Ilir Meta dhe integriteti i Gjykatës së Lartë
Ish. zv/kryeministri e kreu i LSI-së Ilir Meta më në fund do të përballet me drejtësinë për video skandalin, ku ai shfaqet duke bërë afera korruptive në zyrën e ish-ministrit Dritan Prifti. Videoja ku ai shfaqej duke ofruar ryshfet për disa tendera e ndere të tjera ishte shkaku i shpërthimit të revoltës së opozitës më 21 janar. Zyra e shtypit të kësaj gjykate njoftoi se më datë 20 qershor, ora 11.00 në sallën e Kolegjeve të Bashkuara do të zhvillohet çështja penale në ngarkim të z.Ilir Meta me kërkesë të Prokurorisë së Përgjithshme. Në shkurt të këtij viti, prokuroria i kërkoi Kuvendit heqjen e imunitetit për deputetin Ilir Meta. 128 deputetë votuan pro heqjes së imunitetit duke i hapur rrugë prokurorisë, për hetimin e ish.zv/kryeministrit, i cili akuzohet për korrupsion aktiv. Gjykata e Lartë që ka në dorë çështjen është në një provë të vështirë për integritetin e saj pasi në video skandalin Ilir Meta përmend emrin e kryetares së kësaj Gjykate Shpresa Brecaj, duke thënë se i ka dërguar vajzën në ambasadë dhe i ka mirë punët me të. Megjithëse Brecaj pohoi që punësimi i së bijës në një nga ambasadat tona në vendet e BE-së është bërë sipas rregullave, vetë ajo është në konflikt interesi në këtë çështje delikate. Ilir Meta do të jetë kështu zyrtari i tretë i lartë i qeverisjes së Berishës që shkon para drejtësisë. Para tij më parë janë akuzuar nga prokuroria dhe u është hequr imuniteti nga Kuvendit Lulzim Bashës e Fatmir Mediut. Por asnjëri prej tyre nuk u dënua, por as nuk u shpallën fajtorë. Të dy e mbyllën llogarinë me gjyqësorin nëpërmjet procedurave. Gjyqësori shqiptar, i cilësuar nga raportet e huaja dhe nga sondazhet në vend si një nga institucionet më të korruptuara gjendet përballë provës së tretë, për të trajtuar një zyrtar e politikan njësoj si një qytetar të zakonshëm para ligjit. Pak vetë besojnë se do ia dalë të tregojë pavarësi dhe profesionalizëm në këtë sfidë. Siç është krijuar tashmë bindja tek shqiptarët se politikanët e zyrtarët shtetërore janë të fortët që nuk munden as nga ligji e as nga drejtësia. Vetëm dy vjet më parë ish-ministri i Transporteve Lulzim Basha që gjykohej për shpërdorim detyre në lidhje me dhënien e tenderave për ndërtimin e rrugës Durrës-Kukës, i zbriti shkallët e kësaj gjykate i buzëqeshur jo se ishte shpallur i pafajshëm por sepse kishte mbyllur gjyqin me procedura. Do jemi një popull me fat nëse Gjykata e Lartë e drejtuar nga Shpresa Brecaj të na tregojë të kundërtën me rastin e Ilir Metës.
