E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dy shtete, një komb



Kryeministri Berisha tha se kombi shqiptar do të bashkohet në Evropë, ndërsa edhe Shqipëria, edhe Kosova duhet të ndihmojnë proceset e integrimit, duke e bërë kufirin urë integrimi e jo vijë ndarjeje.

Ju nuk keni dëgjuar që të flitet për dy kombe kroate, për dy kombe serbe, për dy kombe greke dhe nuk mund të ketë pra as dy kombe shqiptare - do të ishte thelbi i fjalimeve dhe lajtmotivi i vizitës dy ditore të Kryeministrit të Shqipërisë Sali Berisha në Kosovë si dhe konkretizimi në bisedat private që “nuk do të ndalem derisa ta heqë policin nga vija kufitare ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë”. Kjo deklaratë e thënë publikisht nga Berisha ngjalli reagime në Serbi, por nxiti edhe reagimin zyrtar të ministrit të Jashtëm të Rusisë, Lavrov, i cili kërkoi që edhe NATO edhe Bashkimi Evropian të merren seriozisht me deklaratën e Kryeministrit të Shqipërisë.

Nëse edhe mund të kuptojmë arsyet e hidhërimit të Serbisë, e cila duke mos dashur ta shohë dhe ta kuptojë realitetin, ende mendon se Kosova nuk është e pavarur dhe ende mendon se ka kompetenca në Kosovë, ku nuk mund të vijnë në vizitë zyrtare burra shtetesh pa e marrë më parë lejen prej Serbisë, reagimi rus duket më se i çuditshëm, duke njohur kapacitetin e diplomacisë ruse dhe duke e ditur që ajo e ka përfaqësinë e saj diplomatike në Kosovë e cila ka edhe mekanizma, por edhe përkthyes të mirë që do të duhej ta transmetonin drejtë deklaratën e Berishës e që kjo të mos përbënte, si u shpreh Kryeministri shqiptar, “një vështirësi tradicionale të përkthimit nga shqipja në rusisht”.

Kryeministri i Shqipërisë në vizitën zyrtare në Republikën e Kosovës foli për multietnicitetin e saj, foli për të drejtat e minoriteteve që nuk ekzistojnë në asnjë vend tjetër të botës por që “burri i mençur Marti Ahtisari i përcaktoi në Pakon për pavarësinë e Kosovës e të cilat duhet të zbatohen dhe të përjetësohen me përpikëri”. Gjithashtu, foli për kombin shqiptar si një dhe të vetëm që jeton në trojet e veta në kuadër të disa shteteve dhe që ka nevojë të komunikimit brendashqiptar dhe të lehtësimit të këtij komunikimi drejt rrugës së integrimit, duke hequr të gjitha pengesat e që është proces i pandalshëm e që do të bëhet në kuadër të Bashkimit Evropian. Berisha përkujtoi vuajtjet që në të kaluarën i patën shumë breza për mungesë dhe për pengim të qëllimshëm të komunikimit dhe të bashkëpunimit brendakombëtar, periudhë së cilës përfundimisht i ka ardhur fundi.

Ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë u nënshkruan gjashtë marrëveshje ndër të tjera edhe qarkullimi i lirë ndërkufitar që do t’u mundësojë banorëve të zonave kufitare ta kalojnë lirshëm kufirin në të gjitha pikat vetëm me dokumente të thjeshta identifikimi dhe pa asnjë procedurë paraprake. Kjo shumë shpejtë do të sjellë integrimin rajonal të zonave sidomos atyre malore që për një shekull ishin ndarë me dhunë nga rrjedha natyrore, nga tregjet tradicionale, nga qendrat në të cilat gravitonte malësia Kjo do të sjellë një zhvillim të përgjithshëm, një mirëqenie për banorët e zonës, një këmbim të mallrave, të fuqisë punëtore, të shërbimeve, pastaj të menaxhimit të resurseve natyrore, të xeheve, të ujërave, të pyjeve, kullotave etj. dhe do të ndikojë në politikat e përbashkëta zhvillimore dhe të ruajtjes së ambientit. Tregu brendakombëtar i munguar prej kohësh nga kufijtë e pakalueshëm shtetërorë, por i munguar edhe nga mungesa e rrugëve dhe e infrastrukturës tjetër të nevojshme do të ndihmojë në rritjen e cilësisë së jetesës së të gjithë qytetarëve, do të nxisë prodhimtarinë, e cila tash i ka tregjet ku shitet dhe ku konsumohet, e gjithashtu për shkak të uljes së kostos së transportit, do të ulë edhe çmimin e shitjes, por njëkohësisht edhe çmimin e prodhimit...

Në aspektin politik, Kryeministri Berisha foli për një komb shqiptar, duke pranuar realitetin e ekzistimit të disa shteteve, por duke qenë kundër që identitetet shtetërore të shndërrohen në identitete kombëtare. Berisha nuk kërkoi asnjëherë bashkimin e të gjithë shqiptarëve në një shtet, sepse ky bashkim do të ndodhë në kuadër të Bashkimit Evropian, ku si shtete plotësisht të barabarta do të hyjnë edhe Shqipëria, edhe Kosova, edhe Maqedonia, edhe Mali i Zi; nuk kërkoi copëtimin e shteteve të tjera për të krijuar një Shqipëri, por kërkoi që shqiptarët të komunikojnë lirshëm dhe të ndërtojnë politikat arsimore, kulturore, ekonomike etj. Ky ishte ideali që nga rilindasit dhe ky është sot realiteti i Ballkanit dhe i Evropës. Politika kombëtare më asnjëherë nuk do të duhej të bjerë ndesh me politikat shtetërore dhe politikat partiake e ideologjike.

Një tjetër politikan i Shqipërisë, Fatos Nano, gjatë vizitës së mëhershme në Kosovë, pati thënë: “Të mësojmë nga shembulli i gjermanëve: Shqipëria le të jetë si Gjermania, Kosova si Austria dhe Maqedonia si Zvicra”.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›