E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dy rrugë të kundërta në fushatën e 8 majit

10-06-2011 / Nga Kostaq Xoxa

Emancipimi i shoqërisë: Dështon fushata e gjuhës harbute

Duket se fushata elektorale e zgjedhjeve të 8 majit, pati një hop cilësor në kahen e të folurit të qetë, arsyetimeve të shtruara dhe, sidomos, e programit konkret, me fjalë të thjeshta dhe premtime bindëse. Është oratoria, që zgjoi simpatinë e dëgjuesve, e kandidatit të koalicionit për qytetarin, Lulzim Bashës.
Përkundrejt këtij të folurit të përkorë, me ngulmimin se ç’do të bëhet dhe si do të bëhet, (por edhe ç’ishte bërë), një diskurs pa hijen e retorikës propagandistike, kemi “rrugën e vetme” të gojëtarisë-stampë, stereotipe, të një propagande shterpë, të injorimit të kandidatit përballë, të të folurit megaloman e shpërfillës, me maniera ulëritëse, të kandidatit E. Rama. Ky kishte detyrën imperative të fliste në trajtimin e një binomi që të zbërthente édhe ç’është bërë, - së paku dyvjeçarin e fundit, - édhe ç’do të bëhet në mandatin katërvjeçar të punëve bashkiake. E kishte detyrë,  po kur shpërfillen detyrat? Asgjë të tillë, fillimisht. Vonë, mjaft vonë, u kujtua se kishte lënë në harresë programin. E dinte mirë se ishte gjithmonë deficitar në këtë sferë. Madje ishte kritikuar brenda radhëve  për fushatën e personalizuar të zgjedhjeve të qershorit të 2009-s. Vërejtjet vinin nga ajo që u quajt LMN. Por atë e katandisi për ndjesë, me grusht të hekurt, në salla të një obskurantizmi frymëmarrës, në emër të një “transparence” që kishte të gjitha tiparet e groteskut! Pra, e kishim fjalën se: vonë, shumë vonë, u kujtua se ato “gjetjet” ekzibicioniste të ndërrimit të emrit si një aktor, humori i të cilit s’të bën të qeshësh, kinse i harronte emrin kundërshtarit për vendin e kryetarit të bashkisë, (Sala, Sala...), ndërsa oponenti i tij e përmendte me z. Edi Rama. Këtë etikë ballafaqimesh e kishte përdorur në mënyrë të hijshme dr. Berisha i cili nuk ndërhyri në fushatë, - siç mund të ishte, madjé, édhe e natyrshme, - një shenjë fine besimi ndaj z. Basha. Ky, i vetëm, ishte i pranishëm në takime tepër të ngushta me të gjitha kategoritë shoqërore të qytetit të Tiranës.
Kështu, ajo rruga e Ramës, që ishte “e vetme”  edhe në leksik, e kishte çuar Edin në qorrsokak.
Dhe, si i zgjuar në mënyrë të beftë nga një ëndërr e keqe, filloi edhe ai nga “programi”. Tramvajin e premtuar nga z. L. Basha, ai e sfidoi me hiperbolat e tij pré e lësho: Ai do të bënte tri tramvaje! Unazën e madhe që kishte premtuar z. Basha, ai do ta bënte edhe më të madhe... Këto pasoja të megalomanisë endogjene e çuan në hullinë e kundërshtarit të tij politik, të cilin e trajtonte vazhdimisht në mënyrë përbuzëse, thuaj si armik. Sepse tani, me ato kapërcimet e tij pindarike, nga një antikomunist ekstremist, kishte fluturuar ideologjikisht në huqet e komunistit fanatik, me hosanatë për E. Hoxhën në Pezë! Duke iu larguar si me zor e në mënyrë të zvargur retorikës së tij (që ngjiste vetëm te vulgu), ai e humbi origjinalitetin ndaj të cilit ishte së tepërmi i pasionuar. Dhe i vuri këmbët në tokë: në brazdën që kishte hapur L. Basha! Do të improvizonte edhe ai programet, me teprime që ai vetë nuk do të mund t’i jetësonte.
Nga ana tjetër ai u akuzua për mungesë luajaliteti édhe nga Hysni Milloshi. Ai Edvinin e akuzoi për hipokrizi e për batakçillëk. I përmendi, madje, edhe atë vargun e tij “komunistët në litar!” që e shoqëroi, ç’është e vërteta, edhe me një varg të dytë, që bën rimë: “veteranët në hanxhar!”. Kjo është punë e tyre dhe nuk ia vlen të zgjatemi. Mund të shtojmë vetëm se Edvini nuk mund të jetë fitues me huqet e tij eksentrike, me oshilacionet që e bëjnë të pabesueshëm dhe me zgjimin që po i bën LMN-së së nënshtruar ndaj dhunës së tij proverbiale, e cila vetëm prej ithtarëve të tij mediokër mund të quhet dhunë demokratike! Duket se tani Ramës po i mbetet vetëm vulgu, apo ai detashmenti i tij i indoktrinuar (populizmi anakronik), me të cilin kërkon të zvarrisë, si edhe më parë, përpjekjet e të dy formacioneve të mëdha me frymëzim perëndimor, PD-së dhe LSI-së, për të qenë pjesëmarrës sa më të shpejtë në etapën e tretë të suksesshme (ndonëse të sabotuar), në komunitetin europian, BE.
Të gjithë njerëzit që arsyetonin, i gjithë elektorati gri – me gjykim racional, - të rinjtë e të rejat me frymëzim perëndimor, e kishin bërë zgjedhjen e tyre: Lulzim Basha. Ç’i mbeti E. Ramës? I mbetën kontingjentet e mëkatarëve të kohës së diktaturës, që kërkonin strehë (rifugium pecatorum) për t’u zhbërë çdo hetim për lustracion; një takëm biznesmenësh që kishin përfituar reciprokisht në aferat e ndërsjella; skuadronet zhurmëmëdha të stërvitura prej vitesh për të treguar muskujt në demonstrata antiparlamentare, në greva bllokuese, në zaptime qendrash urbane në pikat më nevralgjike (për shembull në ballë të kryeministrisë).  Duhen shtuar edhe disa proselitë mercenarë, - qejfmbetur se nuk ishte kompensuar sa duhet arrivizmi i tyre i pafré, - të shndërruar, tashmë, në anarkistë...
E gjithë kjo turmë antiperëndimorësh, përveç asaj pjesës tjetër injorante që donte të bënte prokopi me anë provokimesh rrugore, iu bashkua Ramës i cili, fillimisht, kërkonte t’i shmangej kandidaturës, që të arrinte në zgjedhje të parakohshme. Por faktori ndërkombëtar ishte kategorikisht kundër kësaj ëndrre të vjetër të kryetarit të PS-së dhe të ndjekësve të tij në pakicë, të cilët duhet të binin në sy si shumicë, sepse imitonin ustanë në tekat e tij provokuese. Këtej u shfaqën, si pasojë, shfryrje kundër të huajve, që na kishin ndihmuar që zgjedhjet tona të bëheshin jo vetëm në vëzhgim të komisionerëve, por edhe të popullit mbarë, në shtëpinë e tij. Nënkryetari i PS-së doli në shtyp me shprehje sfiduese ndaj atyre “që na vërtiten nëpër këmbë”. Demek, shikoni punët tuaja! Tani, kur Edi bëri atë sfidën kundër Kodit Zgjedhor se fituesi ishte ai me +10 (kur këtë kompetencë s’e kishte asfare ai) dhe kur KZAZ-të ishin ende në  njehsim të votave, të të gjitha votave, mjafton që fletëvotimi të kishte kondicionet e fletës së rregullt, pavarësisht kutisë në të cilën ishin hedhur, dardha e kishte bishtin prapa. Tani Edi na paraqitet si properëndimor i përgjëruar dhe kërkon ndihmë prej tyre, që votat në kutinë e gabuar, të quheshin të pavlefshme! Përse nuk e kërkoi këtë, që në procesin e numërimit  në Berat, ku u vlerësuan si të vlefshme votat, pavarësisht kutisë në të cilën ndodheshin? Sepse kishte prioritet ai vetë? Tani që Lulzim Basha doli me +81, E. Rama kërkon që kutia të marrë prevalencë mbi vullnetin e votuesit (!). Ai kërkon në ethe atë mënyrë votimi që të jetë domosdoshmërisht ai fitues! Madjé këtë e kishte shpallur: Nëse nuk dal fitues, do të bllokoj parlamentin, do të.... do të....!
Por trojka e ambasadorëve, e përbërë nga ambasadori i SHBA-ve Aleksandër Arvizu, nga kreu i pranisë së OSBE-së në Shqipëri, Eugen Volfarth dhe nga kreu i Delegacionit të BE-së, ambasadori Ettore Sequi, u shpreh njëzëri: Palët të presin certifikimin. Zëri i qytatarëve duhet të dëgjohet dhe të respektohet nga të gjitha partitë politike. Interesi kombëtar, përpara interesit partizan vetjak. Nëse Edi Rama s’ka haber nga eufemizmat, kjo treshe flet për “palët” kur ne, dëgjuesit e thjeshtë, e kemi të qartë se është fjala vetëm për Edvin Ramën. Sepse pala tjetër, nuk u hipnotizua nga një eufori marroqe. Ajo tha: presim certifikimin!
Folëm për eufemizmin. Por komuniteti ndërkombëtar, që ka tani edhe Spanjën e Portugalinë që kaluan nga majtas djathtas, në kushtet kur në të gjithë BE-ne vetëm një vend është i majtë, po na ofron sërish, me mirëdashje dhe në sajë të përparimeve tona, statusin e kandidaturës për në BE. Nihilizmi i zi sterrë i së majtës së Edvinit, i molepsur me enverizmin dhe me idolatrinë e tij, po bëhet i pabesueshëm edhe për faktorin ndërkombëtar. Kështu, ajo “fitore historike” gjen vend vetëm në mendësinë e inkoherencës trunore të Edvin Ramës.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›