E Diel, 1 Nëntor 2026

Dy presidencat e BE mirëpresin kandidimin e Shqipërisë brenda qershorit

Ministri i jashtëm suedez, vendi i të cilit ka presidencën e radhës të BE-së, si dhe homologu i tij suedez, vend që e merr presidencën me 1 korrik, kanë inkurajuar Shqipërinë të aplikojë sa më shpejt për statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Union. Zgjedhjet mbeten një moment i rëndësishëm, por plotësimi i standardeve mund të sjellë miratimin e kërkesës brenda presidencës suedeze, pra fundit të këtij viti

TIRANE - Bashkimi Evropian i ka çelur përfundimisht dritën jeshile Shqipërisë për të aplikuar për marrjen e statusit të vendit kandidat përpara mbylljes së mandatit aktual qeverisës.
“Ndoshta do të ketë zgjedhje të suksesshme, dhe nëse dëshmohet se do të zhvillohen me sukses të plotë ky do të jetë rekomandimi më i mirë për Shqipërinë dhe për këtë gjë nuk ka asnjë dyshim. Ne do të ishim shumë të lumtur nëse Shqipëria aplikon gjatë presidencës tonë, atëherë ndoshta procesi do të marrë pak kohë dhe gjatë presidencës suedeze që është po kaq mikpritëse sa presidenca jonë, unë jam i sigurt se Karl Bild do t’ju mbështesë po aq sa ju mbështes edhe unë. Shqipëria është e lirë të aplikojë për statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Evropian, por edhe nëse e bën një gjë të tillë, vendimi i unionit, do të merret vetëm pas zgjedhjeve të qershorit”, ka deklaruar ministri i Jashtëm i Çekisë, Karl Shvarcenberg gjatë fjalës së tij në Bruksel, në takimin e radhës të krerëve të diplomacisë të vendeve anëtare të bllokut 27 vendësh.
Çekia, vendi që mban presidencën e radhës së Bashkimit Evropian, u ka dhënë në këtë mënyrë fund spekulimeve pse jo edhe deklaratave të dykuptimta lidhur me këtë çështje. Në deklaratë theksohet se kushti për fitimin e këtij statusi do të jenë standardet e zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare të 28 qershorit. “Nëse do të ketë zgjedhje të suksesshme dhe të lira në Shqipëri, kjo do të merret në konsideratë, për vendimin tone”, deklaroi Shvarcenberg.
Ndërkaq homologu i tij suedez, vendit pasues për presidencën e BE-së në periudhën korrik-dhjetor 2009, ka deklaruar se blloku do të jetë shumë strikt duke kërkuar përmbushjen e të gjitha kritereve. Bild saktësoi se megjithëse proceset ndonjëherë mund të duken të gjata në kohë, e rëndësishme është të ecet përpara dhe angazhimi i Bashkimit Evropian, është i palëkundur për vendet që plotësojnë kriteret.
Ministri i Jashtëm i Suedisë dhe presidencës pasuese të BE-së, sqaroi se megjithëse proceset ndonjëherë mund të duken të gjata në kohë, e rëndësishme është të ecet përpara dhe se angazhimi i BE-së është i palëkundshëm për vendet që plotësojën kriteret.
“Dhe unë sigurisht e konfirmoj këtë gjë. Dua të them se jeni gjithnjë të mirëpritur gjatë presidencës çeke si gjatë asaj suedeze. Por duhet kuptuar se pastaj do të pasojë një proces i gjatë, me përgatitjen e opinionit nga Komisioni dhe eventualisht me politika vendimmarrëse shtesë. Aplikimi dhe kalimi nga Këshilli te Komisioni është shume teknik dhe mund të marrë pak kohë gjithashtu”, u shpreh Karl Bild, Ministri i Jashtëm i Suedisë, Presidenca pasuese e BE-së. Suedia mund të jetë vendi që do të ketë kryesimin e BE-së, në momentin e shqyrtimit të kërkesës së Shqipërisë për statusin e vendit kandidat, po të kihet parasysh deklarata e djeshme e Brukselit, se zgjedhjet e 28 qershorit, do të jenë vendimtare në këtë proces. Kryeministri Sali Berisha ka deklaruar për herë të parë synimin e Shqipërisë për të aplikuar për statusin e vendit kandidat në Bashkimit Evropian në kuadër të festimeve të 18 vjetorit të themelimit të Partisë Demokratike në dhjetor të vitit të kaluar.
Ministri Lulzim Basha me zëvendësministrin çek, Tomas Pojar: Liberalizimi i vizave, prioritet absolut/Aplikimi për vend anëtar i Bashkimit Evropian dhe liberalizimi i plotë i vizave për qytetarët shqiptarë janë prioritete absolute të qeverisë shqiptare dhe të politikës së jashtme. Kështu është shprehur Ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha, gjatë një takimi të veçantë që zhvilloi me zëvendësministrin e Punëve të Jashtme të Republikës Çeke, Tomas Pojar. Ministri Basha vlerësoi mbështetjen dhe inkurajimin që Presidenca Çeke, vendet e tjera anëtare të BE-së dhe Komisioni Evropian i kanë dhënë Shqipërisë në këto dy drejtime të rëndësishme. Një tjetër çështje me mjaft rëndësi ishte dhe aplikimi i Shqipërisë për anëtare në BE, përgjatë gjashtëmujorin e Presidencës Çeke, çështje rreth së cilës Ministri Basha dhe zëvendësministri Pojar vlerësuan rëndësinë e koordinimit të hapave të mëtejshëm diplomatikë për të realizuar aplikimin për anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Dy personalitetet gjykuan se rreth kësaj çështje të dy palët do të qëndrojnë në kontakt të vazhdueshëm dhe intensiv në javët e ardhshme.
Në përfundim të takimit zëvendësministri Pojar në emër të Qeverisë çeke shprehu kënaqësinë për anëtarësimin e Shqipërisë si anëtare me të drejta të plota në NATO gjatë Samitit të ardhshëm në dt. 3-4 prill në Strasburg-Kehl. 
Pojar po zhvillon një vizitë zyrtare në Shqipëri në kuadër të koordinimit të veprimeve ndërmjet Presidencës çeke të BE-së dhe vendit tonë në funksion të avancimit të mëtejshëm të proceseve integruese Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›