E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dy standardet e medias dhe çështja Veliaj

“AMA News”

Nuk kishte ndodhur kurrë më parë në mediat shqiptare që letra e koordinatorit të një partie politike në opozitë të zinte aq shumë hapësirë. Për kaq vite eksperiencë personale në fushën e medias vizive dhe të shkruar, më duhet ta pranoj të paktën profesionalisht se diçka tjetër fshihej pas këtij imazhi të

faqeve të para apo kronikave televizive. Thjesht më kujtohet vetëm shprehja e urtë popullore se diku lepuri fle. Prej tre ditësh me radhë mund të numërohen të paktën 20 apo më shumë faqe gazetash dhe dhjetëra kronika televizive, shpesh dhe të stërzgjatura me komente boshe, që sulmonin pikërisht Erion Veliajn.

Jo se kam marrë misionin për të mbrojtur një politikan apo njeri të shoqërisë civile, të paktën kështu është prezantuar, por dua të mbroj parimin e gazetarit dhe rregullat e arta të cilave i bindet nga ana profesionale. Disa prej gazetave çuditërisht kishin hapur faqen e parë, me atë që quhet titulli i madh. Disa të tjera e kishin titull të dytë, pa u përfshirë te kronikat në media kombëtare e lokale, shtetërore dhe private, besoj emrat e tyre i dini të gjithë. Por ajo që më ka habitur më shumë ishte fakti se si një gazetë si Panorama, serioze në treg, nuk dua të merrem me problemin në veçanti se sa për fenomenin që ka transmetuar, hapet në të njëjtën ditë, me të njëjtin titull të madh sikurse të paktën tre gazeta të tjera që njihen për qëndrimin afër qeverisë.

Dhe thelbi ishte se Erion Veliaj i paska dërguar një e-mail Tanja Fajon, miqve të tij evropianë apo amerikanë, se Griselda Roshin, apo Zaimin, e kishin rrëmbyer me forcë dhe detyruar që ta nxirrte fëmijën në një klinikë private të fshehtë me zor. Jo se e mohoj këtë lajm, që jashtë vëmendjes dhe objektit të temës së ditës u trajtua dhe në Parlamentin Evropian, jo se e quaj veprim të zgjuar, por dreqi ta hajë, pas titujve të njëjtë të 4 gazetave dhe dhjetëra kronikave televizive, duket ashiqare që një dorë i trazon apo prodhon këto lajme. Kur tema më e rëndësishme e ditës ishte fakti se Stefan Fule konstatonte dy standarde zgjedhjesh lokale në 2007 dhe 2011 për fletët e votimit të hedhura gabim, duke zbuluar se një herë ishin quajtur të pavlefshme dhe me të njëjtin Kod po konsideroheshin të vlefshme, duke zbuluar dhe skandalin e KQZ-së, pikërisht këto media afër qeverisë shkruanin një lajm periferik se si Mesila Doda, ish-sekretarja e Ilir Metës, na paska bërë debate me Tanja Fajon, duke i folur për mashtrimin e Griseldës dhe e-mailin e “sajuar” të Veliajt.

Sigurisht që për dy të parat janë punë grash, po për mediat nuk është aspak etike të merren me një problem kaq periferik. Ju kujtoj se pikërisht disa nga këto media dhe meqë përmenda Panoramën, një gazetë që për hir të së vërtetës kurrë që prej themelimit të saj 2002 nuk është marrë me lajme kaq periferike dhe për më tepër të hapë gazetën. Të paktën për aq sa i njoh drejtuesit e saj, ishte e tepruar dhe nëse do të kishin dorë të lirë, lajmin për e-mailin nuk do e kishin botuar më shumë se 5 radhë gazetë, diskutimi Fajon-Doda. Fakti që mediat afër qeverisë silurojnë pikërisht Veliajn, njeriun që dikur e mbështesnin aq shumë në fushatat e tij, tregon se kanë dashur veçse interesin tek fushatat e tij sensibilizuese, sepse duke ikur Fatos Nano, do të vinte benjamini i tyre, Sali Berisha. Dhe këtë nuk mund ta kundërshtojë askush, pa hyrë më tej se Veliaj ka pasur misionin e tij si shoqëri civile për atë kohë, për aq sa e ka kryer. Pyetja është e thjeshtë. Përse këto media e mbështetën Veliajn deri pak vite më parë dhe të njëjtat media e sulmojnë egërsisht?

Personalisht mendoj se ky njeri, ashtu siç ka bërë shpesh në kaq vite aktivitet, u ka çjerrë maskën abuzimeve me taksat e shqiptarëve të tipit Zgjohu, drejtuesi i të cilës prej nja dy muajsh nuk dihet se ku është fshehur, pasi i duhet të përgjigjet për 800 mijë euro reklama të 21 janarit kundër opozitës dhe abuzime të tjera që do të dalin së shpejti. Për hir të sinqeritetit gazetaresk, edhe pse shpesh ne gazetarët jemi paksa emocionalë, por kjo në të mirë të qytetarëve, sepse gazetarët e ndershëm e kanë të vështirë të bëhen palë me qeveritë, ndaj dhe mbeten të ekspozuar ndaj risqeve, më duhet të them se kjo puna e Griseldës vjen erë e keqe çimke shtetërore.

Këtë e dinë shumë mirë të gjithë përfaqësuesit e medias së mësipërme që dirigjohen diku, sepse ashtu sikurse i gjithë populli, edhe këto media vetë e hëngrën sapunin për djathë të Griseldës. Edhe unë personalisht e besova, megjithëse nuk kishim një pamje fizike të 29-vjeçares që mund të na çonte në përfundim. Për aq kohë sa kjo grua apo vajzë ka bërë denoncim zyrtar për rrëmbim e marrje fëmije, të gjithë, edhe shteti polici-prokurori e kanë besuar deri në daljen e ekzaminimeve shkencore. Edhe vetë kryeministri  jam i sigurt se është trembur nga ky lajm, si baba dhe gjysh që është, e ka ndjerë një farë tronditje apo dhimbje, megjithëse nuk e ka besuar. Dhe meqë përmendëm kryeministrin Sali Berisha, ishin po këto media më sipër, sikurse dhe e pavarura që përmendëm, që kur kreu i qeverisë përmendte më 21 janar e më pas se ishin qëlluar demonstruesit nga afër, me pistoleta, me çadra pistoletë, stilolapsa pistoletë, granata, bomba, eksplozive apo deri tek puçi i shtetit. Asnjë prej këtyre nuk i kërkoi kurrë llogari për këtë mashtrim të madh.

Asnjë prej mediave nuk hapi kronikat e lajmeve apo faqet e para me këtë ngjarje të rëndësishme, ku u vranë 4 vetë, që pasi doli ekspertiza dhe u provua se nuk kishte puç, të shkruante një titull, Kryeministër, kërko falje!. Të gjitha u lëshuan për të shtrydhur e hedhur në greminë opozitën dhe Edi Ramën dhe për pak sa nuk e bënë me idenë e puçit. Sot e kësaj dite këto media ende besojnë tek puçi dhe çadrat me pistoletë, sepse atë e ka thënë kryeministri, i pari i vendit. Nuk përbën lajm të madh kur gënjen kryeministri, lajm i keq dhe i rëndësishëm është kur gënjehet një koordinator si të gjithë shqiptarët dhe i shkruan miqve të tij një e-mail që mund të jetë edhe nga ata të zakonshmit, që deputetët e mazhorancës e përdorin në lojërat e tyre cyber-porn. Nuk ka rëndësi për ta dhe nuk ka për të pasur asnjëherë se u vranë 26 vetë në Gërdec, apo 4 në bulevard poshtë kryeministrisë.

Më me peshë është që ti dërgojnë në zyrë faqen e parë kryeministrit të vendit që ta lexojë se si ia kanë futur Edi Ramës me shokë. Dhe më vjen keq për këtë situatë, jo për Erion Veliajn, por për kolegët e mi gazetarë dhe këto media, që dikur kanë qenë elita të vërteta dhe me peshë, teksa janë kthyer si revolver për atentate politike ndaj opozitës. Më vjen keq, por nuk ka precedent në botë kur deputetë të opozitës i bëjnë opozitë opozitës dhe fresk qeverisë. Nuk ka shtet të botës ku mediat i kushtojnë rëndësi e-maileve të zakonshëm, se sa një afere të kryeministrit apo ministrave të tij. Sepse për ta kanë rëndësi vetëm këstet mujore, dhe jo jeta e qytetarit shqiptar…

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›