E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kavaja e 1990-s dhe rrjeti - hije kundër diktaturave

17-06-2011 / Nga Ilirian Dahri

Ndoshta do të kishte qenë me të vërtetë diçka e magjishme sikur kjo ide të kishte lindur atëherë kur në netët plot errësirë të Kavajës, në mes të tankeve të Ramiz Alisë që kërkonin të mbanin ende në këmbë komunizmin, dikush të veçohej dhe të komunikonte me Perëndimin. - Kemi dalë për të thërritur me të gjithë zërin se duam lirinë, se e duam Shqipërinë si gjithë Europa, na kanë vrarë dhe bile edhe këto ditë po vazhdojnë të na vrasin, na ndihmoni. Na ndihmoni! Help! Do të kishte qenë me të vërtetë diçka e magjishme, Europa dhe bota mbanë do të na kishte dëgjuar, ndoshta do të dërgoheshin copëza nga fjalimet që Doktori i ardhur nga Tirana mbante përpara turmave të etura për liri. Ndoshta mund të kishte qenë ndryshe, ndoshta nuk do të ishte ndjerë edhe ndjenja e braktisjes së vendit me Eksodin e madh të 1991. Ndoshta edhe ajo ikje në mars të vitit 1991 kishte të bënte me vetë komunikimin, t’i kumtohej botës mbarë se shqiptarët e duan lirinë, se zbrisnin me të vërtetë nga anijet të rraskapitur, të uritur por zbrisnin, (dhe ata mos të çuditeshin aspak), edhe me libra në dorë. Ikën shumë, shumë prej tyre ju kushtuan vazhdimit të studimeve, morën kulturën e perëndimit, kërkonin me idealet e tyre ta ndryshonin vendin e tyre të dashur dhe të shtrenjtë (Dhe u kthyen. Por. Ndonjë prej tyre, u kthye vërtet, por sot, komunikon me Perëndimin, pikërisht për ngjarjet e Kavajës së sotme, por duke shpifur për rrëmbimin e gruas të kryebashkiakut po të Kavajës, pra, duke nxirë imazhin e vendit të tij, me të paqena dhe shpifje nga më të urryerat).
Gjithsesi, shkruanim më lart, se në ato vite do të kishte qenë ndryshe sikur të kishte patur mënyra komunikime si këto të sotmet. Sepse sot, lajmi është i këtyre ditëve, me një valixhe normale me një laptop dhe celularë, të cilët janë në gjendje të kalojnë çdo lloj censure në regjimet ende të mbetura mbanë globit mund të rrëzohen diktatura shumëvjeçare. Ky është projekti që do të lindë me dëshirën edhe të presidentit Barack Obama i cili është quajtur “Operacioni internet i padukshëm” ose “Rrjeti-hije”. Thuhet se që prej luftës së ftohtë që Amerika nuk projektonte një sulm klandestin kaq ambicioz dhe me një rreze të gjerë. Këtë herë kjo nuk ka të bëjë me Cia-n, por, me disidentët paqedashës dhe të paarmatosur. Obama dhe Hillary Clinton duket se po e mbajnë premtimin për të përdorur teknologji të reja për të mbështetur lëvizjet e ndryshme në vendet diktatoriale dhe autoritare që fillojnë nga bota arabe tek militantët kinezë për të drejtat humane. Askush s’mund ta imagjinonte që pas deklaratave zyrtare të Uashingtonit po lëviznin mijëra ekspertë të teknologjisë, në gjendje që të montojnë që sot operacione të rafinuara anti-censurë. Një aleancë e shenjtë në emër të revoltave demokratike që bashkon Shtëpinë e Bardhë dhe një ushtri të rinjsh mjaft ekspertë të vetëdeklaruar si “lëvizja e teknologjive alternative”, deri dje më afër Julian Assange sesa qeverisë së Uashingtonit. Ky është lajmi i New York Times, pas muaj e muaj pune, me intervista të bëra me disa njerëz të afërt të Departamentit të Shtetit. Vetë Clinton ka konfirmuar këtë lajm në mënyrë indirekte në New York Times: “Gjithmonë dhe më të shumtë - thotë sekretarja e Shtetit- janë ata që përdorin në të gjithë botën internet, celularët dhe teknologjitë e tjera për t’ju dëgjuar zëri dhe duke protestuar kundër padrejtësive. Është një mundësi historike, një ndryshim pozitiv, që Amerika duhet të mbështesë. Prandaj jemi duke bërë të mundshmen për t’i ndihmuar që të komunikojnë mes tyre, dhe gjithë botës”. Qindra milionë dollarë janë lëvruar për financimin e versionit të përditësuar atë që ishte Zëri i Amerikës apo Radio “Evropa e Lirë” përpara rënies së murit të Berlinit. “Interneti i padukshëm” do hapë një hapësirë të re. Është një projekt nga më ambiciozët sepse do t’i devijojë serverat e Shteteve, pra internetin që përdoret çdo ditë, i cili mund edhe të manipulohet, të kontrollohet, dhe të mbyllet nga qeveritë autoritare. Duket se gjithçka nisi me luftën e Afganistanit, kur ishte i domosdoshëm pra, krijimi i rrjetit paralel, klandestin apo individual. Kështu ka nisur projekti i parë i rrjetit mobil alternativ, të padukshëm dhe të mbrojtur, me një buxhet prej 50 milionë dollarësh. Projekt ky që së fundmi u aplikua në “pranverën arabe”. Uashingtoni vëzhgonte sesi Hosni Mubaraku  hynte në aksion me një blackout të përgjithshëm të internetit, në ditët e fundit të diktaturës.
Fill pas saj armët e përdorura nga të rinjtë e Sheshit Tahrir, pra Facebook dhe Twitter, rrezikonin që mos të përdoreshin më. Dhe pikërisht aty Shtëpia e Bardhë dhe Departamenti i Shtetit ideuan atë që do të quhej prej New York Times si një “aleancë e diplomatëve, inxhinjerëve ushtarëkë, të rinjve  informaticien dhe disidentë nga shumë vende të ndryshme” për të bashkëpunuar për projektin e madh. Rrjeti hije kundër diktaturave. Disa e quajnë  edhe telefonia mobile fantazmë. Dhe është përdorur me sukses edhe në Siri dhe vende të tjera.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›