E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosova dhe Shqipëria thellojnë bashkëpunimin kulturor

Drejtoresha e Teatrit Kombëtar të Kosovës , Elmaze Nura është pritur të premten në Tiranë në një takim nga ministri i Kulturës i Qeverisë së Republikës së Shqipërisë, Aldo Bumci.

Ministri Bumci ia uroi detyrën e re regjisores Nura, ndërsa premtoi se do të angazhohet që të ketë bashkëpunime konkrete, sidomos në fushën e teatrit.

Kreu i institucionit më të lartë kulturor në Kosovë, TK-së, Elmaze Nura u shpreh e gatshme për të thelluar partneritetin me institucionet kulturore të Shqipërisë. Gjatë bisedës me Bumcin, u diskutua për mundësitë ekzistuese në Tiranë dhe Prishtinë, për të pasur aktivitete të përbashkëta artistike. Të dy zyrtarët u dakorduan që të mbështetin edhe më tutje vlerat e artit tonë kombëtar dhe talentet e reja.

Gjithashtu, është diskutuar edhe për përvojat e deritashme të bashkëpunimeve që kanë ndodhur mes Kosovës dhe Shqipërisë.

Nura është shprehur e bindur se mund të bëhet edhe më tepër në këtë drejtim, me projekte të përbashkëta konkrete. Drejtoresha e Teatrit Kombëtar të Kosovës po merr pjesë në Konventën Teatrore Evropiane që po mbahet në kryeqytetin shqiptar. Në 25 vjetorin e kësaj konvente që bashkon teatrot publikë, pritet që të bëhet edhe përfshirja e Teatrit Kombëtar të Kosovës. Në punimet e kësaj konvente po diskutohet për rolin e teatrit dhe trendet aktuale të teatrit në Evropë.

Nura e ka marrë detyrën e drejtoreshës së TK-së para pak ditësh, për ta udhëhequr Teatrin Kombëtar për një mandate 4 vjecar. /Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›