E Diel, 1 Nëntor 2026

Dy raportuesit e PE-së nesër vizitojnë Maqedoninë

Në Shkup nesër pritet të mbërrijnë raportuesit e Parlamentit Evropian për Maqedoninë, Robert Hovit dhe Jorgos Shacimarkakis.

Ata do të jenë pjesëmarrës në mbledhjen e Komitetit parlamentar mes Maqedonisë dhe Bashkimit Evropian, që do të zhvillohet nesër dhe pasnesër në Shkup.

Sipas agjensisë së lajmeve INA, dy misionarët e Brukselit do të sjellin mesazhet e BE-së lidhur me Maqedoninë, të cilat janë shprehur edhe në Raportin e Progresit.

Në këtë drejtim eurodeputetët Shacimarkakis dhe Hovit do të kenë prezantimet e tyre, ndërsa janë paraparë edhe fjalime të zëvendëskryeministres për evrointegrime, Teuta Arifi, ministrit të jashtëm, Antonio Milloshoski si dhe ushtruesit të detyrës së shefit të delegacionit të BE-së në Maqedoni, Robert Lidli.

Në kuadër të takimit do të shqyrtohen shumë çështje lidhur me raportet e Maqedonisë me BE-në, si shënimi i 10 vjetorit të Marrëveshjes së Ohrit, reformat në administratën publike, gjyqësor, luftën kundër korrupsionit, lirinë e medias etj.Pas takimit do të miratohen edhe konkluzat e përbashkëta.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›