotë se është marrë ndonjë vendim për ndërhyrje kundër regjimit të Bashar al-Assadit", ka insistuar ai. Ndërkohë, Shtëpia e Bardhë ka njoftuar të shtunën se presidenti Obama ka mbledhur këshilltarët e sigurisë kombëtare për të diskutuar rreth informacioneve, sipas të cilave forcat qeveritare siriane kanë përdorur armë kimike, të mërkurën, në periferi të Damaskut. "Siç kemi njoftuar, presidenti ka urdhëruar shërbimet e inteligjencës të mbledhin fakte dhe prova në mënyrë që të kuptojmë atë që ka ndodhur në Siri. Pasi t’i kemi faktet, presidenti do të marrë vendimin e duhur rreth përgjigjes që duhet dhënë", njofton një zëdhënës nëpërmjet një kumtese. Sido që të jetë, ky forcim i pranisë u mundëson ushtarakëve të veprojnë më shpejtë nëse presidenti Obama u jep urdhër. Një skenar që megjithatë tani për tani duket i largët. "Njerëzit po kërkojnë një veprim të menjëhershëm. Mirëpo, nuk bën të ngutemi të bëjmë gjëra që mund të dalin keq, që mund të na zhysin në situata shumë të vështira, mund të na çojnë në ndërhyrje shumë të komplikuara dhe të kushtueshme, të cilat vetëm sa do ta ushqenin edhe më shumë ndjenjën kundër nesh në rajon", ka theksuar presidenti amerikan në një intervistë për kanalin "CNN". Ndërkohë, presioni ndërkombëtar është shtuar ndaj qeverisë siriane që të lejojë ekspertët e Kombeve të Bashkuara, të pranishëm në Damask, që të inspektojnë zonat në periferi të kryeqytetit, ku sipas kryengritësve forcat besnike të Bashar al-Assadit kanë kryer një sulm me gaz neurotoksik. Sipas opozitës siriane, nga këto sulme me armë kimike janë vrarë qindra banorë të lagjeve në lindje të Damaskut. Burime të afërta me shërbimet amerikane dhe evropiane të sigurisë kanë deklaruar se shërbimet e inteligjencës të SHBA-së dhe të vendeve aleate janë bindur se forcat siriane vërtetë kanë përdorur armë kimike, me lejen e qeverisë.
...