E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Fazlliç" në "duart" e Alibeajt e Bashës

Megjithëse kanë kaluar disa muaj nga nisja e letërporosive për boshnjakun në disa shtete vetëm Bosnja ka kthyer përgjigje disa ditë më parë

Sipas legjislacioni aktual në fuqi, Ministria e Drejtësisë dhe ajo e Jashtme, kanë detyrimin ligjor për sigurimin e letërporosive

TIRANË- Zbardhja e akuzës së ngritur nga prokuroria e kryeqytetit ndaj mikut të kryeministrit Sali Berisha, serbo-boshnjakut Damir Fazliç për "pastrim të parave" mbetet në "duart" e Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Jashtme.

Sipas procedurës ligjore, të dy këto dikastere kanë për detyrë dërgimin dhe përshpejtimin e ekzekutimeve të letër-porosive të dërguara nga organi i akuzës për çështje të ndryshme hetimore dhe në rastin "Fazlliç" në Qipro, Zvicër, Angli e Bosnje.

"Sipas legjislacionit në fuqi, është Ministria e Drejtësisë ajo që ka për detyrë të përkthejë kërkesën e Prokurorisë, karshi një subjekti apo individi nën akuzë, për të cilin i kërkohen të dhëna nga shtete të tjera, ku subjekti apo individi është rezident apo ka kryer veprime që janë në interes për çështjen hetimore në vendin tonë.

Pas përkthimit, Ministria e Drejtësisë i dërgon letër-porosinë e përkthyer Ministrisë së Jashtme e cila në rrugë diplomatike ia dërgon shtetit në fjalë.

Por, edhe pas dërgimit të kësaj letër-porosie brenda afatit të përcaktuar prej 40 ditësh, këto dy ministri duhet të ushtrojnë ndikimin e tyre tek shtetet përkatëse për ekzekutimin e këtyre letër-porosive",-thanë burimet e prokurorisë.

Sipas tyre, edhe pse kanë kaluar më shumë se pesë muaj nga dita e dërgimit të këtyre letër-porosive, vetëm Bosnja ka kthyer përgjigje për çështjen "Fazlliç", por që ndodhet në duart e përkthyesve të Ministrisë së Drejtësisë për përkthim.

Mësohet se letër-porosia e ardhur nga Bosnja, zbardh vetëm transaksionet bankare të kryera nga Shqipëria në drejtim të Bosnjës në emër të shtetasit Damir Fazliç, që mendohet se kapin shifrën e rreth 500 mijë euro të transferuara nga shuma prej 1 milion e 750 mijë eurot e shitjes së kompanisë "Croën Acquisition"sh.p.k. tek kompania qipriotë "Altarie Reserach Limited".


Sipas kësaj letër-porosie, provohet se personi nën hetim, Damir Fazliç, ka transferuar në drejtim të një banke në Bosnje, shumën prej rreth 500 mijë eurove, ndërsa shumën tjetër prej 1 milion euro e ka transferuar në një llogari bankare në Zvicër, ku prokuroria shqiptare me ndihmën e Ministrisë së Drejtësisë ka dërguar një letër-porosi për të provuar këtë fakt.

Ndërkaq, sipas burimeve zyrtare nga njësia e task-forcës së prokurorisë së kryeqytetit bëhet e ditur se letër-porositë kryesore që ndikojnë në ngritjen apo jo të akuzës zyrtare ndaj shtetasit Damir Fazliç janë ato të shteteve të Zvicrës dhe Qipros.

Kjo e fundit, sipas akuzës, luan një rol të rëndësishëm pasi do të provojë burimin e të ardhurave prej 1 milion e 750 mijë euro.

"Legjislacioni shqiptar e parashikon në mënyrë taksative se kryerja e veprës penale të "pastrimit të parave" provohet, atëherë kur të ardhurat materiale të cilat janë shfrytëzuar për blerjen apo investimin e një malli, janë siguruar nga një krim tjetër, në rast të kundërt nuk kemi vepër penale të "pastrimit të parave".

Këto para, rezultojnë se janë transferuar në Shqipëri nga një llogari bankare e kompanisë "Altarie Reserach Limited" në një filial të bankës në Londër të Mbretërisë së Bashkuar.

Shtet të cilit i është kërkuar që të sjelli emrat e personave që fshihen pas kësaj llogarie bankare prej 1 milion e 750 mijë euro dhe burimi i këtyre të ardhurave",-thanë burimet pranë akuzës.

Për të vërtetuar këtë fakt, sipas prokurorisë, duhet që autoritetet e Qipros dhe të Anglisë të ekzekutojnë letër-porositë e dërguara nga ana e shtetit shqiptar, ku këta të fundit duhet të ushtrojnë "trysninë" e tyre për ekzekutimin sa më të shpejt të këtyre letër-porosive.

Kjo "trysni" mbetet në vullnetin dhe marrëdhëniet dy palëshe mes Ministrisë së Drejtësisë shqiptare dhe atyre të shteteve të Qipros, Zvicrës e Anglisë, për ekzekutimin e këtyre letër-porosive të cilat do të provojnë fajësinë ose pafajësinë e mikut të kryeministrit, serbo-boshnjakut Damir Fazliç për akuzën e "pastrimit të parave".

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›