E Diel, 1 Nëntor 2026

KMDLNJ kërkon që Nazlie Balaj të merret në mbrojtje nga policia

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut (KMDLNJ) është informuar se znj. Nazlie Balaj, ish-aktiviste shumëvjeçare e KMDLNJ-së, aktiviste për të drejtat e grave dhe tash drejtuese e sekretariatit të gruas, aktiviste e lëvizjes Vetëvendosje është kërcënuar me jetë pasi në hyrje të banesës së saj është vendosur një letër me porosi ”T’lutemi mos e mproj turpin se t’pret plumi në ball”!

Deri më tash askush nuk e ka marrë përgjegjësinë e as nuk bëhet i qartë motivi i këtij kërcënimi ndonëse mendohet se angazhimi i znj.Balaj për mbrojtje të femrave të dhunuara gjatë luftës së fundit në Kosovë mund të jetë arsyeja e këtij kërcënimi.

Përmes një reagimi KMDLNJ e dënon ashpër këtë kërcënim serioz ndaj znj. Nazlie Balaj dhe kërkon nga organet e hetuesisë që të ndërmarrin veprime të shpejta për hetimin e këtij rasti si dhe sjelljen e përgjegjësve para organeve të drejtësisë. Gjithashtu, KMDLNJ kërkon që znj. Nazlie Balaj të merret në mbrojtje nga Policia e Kosovës në mënyrë që të parandalohet ndonjë veprim i dhunshëm ndaj aktivistes së dikurshme shumëvjeçare të drejtave të njeriut e tash aktiviste politike.

KMDLNJ kërkon përmbajtje në deklarime dhe adresim të dyshimeve pa u mbështetur në fakte të cilat janë të detyruara t’i sigurojnë organet e hetuesisë ndërsa gjykata është përgjegjëse e vetme për caktimin e përgjegjësisë.

KMDLNJ shpreson se Policia e Kosovës dhe gjyqësori tashmë kanë nxjerrë mësim nga rastet e mëparshme dhe se do të marr veprime të nevojshme për të garantuar sigurinë për znj. Nazlie Balaj si dhe vazhdimin e papengueshëm të aktivitetit politik, - theksohet në reagim./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›