E Diel, 1 Nëntor 2026

Dy persona nga Skenderaj, të prekur nga bruceloza, shtrihen në spital

Edhe pse para rreth dy muajsh i janë marrë mostrat, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ende nuk i ka kthyer përgjigje se pse i kanë ngordhur 60 keca e 40 dhi fermerit Shefqet Bytyçit, të cilit të premten dy anëtarë të familjes, gruaja me një fëmijë, pasi kanë marrë udhëzimin në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Skenderaj, i janë shtrirë në Klinikën Infektive, kurse 14 anëtarëve të tjerë të tij janë duke iu bërë analizat, të cilat, sipas mjekëve të Klinikës Infektive, do të rezultojnë po ashtu me prani të brucelozës, pasi ka kohë që, edhe pas ngordhjes së tyre (dhive dhe kecave), është vazhduar konsumimi i qumështit dhe djathit të tyre.

Po sipas tyre, ndodh që kjo sëmundje të jetë përhapur edhe në familje të tjera, pasi është bërë shitja e qumështit dhe djathit të tyre nga ato dhi që tashmë kanë ngordhur ose ato që kanë mbetur gjallë
Një muaj më parë i kanë ngordhur 60 keca e 40 dhi. I kanë mbetur gjallë edhe 40 dhi dhe me to ka bërë përpjekjeje deri të premten ta sigurojë ekzistencën për familjen 16-anëtarëshe, qoftë duke shitur qumështin e djathin e tyre, qoftë duke i konsumuar vetë ato.

Por, edhe këto 40 dhi ia ka prekur bruceloza, e cila është përcjellë edhe tek anëtarët e familjes së tij, dy prej të cilëve janë shtrirë të premten në Klinikën Infektive në Prishtinë, kurse 14 të tjerëve janë duke iu bërë analizat, të cilat, sipas mjekëve të Klinikës Infektive, do të rezultojnë po ashtu me prani të brucelozës, pasi ka kohë që, edhe pas ngordhjes së tyre, është vazhduar konsumimi i qumështit dhe djathit të tyre.

Kryefamiljari i familjes Bytyçi, Shefqet Bytyçi, i cili jeton në Gjermani, i kontaktuar nga portali “Infokusi”, ka thënë se parë një muaji e gjysmë ka qenë njëfarë Afrim Shala, veterinar dhe profesor i veterinarisë, i ka marrë mostrat e dhive të ngordhura, të cilat ia ka dorëzuar Agjencisë së Veterinës.

Mirëpo, sipas tij, prej asaj kohe e deri tash nuk i është kthyer kurrfarë përgjigje nga Agjencia e Veterinarisë, madje as nuk i është dhënë ndonjë sugjerim se nuk duhet të konsumohen qumështi, djathi dhe mishi i dhive.

“Nuk e di çka u ba kështu, veç me kanë institucionet kaq pak të interesune për popullin, asht marre bre! Asaj Agjencie e atyre njerëzve, që po bahen gati dy muaj që nuk i kanë pru analizat pse kanë cofë dhitë e edhat, turp i koftë qysh nuk i ra ndërmend me kallëzu ma herët se për çka kanë cofë! I ka ra ndërmend për familje temë, veç pasi mu kanë shtri gruja me fëmijë në spital. Pale tash se çka bahet me ata 14 anëtarët e tjerë. Najani edhe mundet me dekë. Edhe atyne sot ishin shku me ua ba analizat. Po veç sot, kurrë ma herët, pra që dy muaj po bahen gati, nuk u ka ra ndërmend hiç. Edhe kishin dhënë një arsyetim, se na kanë humbur analizat. Qysh ndodh kështu?! Djali sot me tha në telefon: ‘Babë, kanë ardh këta të agjencisë me na ba analizat, se nana me fëmijë janë shtri sot në spital. Mjekët po thonë i ka prek bruceloza dhe është shumë rrezik edhe ju tjetër që jeni prek nga ajo’. I thirra sot në mëngjes në telefon, n’kit ditë xhumaje, këta të Agjencisë së Veterinës, se pse nuk kallëzuan deri tash për këtë smujë, po veç me thanë ‘ekipi ka dalë në terren. Ka shku me marrë gjakun e anëtarëve të tjerë të familjes tane. Ju njoftojmë ndërkohë”, ka thënë fermeri Bytyçi.
Veterinari Afrim Shala, i cili i mbikëqyr fermat e fermerëve në komunën e Skenderajt, nga i cili organ ka fituar tenderin për mbikëqyrjen e këtyre rasteve të prekura nga bruceloza dhe sëmundje të tjera, i kontaktuar nga portali “Infokusi”, ka thënë se: “Po, para një muaji i kam dorëzu mostrat e gjakut të dhive dhe kecave në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë të familjes që bëni fjalë, por se pse nuk i janë kthyer unë nuk jam fajtor. Punën time e kam kry. Unë nuk kam qenë neglizhent në detyrën time. Mund t’jua jap edhe dokumentin, që dëshmon se me cilën datë unë i kam dorëzuar mostrat”, ka thënë Shala, nga i cili është kërkuar të dihet nëse dhitë e ngordhura kanë qenë të prekura nga bruceloza, por ai ka sugjeruar: “Ju lutem, kontaktoni me Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë nëse mund t’ju japë përgjigje rreth këtij rasti, se është në dijeni për këtë rast”.

Gazetarët e portalit “Infokusi” gjatë ditës së premte ka kontaktuar edhe me Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë, me Zyrën për Marrëdhënie me Medie të saj, zyrtari i së cilës ka thënë se tash për tash nuk mund t’ju jap ndonjë përgjigje, por nga tash deri në orën 16.00 do t’ju informoj nëpërmjet e-mailit lidhur me këtë rast, se pse është vonuar agjencia deri tash në nxjerrjen e analizave të dhive të ngordhura të këtij fermeri.

Ndërkaq, veterineri Adem Gashi ka thënë se ai person që mban dhenë, dhi e kafshë të tjera gjithmonë është i rrezikuar nga bruceloza, por gjithmonë duhet pasur kujdes nëse vërehen shenjat e para te kafshët, sidomos ngordhja e tyre.
“Nëse ngordh një kafshë nuk do të thotë se është e prekur nga bruceloza, por në rastin që po përmendi ju, se i kanë ngordhur rreth 100 krerë, natyrisht se kemi të bëjmë me një sëmundje të tyre, e cila mund të jetë brucelozë dhe mjaft e rrezikshme të përhapet edhe te njerëzit, tek anëtarët e familjes dhe tek ata që i kanë konsumuar qumështin e tyre dhe produktet e tij”, ka thënë Gashi.

Çka është bruceloza?

Bruceloza është një sëmundje e re në vendin tonë, e cila është shfaqur pas viteve ’90, por që nga viti në vit po rrit numrin e të prekurve për shkak të shtimit të fermerëve dhe moskujdesit të ruajtjes së qumështit dhe përdorimit të tij. Shkaktari kryesor i saj janë bagëtitë, sidomos ato të imtat, delet dhe dhitë. Ajo mund të përhapet edhe me anë të konsumimit të mishit të kafshëve. Bruceloza transmetohet shumë thjesht të njerëzit, por që i duhet shumë kohë për t’u shëruar. Një mënyrë tjetër e infektimit nga kjo sëmundje është edhe ajo nëpërmjet lëkurës, veçanërisht gjatë aborteve të kafshëve.


Në vitin 2011 në territorin e Kosovës janë regjistruar 65 raste me brucelozë, kurse në 2012-n janë konfirmuar 42 raste. Edhe pse pas infektimit me brucelozë mund ta humbet jetën njeriu, në këto raste të viteve të kaluara nuk është konfirmuar për ndonjë rast të vdekjes së ndonjë personi. Ndërkaq, infeksioni me brucelozë bëhet duke përdorur qumështin e papërpunuar si dhe produktet e tij, si p.sh djathin e freskët të fermentuar në të cilin brucelat qëndrojnë pothuaj 6 muaj, gjalpin etj. Megjithatë, infektimi mund të ndodhë edhe nëpërmjet lëkurës, gjatë aborteve të kafshëve.
Përpos infektimit me brucelozë nëpërmjet përdorimit të qumështit të papërpunuar dhe produkteve të tij, mënyrë tjetër e infektimit është edhe koha kur theren kafshët, ose me rastin e paketimit të mishit, në rrugë aerogjene (ajrit) kur në atmosferë krijohen aerozole mikroorganizma, apo kur në çastet e therjes apo të procedurave të tjera bien pika gjaku në sy. Shenjat e para që u paraqiten pacientëve të prekur me brucelozë janë ndërlikime në mushkëri, zemër, mëlçi, aparat linfograndular dhe në sistemin nervor (neurobruceloza). Ndërkaq, zierja dhe pasterizimi i bollshëm i qumështit si dhe përdorimi i mishit dhe produkteve të qumështit të kontrolluara nga veterineri janë një mënyrë mjaft efikase për mbrojtjen nga bruceloza. /Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›