E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministri David Lidington: “Numërimi i çdo vote të qytetarëve, shembull demokratik”

10-06-2011 / Gazeta 55

Britania e Madhe: Bojkoti nuk është përmbushje e detyrës nga opozita, ajo duhet t’i kërkojë llogari Qeverisë në Kuvend

Britania e Madhe përcjell në Tiranë mesazhin e Brukselit se dialogu në parlament është jetik për demokracinë si dhe respektimin e standardeve të Bashkimit Evropian. Ministri britanik i Shtetit për Europën dhe NATO-n, David Lidington ka deklaruar dje se ngërçi politik i tej zgjatur po ngadalëson procesin e integrimit të vendit në Bashkimin Europian. Në një konferencë për shtyp pas takimit me kryeministrin Sali Berisha, presidentin Bamir Topi, dhe kreun e opozitës Edi Rama, zyrtari i lartë i qeverisë britanike, Lidington, theksoi se palët politike duhet të nisin sa më shpejt dialogun dhe të vijojë përmbushja e reformave, si faktor kyç që Shqipëria t’i bashkëngjitet vendeve të bllokut 27 anëtarësh. “Mbretëria e Bashkuar mbetet kampione entuziaste e zgjerimit të BE-së drejt vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Shqipërisë. Por sigurisht anëtarësimi në BE, kërkon dhe plotësimin e kushteve përkatëse; këtu ka rëndësi zbatimi i reformave tërësore në planin ligjor dhe administrativ. Miqtë e Shqipërisë, ku përshihet dhe Mbretëria e Bashkuar, mendojnë se ngërçi ekzistues politik po e bën rrugëtimin drejt BE-së shumë më të vështirë. Ne i bëjmë thirrje liderëve shqiptarë që të punojnë urgjentisht dhe në mënyrë kostruktive për ri-vendosjen e dialogut politik, duke gjetur rrugët dhe mënyrat për të bërë ndryshimet e nevojshme legjislative që do të ndihmojnë përshpejtimin e procesit drejt BE-së. Ne do të vazhdojmë të mbështesim aspiratën e Shqipërisë për anëtarësimin në BE, por ne si miq kërkojmë që dhe palët në Shqipëri të angazhohen dhe të përmbushin përgjegjësitë e tyre në mënyrë që të rivendoset dialogu politik. Jam vërtet i lumtur që jam sot për herë të parë në Tiranë. Keqardhja ime e vetme është se kjo vizitë ishte shumë e shkurtër. Ndaj më vjen shumë mirë që pranova ftesën e Haxhinastos dhe unë pres me kënaqësi që të vizitoj sërish Shqipërinë”, u shpreh Lidington.
Por, këmbëngulja e ministrit britanik ka qenë te bojkoti absurd i Partisë Socialiste. Sipas tij, opozita duhet të kryejë detyrën e saj ligjore në Kuvend dhe jo në rrugë. Këtë shqetësim, Lidington informoi se ia ka përcjellë edhe kreut të opozitës, Edi Rama gjatë takimit të zhvilluar me të. “Opozita ta mbajë qeverinë në punë dhe të kërkojë llogari duke u përballur përmes dialogut. Një nga detyrat e opozitës është të sfidojë qeverinë dhe t’i prezantojë këto në Parlament. Por kjo nuk do jetë e mundur nëse ajo nuk shkon në parlament, kjo nuk do të mundësojë as përmbushjen e reformave ndërkombëtare për vendin. Ne vijojmë të urojmë që të përmbushni detyrimet dhe të ndërmerrni angazhimet dhe reformat për të përmbushur ato”, u shpreh ministri britanik, Lidington.
Duke iu referuar zgjedhjeve vendore të 8 majit, ministri britanik i shtetit ka mbështetur plotësisht parimin e ndjekur në Shqipëri, për të numëruar çdo votë të qytetarëve, ndërsa ka theksuar se në përfundim të procesit zgjedhor palët duhet të ushtrojnë përgjegjësitë e tyre kushtetuese, institucionale dhe politike në Parlament dhe organet e tjera të zgjedhura.

Sa e shqetësuar është Qeveria Britanike dhe cili është qëndrimi i saj për situatën aktuale pas zgjedhjeve të 8 majit në Shqipëri?
Jemi shumë të shqetësuar, por detajet lidhur me procesin zgjedhor janë një çështje që u takon vetë shqiptarëve, institucioneve dhe gjykatave të tyre. Në këtë drejtim, udhërrëfyes për ne do të jetë raporti i ODIHR-it dhe vlerësimi i tyre për ndershmërinë e procesit zgjedhor.  Mendoj se më e rëndësishme se rezultati i këtij procesi është që partitë politike në Shqipëri të gjejnë mënyrën që të veprojnë siç vepron një qeveri dhe një opozitë kushtetuese, në një vend demokratik në Evropë. Ndaj mendoj se ka hapësirë për debate, argumente dhe diferenca, por të gjitha këto duhet të bëhen në një kornizë politike, e cila të ketë mirëkuptimin e përbashkët të palëve. Kjo ka të bëjë me vlerat demokratike evropiane. Ndaj për Shqipërinë është e nevojshme që të ecë përpara drejt rrugëtimit të saj për në BE.

Çfarë mendimi keni për kundërshtimin e opozitës ndaj vendimit të Kolegjit Zgjedhor dhe a shihni ndonjë mundësi kompromisi për zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme?
Për mua është shumë e vështirë që të jap mendime edhe për vetë debatet e brendshme politike në Britani e jo më të flas për këtë gjë në Shqipëri. Natyrisht përshëndes faktin që Kolegji Zgjedhor ka zbardhur arsyetimin e tij lidhur me vendimin përkatës. Unë nuk i kam lexuar këto shpjegime të Kolegjit dhe nuk do të bëj komente për to; u takon liderëve shqiptarë që të bëjnë një gjë të tillë. Por dua të vë në dukje se pas shpalljes së rezultatit, rëndësi ka që qeveria shqiptare të pranojë se ka një hapësirë legjitime për opozitën që t`i kërkojë llogari qeverisë nëpërmjet institucioneve parlamentare; ndërsa opozita shqiptare të pranojë përgjegjësinë e saj për të sfiduar qeverinë, veçse në parlament dhe jo në rrugë.

Berisha, Lidington: Roli i opozitës, në Kuvend dhe jo në rrugë

Gjatë takimit me kryeministrin Sali Berisha, ministri David Lidington ka theksuar se roli i vërtetë opozitës është në institucione dhe jo në rrugë. Ai vlerësoi se bashkëpunimi me vullnet të mirë brenda institucioneve, në plotësimin e detyrimeve në kuadrin e integrimit evropian është garanci për një integrim të suksesshëm të Shqipërisë në BE.
Ministri Lidington e siguroi kryeministrin se Mbretëria e Bashkuar është një mbështetëse kryesore dhe e fuqishme e zgjerimit të Bashkimit Evropian me vendet e Ballkanit Perëndimor dhe në mënyrë të veçantë e anëtarësimit të Shqipërisë në BE.
Ai theksoi se plotësimi i kritereve të vendosura nga Komisioni Evropian e bëjnë procesin e anëtarësimit të besueshëm dhe solid.
Nga ana e tij kryeministri Berisha duke nënvizuar përmirësimet e infrastrukturës zgjedhore në dy vitet e fundit i konsideroi zgjedhjet e 8 majit si zgjedhjet më të mira dhe transparente të zhvilluara gjer më sot.
Kryeministri u shpreh i vendosur për garantimin e barazisë së votës dhe numërimit të drejtë të çdo vote të hedhur nga qytetarët shqiptarë.
Duke u ndalur tek rezultati i ngushtë me të cilin kandidati i Partisë Demokratike fitoi Bashkinë e Tiranës, ai theksoi se një rezultat i tillë ishte një test shumë i rëndësishëm dhe i suksesshëm për funksionimin e drejtë të procesit ligjor dhe profesionalizmin e institucioneve të mandatuara për certifikimin përfundimtar të zgjedhjeve.
Duke e cilësuar integrimin në BE si projektin madhor të shqiptarëve, kryeministri Berisha garantoi se qeveria shqiptare po punon me angazhim maksimal për të përmbushur të gjitha detyrimet që Shqipëria ka në kuadrin e integrimit në BE. Ai nënvizoi se, për të dhe qeverinë e tij, ky proces bazohet në performancë dhe meritë. Në përfundim kryeministri Berisha i kërkoi ministrit Lidington që t’i përcjellë ftesën për një vizitë në Shqipëri kryeministrit britanik David Cameron dhe ministrit të jashtëm William Hague.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›