E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dy shfaqjet e fundit të "Andrea Chenier"

Opera premierë "Andrea Chenier" shfaqet sërish sot në orën 19:00 në Teatrin e Operës dhe të Baletit.

Shfaqja e sotme dhe ajo e ditës së shtunë do të kenë për protagonistë artistët e TOB, Armaldo Kllogjeri (Andrea Chenier) dhe Etleva Golemi (Maddalena de Coigny), si dhe baritonin shqiptar që jeton në Francë Ymer Kaca (Carlo Gerard). Interpretojnë kori dhe orkestra simfonike e TOB si dhe studentë të A.A. Shfaqet e kësaj fundjave janë dy të fundit për "Andrea Chenier".


Jeta e Tennesse Williams në TK


Në Teatrin Kombëtar gjatë fundjavës shfaqet drama "Menaxheria e qelqtë" e dramaturgut amerikan Tennesse Williams (1911-1983). Pothuajse 65 vjet pas premierës së parë në Chikago, "Menaxheria e qelqtë" vjen në skenën e TK nën regjinë e Adonis Filipit, të shtunë dhe të dielën në orën 19:00.


Gjithë ngjarja tregohet në retrospektivë nëpërmjet kujtimeve të Tomit (Arben Derhemi). Jemi në vitet '40 në një familje amerikane.

Tomit i kujtohet ajo që kishte mbetur familja e tij pas largimit të të atit. Për nënën e tij (Yllka Mujo) koha ka ndalur në atë çast.

Ndërsa e motra 24-vjeçare Lora (Monika Lubonja) e cila ka lindur me një defekt fizik, është tepër e tërhequr. Në botën e saj të mbyllur e vetmja kënaqësi është koleksioni i kafshëve të vogla prej qelqi. Tomi është i vetmi që përpiqet të mbajë familjen e tij nëpërmjet rrogës që merr duke punuar në një fabrikë.

Për të plotësuar dëshirën e Amandës, e cila do të martojë të bijën me çdo kusht, ai sjell në shtëpi Xhimin (Neritan Liçaj), një ish shok shkolle të Lorës. Ëndrra e Amandës shkatërrohet kur Xhimi rrëfen se është i fejuar dhe largohet. Edhe Tomi largohet për të mos u kthyer më kurrë te familja e tij. Megjithatë ai ende e kujton të motrën, Laurën.


Skenografia dhe kostumografia i janë lënë në dorë artistit maqedonas Blagoj Micevski. Ai vjen në Shqipëri pas një përvoje në Ballkan dhe në SHBA. Artisti që aktualisht punon për Teatrin e Operës dhe të Baletit në Amsterdam ka realizuar skenografinë dhe kostumet për vepra të antikitetit, Shekspirit, Çehovit e të teatrit modern.

Për skenografinë e "Menaxherisë së qelqtë" ka preferuar të luajë me ngjyrat. Kështu tryezës së familjes Wingfilld i ka dhënë një ngjyrë blu të thellë, e cila theksohet më tepër nga sfondi i bardhë i brendisë së shtëpisë.


Për shumë njerëz "Menaxheria e qelqtë" është një vepër autobiografike e Williams. Personazhet dhe subjekti pasqyrojnë më shumë se çdo vepër tjetër jetën e tij. Williams (emri i vërtetë i të cilit është Tomas), në vepër është Tomi, Nëna e tij e vërtetë është Amanda dhe motra e tij e sëmurë mendërisht Rosa, është Laura.

 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›