Arrestohet për terrorizëm i dyshuari për vrasjen e Sali Tivarit
Policia e Tiranës arrestoi një person, i cili akuzohet nga prokuroria se ka publikuar materiale, të cilat nxisin terrorizmin në vend. Në prangat e policisë ra Artan Kristo, i cili ka qenë një prej personave të arrestuar më parë si i dyshuar për vrasjen e ndodhur në vitin 2003 të sekretarit të Komunitetit Mysliman, Sali Tivari. I ndaluari u burgos disa kohë për këtë ngjarje, ndërkohë që më pas u la i lirë për mungesë provash. Por pas një hetimi të kryer nga Prokuroria e Tiranës, ai u vu sërish në pranga, këtë radhë i akuzuar se nëpërmjet materialeve të publikuara ka bërë thirrje për “luftë të shenjtë”.
Hetimet
Prokuroria e rrethit nisi hetimet për Kriston, pas gjetjes së disa materialeve të dyshimta, të cilat nxisnin terrorizmin në faqen e internetit albselefet.net. Prej një muaji u arrit që të mblidheshin materialet e nevojshme, të cilat dokumentonin aktivitetin e të ndaluarit. Sipas burimeve, materialet e hedhura nga Kristo bënin thirrje për të nisur “Luftën e shenjtë” ose Xhihadin. I ndaluari përdorte një pseudonim, gjatë postimit të materialeve, i cili sipas prokurorisë, ishte Muhammed Abdullahi Ebu Umer El Albani.
Sipas burimeve zyrtare, për hetimin sa më të plotë të çështjes, janë shfrytëzuar një numër i madh mjetesh për kërkimin e provës, përfshi edhe ato karakterit teknik. “Në një analizë të të gjitha të dhënave të grumbulluara, është arritur përfundimi se ka të dhëna të mjaftueshme që shtetasi Artan Kristo ka kryer veprën penale të “nxitjes, thirrjes publike dhe propagandës për kryerjen e veprave me qëllime terroriste”. Në këto rrethana, mbi bazën e kërkesës së Prokurorisë, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka caktuar masën e sigurimit “arrest në burg”, thuhet në një njoftim të prokurorisë. I ndaluari është shoqëruar në qelitë e paraburgimit, ndërkohë që vazhdojnë hetimet për persona të tjerë të përfshirë në këtë vepër penale.
I ndaluari
Artan Kristo është një prej personave të dyshuar nga policia si autor i vrasjes së sekretarit të Komunitetit Mysliman, Sali Tivari. Ngjarja ka ndodhur në vitin 2003, në zyrën e Tivarit. Kristo u ndalua dhe u lirua disa herë nga policia, për t’u lënë më pas i lirë përfundimisht për mungesë provash, ndërsa ndaj tij nuk u ngrit asnjëherë akuza për këtë krim. Në një intervistë të hershme për gazetën “standard” në lidhje me këtë ngjarje, ai ka thënë: “Unë nuk kam qenë këtu kur është qëlluar mbi Sali Tivarin. Kur ai është vrarë, unë jam ndodhur jashtë Shqipërisë dhe gjithçka e kam mësuar përmes medias, pikërisht kështu, duke lexuar gazetat në internet, mësova edhe që unë isha i dyshuar për këtë vrasje. Që në atë moment kam kontaktuar me avokaten dhe nga ajo kam mësuar se unë nuk isha i kërkuar. Fatmirësisht ekzistojnë shumë prova që unë nuk kam qenë këtu ato ditë”. Kristo është banues në qytetin e Durrësit, ku më parë ka drejtuar një fondacion, si dhe ka dhënë mësime teologjie. Ai lëvizte shpesh edhe në Libi, ku thotë se kujdesej për studentët shqiptarë që shkonin aty për t’u shkolluar. Ai ka qenë i arrestuar më parë nga policia, i akuzuar për plagosje me thikë.
Postime të Artan Kristos në faqen e uebit me pseudonimin Muhammed Abdullahi Ebu Umer El Albani. Në postimet e publikuara më poshtë nuk ka përmbajtje dhe thirrje për terrorizëm. Ato po botohen të plota dhe pa ndryshime nga gazeta.
Imam Malik Rahimehullah thotë: Shikoje se nga kush e merr dijen, sepse ajo është feja jote, merre nga ata që janë udhëzuar dhe jo nga ata që janë devijuar.
Ndërsa në lidhje me përcaktimin e devijimit dhe të udhëzimit, kjo është temë e gjatë, diçka që nuk mund të shtrohet në këtë bisedë.
Ndërsa sa u përket personave në fjalë ata kanë devijime në udhën që ndjekin, dhe si të tillë nuk bën të marrësh mësim nga ata për shkak se nuk ke siguri tek mësimet.
Prej tyre kanë dalë këto mendime dhe fetave të vërtetuara.
1- Marrje parash me kamat kur e ke të domosdoshme. Ahmedi
2- Bin Ladeni është Muxhahid i madh. Ismaili
3- Mendon se Shejh Albani ka gabuar në çështjen e Imanit Ismaili.
4- Për hatrin e davetit mund të bëhen disa harame. Ismaili & Ahmedi
5-Marrje pjesë në Mevlud në Shqipëri dhe pas deklarimit të
pendimit të rrejshëm dhe në Turqi. Ahmedi
6- Hirja islame nëpër spektakle televizive të shoqëruara me harame. Ahmedi
7- Mospozicionimi nga thirresat e devijuar si Sadullah Bajrami.