Dy të paraburgosur plagosin policin, i treti pret damarët
Vlorë
Ngjarjet ndodhën brenda pak orësh në të njëjtin ambient. Nisin hetimet
Mikel Marsi
Dy ngjarje të rënda kanë ndodhur në paraburgimin e Vlorës, ku në njërin rast është plagosur një punonjës policie nga dy të arrestuar dhe në tjetrin një i akuzuar për përdhunim ka tentuar vetëvrasjen, duke prerë damarët në duar dhe në afërsi të fytit. Ngjarja ka tronditur drejtuesit e paraburgimit të qytetit bregdetar, institucion që varet nga Ministria e Drejtësisë, ndërkohë që menjëherë kanë nisur hetimet për policët e sigurisë.
Plagosja e policit
Rasti i parë ka ndodhur pasditen e së hënës, kur dy persona të arrestuar për grabitje kanë filluar të zihen në qelinë e tyre. Sipas të dhënave, Erjon Bare dhe Xhevahir Deda, të dy 17-vjeçarë, njëri nga Vlora dhe tjetri nga Laçi, kanë filluar të zihen me njëri-tjetrin në qelinë e tyre. Në këtë kohë, policët e sigurisë së paraburgimit, u kanë tërhequr vëmendjen, por ata kanë filluar të shkatërrojnë dollapët që ndodheshin në dhomën e tyre, ndërkohë që më pas kanë bllokuar edhe derën e qelisë. Sipas të dhënave hetimore, derën e qelisë e kanë bllokuar me bishtin e fshesës, ndërkohë që mes tyre vazhdonte konflikti. Kështu, burimet nga paraburgimi shprehen se është dashur ndërhyra e forcave të sigurisë për të shpërthyer derën dhe më pas për të qetësuar dy të paraburgosurit. Por, në momentin e ndërhyrjes, ata kanë bërë rezistencë dhe të dy bashkë kanë qëlluar me bisht fshese punonjësin e policisë, Edlir Hoxha, duke i shkaktuar plagë të lehta. Më pas, situata është normalizuar, ndërkohë që menjëherë kanë nisur verifikimet për veprimet e kryera prej tyre dhe sesi mjeti i fortë kishte përfunduar në qelinë e tyre, me të cilin bllokuan derën. Nga të dhënat mësohet se të dy të rinjtë janë arrestuar për grabitje në periudha të ndryshme kohore.
Prerja e damarëve
Ngjarja e dytë ka ndodhur mesditën e djeshme. Sajmir Demaj, 22 vjeç, është gjetur nga gardianët e dhomave të paraburgimit në gjendje të rëndë shëndetësore. Menjëherë është thirrur mjeku i paraburgimit, i cili ka konstatuar se 22-vjeçari kishte prerë damarët e të dy duarve, si dhe kishte një prerje të lehtë në gjoks, pranë qafës. Prerja mendohet se është bërë me një pjesë brisku që është gjetur pranë trupit të tij, pavarësisht se këto mjete ndalohen në ambientet e paraburgimit. Menjëherë, ai është dërguar me urgjencë në spitalin rajonal për ti dhënë ndihmën e nevojshme mjekësore. Sapo ka mbërritur në spital, është dërguar në sallën e kirurgjisë ku është dashur më shumë se një orë që mjekët kanë ndërhyrë për qepjen e damarëve të duarve, si dhe të pjesës së prerë në kraharor, ku nga këto prerje 22-vjeçari ka humbur shumë gjak, që mjekët ia kanë zëvendësuar në mjekim e sipër. Sipas mjekëve, 22-vjeçari kishte prerje të thella në duar, si pasojë e prerjeve të damarëve, si dhe një prerje në gjoks afër qafës. Humbja e gjakut ka bërë që ai të humbasë ndjenjat, ndërkohë që pritet përmirësimi i gjendjes shëndetësore për të mësuar më shumë mbi këtë ngjarje të rëndë. I riu rezulton i arrestuar për përdhunimin e një të miture, ndërkohë që më parë është akuzuar për vjedhje, dhunë ndaj policisë dhe mbajtje lëndësh narkotike.
Hetimet në burg
Menjëherë pas kësaj ngjarjeje, në paraburgimin e Vlorës kanë nisur verifikimet për të dyja rastet e rënda, që kanë sjellë një situatë shqetësuese. Në të dyja rastet do të verifikohet kryerja e detyrës nga ana e personelit dhe sesi kanë hyrë mjetet e ndaluara brenda ambienteve të paraburgimit. Burimet nga paraburgimi bënë të ditur se në këto kushte do të merren në pyetje, drejtuesit e turneve, kur kanë ndodhur ngjarjet, por edhe punonjësit e tjerë të sigurisë. Ndërkaq, një fakt më i rëndë për këtë ngjarje përbën edhe brisku i përdorur nga 22-vjeçari, i cili mendohet se ka tentuar të vrasë veten. Ai e kreu këtë veprim, para se të dilte në ajrim dhe vetëm mungesa e tij ka sjellë dyshime te punonjësit e sigurisë për të verifikuar në qeli, ku e kanë gjetur duke dhënë shpirt.
Dy të paraburgosur plagosin policin, i treti pret damarët burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip