E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edhe Brezovica u shty për në prill

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila ka thënë se Brezovica nuk është duke u privatizuar në sistemin klasik, por sipas saj vendimi i Qeverisë është për të shkuar në një formë tjetër të zhvillimit të Brezovicës, duke shpresuar në gjetjen e partnerëve strategjik.

Por me këtë nuk është pajtuar deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Liburn Aliu, i cili ka thënë se ky projekt nuk ka një pëlqim mjedisor, ashtu si parashihet në bazë të ligjit. Gjithashtu është bërë e ditur se afatet kohore të cilat janë të parapara në procesin e zhvillimit, shpallja e ftesës për shprehje të interesit, që qenë deri më 21 mars, është shtyrë deri më 2 prill.

Këto komente janë bërë në një takim të organizuar nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë me anëtarët e interesuar dhe me potencialë të të gjitha odave ekonomike si dhe nga Aleancën Kosovare te Bizneseve për të marrë pjesë në projektin e Brezovicës.

Ministrja Kusari-Lila ka thënë se vizioni për projektin është zhvillimi i qendrës turistike në Brezovicë, që është konsideruar si një projekt i rëndësisë kombëtare, i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të Shtërpcës, por gjithashtu edhe gjithë ekonomisë kosovare.

Ministrja ka deklaruar se për shkak të interesimit të disa kompanive, afati për të aplikuar për shprehje të interesit për këtë projekt është shtyrë deri më 2 prill.

Konferenca, në të cilat është prezantuar ky projekt deri më tani, janë mbajtur në kuadër të takimeve në tender në Dubai, në Vjenë dhe në Bruksel.

Ministrja ka theksuar se në kuadër të zhvillimit të projektit, të drejtat i jepen për një zhvillimi 99 vjeçar, një proces ky standard i njohur ndërkombëtarisht ku jepet në koncesionim 99 vjeçar, për të zhvilluar dhe ndërtuar objekte me përdorim të përzier, duke përfshirë hotele, objekte banimi dhe komerciale në parkun nacional të mbrojtur.

Por ajo ka sqaruar për opinionin që nuk po bëhet privatizimi klasik i Brezovicës, por po jepet në një formë të zhvillimit të saj.

Kryetari i komunës së Shtërpcës, Bratislav Nikoliq, sipas raportit të rtv21, ka thënë se qëllimi është që investitori të investoj qindra miliona euro për zhvillimin e kësaj qendre.

“Qëllimi i këtij projekti është që të punohet dhe të zhvillohet si një qendër e njohur që dikur ka qenë. Qëllimi ka qenë që të gjejmë operatorin e ri, që ti investon mbi 100 milionë euro në hotele dhe banim edhe skiliftat. Për ne është me rëndësi që të gjitha investimet të jenë nga kompania që është marr me këtë veprimtarie dhe ka përvojë”, ka deklaruar Nikoliq.

Por me këtë prezantim dhe me këtë projekt të zhvillimit të Brezovicës, nuk është pajtuar deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Liburn Aliu, i cili ka thënë se ky projekt nuk e ka pëlqimin mjedisor.

“A ekziston një vlerësim, a është bërë një raport i ndikimit në mjedis dhe do të duhej që me këto analiza do të duhej të ishte edhe analiza e ndikimit në mjedis dhe a ka aplikim për pëlqim mjedisor nga ministritë, pasi që projekti tanimë projekti nuk është fazë të draftimit të një plani ideor, sepse ky projekti tanimë veç ka kaluar dhe do të duhej të ekzistonte një pëlqim mjedisor para se të ndodhte kjo sidomos për faktin që e dimë që në zonat pyjore janë zona ku duhet të ketë vëmendje të veçantë kur bëhen vlerësime e posaçërisht për zonat ku janë park nacional”, ka deklaruar Aliu.

Për këtë ka dhënë përgjigje ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Kusari-Lila, e cila ka thënë se nuk është aplikuar si ministri apo si komitet ndërministror për pëlqimin mjedisor, sepse siç ka thënë ajo ende nuk dihet se cilat pjesë do të preken, cila do të jetë pjesa dhe sa do të jetë ndikimi te zhvillimit të projektit.

Ajo ka shtuar se ministri i Mjedisit është në kuadër të projektit dhe kur të bëhet vlerësimi i ofertave bashkë me agjencinë e cila është në kuadër të ministrisë së Mjedisit do të bëjnë ata vlerësim dhe pastaj do të kërkohet leje apo pëlqimi mjedisor.

Nga zyrtarët e MTI-së zhvillimi i qendrës turistike në Brezovicë është konsideruar një projekt i rëndësisë kombëtare, i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të Shtërpcës, por gjithashtu edhe gjithë ekonomisë kosovare.

Qeveria tashmë ka publikuar tenderin ndërkombëtar, për t’i dhënë një zhvilluesi operatori apo një grupi konzorciumi të drejta të zhvillimit mbi 3364 hektarëve për të projektuar, ndërtuar dhe financuar me këtë qendër turistike që pretendohet të jetë e klasit botëror në Parkun Kombëtar të Sharrit.

Në kuadër të Komitetit Ndërministror, janë 6 ministra dhe kryetari i komunës së Shtërpcës, por të drejtë vetoje kundër projektit kanë ministri i Financave dhe kryetari i Shtërpcës./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›