E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dy punëtorë vdesin brenda në pusetë

Dy punëtorët e vdekur në pusetë, para se të nxirreshin nga policia

Dy punëtorë mirëmbajtjeje të një kompanie private sigurimesh gjetën vdekjen dje në një pusetë teksa tentonin të riparonin një pompë uji.Ngjarja e rëndë ka ndodhur në zonën e Komunës së Parisit në Tiranë ditën e djeshme në ora 11:30. Viktimat e ngjarjes janë shtetasit Refik Kryemadhi, 47 vjeç, dhe Kozma Qirjako, 45 vjeç. Ata kishin të paktën 20 minuta që kishin nisur të punonin në pusetë në momentin kur ranë në kontakt me rrymën elektrike, e cila i la të vdekur në vend. Policia njoftoi se nga verifikimet në vendin e ngjarjes është konstatuar se dy punëtorët kanë vdekur për shkak të kontaktit me rrymën 220 volt. Gabimi ka ndodhur nga njëri prej punonjësve që kishte hyrë në thellësi të pusetës dhe po çmontonte pompën e ujit, e cila ka pasur defekt. Sipas të dhënave që mblodhi policia në vendin e ngjarjes, gjithçka ka nisur në orët e para të mëngjesit të djeshëm. Zyrat e një kompanie private sigurimesh, në pallatin pranë të cilit vdiqën dy punëtorët, kanë pasur problem në furnizimin me ujë. Pas verifikimeve të para, është konstatuar problemi me pompën e ujit dhe në këtë kohë u është kërkuar dy punëtorëve Refik Kryemadhi dhe Kozma Qirjako të riparonin defektin.
Gabimi fatal
Dy viktimat kanë shkuar te puseta ku do të kryenin punime rreth orës 11:00. Pasi kanë hequr kapakët e pusetës dhe i kanë vendosur aty pranë, njëri prej punëtorëve ka hyrë me këmbë në pusetë, ndërsa tjetri është shtrirë me kokë poshtë duke mbajtur gjysmën e trupit jashtë, në mënyrë që të shikonte brenda gropës ku do të bëhej riparimi. Pas disa minutash, nga çmontimi i pompës ka nisur të rrjedhë ujë, ndërsa dy viktimat vazhdonin të punonin. Njëri prej tyre ndodhej me këmbë në ujë, kurse tjetri ishte duke punuar në kohën kur qarku elektrik i pompës ka rënë në kontakt me ujin, duke u marrë jetën të dy punëtorëve. Njëri prej tyre, ai që kishte hyrë me këmbë në pusetë, u gjet gjysmë i rrëzuar me trupin jashtë gropës. Ndërsa punëtori tjetër, nga pesha kishte rënë brenda në gropë me kokën para. Policia, ndërsa po shkonte në vendin e ngjarjes, ka arritur ti dallojë njërit prej viktimave vetëm majat e këmbëve. Sipas hetimeve të policisë, është mësuar se dy viktimat punonin pranë kompanisë private të sigurimeve që i ka zyrat në pallatin ku ndodhi ngjarja. Ditën e djeshme atyre u është kërkuar të ndërhyjnë për riparimin e elektro-pompës, edhe pse në fakt ata nuk kanë qenë të specializuar për këtë punë. Sipas Policisë, gabimi fatal që është bërë në këtë rast, ka qenë nisja e punës pa stakuar linjën elektrike që furnizonte pompën e ujit me energji elektrike.
Hetimi
Pas ngjarjes së rëndë të ndodhur dje në afërsi të lagjes Komuna e Parisit në kryeqytet, policia ka nisur hetimet me akuzën e vdekjes aksidentale të dy punëtorëve. Grupi i hetimit mësohet se ka marrë në pyetje punonjës të firmës së sigurimeve, e cila i ka zyrat në katin e parë të pallatit ku ndodhi ngjarja. Punonjësit aty kanë thënë se pompa e ujit ka pasur defekte të vazhdueshme dhe për rrjedhojë, ditën e djeshme dy viktimat kishin shkuar fillimisht për të pastruar pusetën e më pas për të nxjerrë prej andej pompën e ujit, në mënyrë që ti bëhej një kontroll teknik. Grupi i hetimit deklaroi dje se paraprakisht e ka konsideruar ngjarjen si vdekje nga pakujdesia. Nga ana tjetër, mësohet se dy viktimat ishin të martuar dhe me fëmijë. Një autoambulancë i ka marrë dy kufomat e punëtorëve dje nga vendi i ngjarjes për ti dërguar në Morgun e Tiranës. Mjekët ligjorë kanë kryer autopsinë, e cila konfirmoi vdekjen nga efektet e rrymës elektrike në organizëm.

Masat

Burimet nga Policia kanë thënë dje se në vendin ku ishin duke punuar dy viktimat e ngjarjes së ndodhur në lagjen Komuna e Parisit, u gjetën vetëm disa pajisje të thjeshta pune. Një fakt i tillë, sipas Policisë, konfirmon faktin se dy viktimat kanë qenë duke punuar pa masa sigurie. Sipas hetuesve, dy punëtorët duhej të kishin përdorur pajisje të gomuara dhe veshje për të shmangur kontaktin me ujin dhe me energjinë elektrike gjatë procesit të punës.

Policia, hetim për mungesën e pajisjeve të sigurimit teknik

TIRANE Dy elementë përgjegjësie, sipas Policisë, janë gjetur në ngjarjen e ndodhur dje, e cila shkaktoi vdekjen e shtetasve Rezmi Kryemadhi, 47 vjeç, dhe Kozma Qirjako, 45 vjeç. Sipas verifikimeve të bëra nga policia, të dy viktimat kanë qenë punëtorë mirëmbajtjeje në kompaninë e sigurimeve, por nuk kanë qenë të specializuar për punime që kanë lidhje me ujësjellës-kanalizimet. Po kështu, sipas burimeve nga policia, një tjetër përgjegjësi është mungesa e pajisjeve të sigurimit teknik për të shmangur kontaktin me rrymën elektrike dhe në fund lënia mbyllur e qarkut elektrik, ndërkohë që dy viktimat punonin në pusetë. Pas kryerjes së veprimeve hetimore në vendin e ngjarjes, Policia e ka referuar ngjarjen në Prokurorinë e Tiranës, me klasifikimin si ngjarje aksidentale e ndodhur nga pakujdesia. Ndërkohë, edhe nxjerrja e trupave të pajetë dje është bërë pas ndërprerjes së rrymës elektrike që furnizonte pompën e ujit të vendosur në pusetë.

TRAZHGIM SOKOLAJ

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›