E Diel, 1 Nëntor 2026

Kukës: Gjendet në liqen trupi i gruas që humbi 6 muaj më parë

Gazeta Shqip

Familjarët identifikojnë Fllanzën nga këpucët e bardha

Sulejman Dida

Gjendet në liqenin e Fierzës, mbi lumin Drin, trupi i 38-vjeçares Fllanza Rexhmati, e cila u shpall e humbur në mars të këtij viti. Trupi i mbytur doli në sipërfaqe në rrjetat e një peshkatari, mëngjesin e së martës, ku pas identifikimit, i jepet fund një odiseje të vështirë, si për Policinë e Shtetit, ashtu edhe për familjen.

Gjetja e kufomës në ujë

Një peshkatar nga fshati Mamëz, një 40-vjeçar profesionist i kësaj fushe, ndërsa mblidhte rrjetën e hedhur natën e shkuar, në afërsi të urës së Drinit të Zi, rrëzë qytetit të Kukësit, ka trazuar trupin e një gruaje, e cila, siç kanë pohuar më pas familjarët, i përket Fllanza Rexhmatit, e zhdukur rreth 6 muaj më parë. Peshkatari nga Mamzi, i cili nuk ka dashur të identifikohet, ka thënë se ishte befasuar nga fakti se rrjeta kishte trazuar edhe trupin e një njeriu, gati totalisht të dekompozuar dhe ka njoftuar menjëherë policinë. Në vendngjarje ka shkuar me shpejtësi një grup i gatshëm i komisariatit të Kukësit, të cilët më pas kanë njoftuar edhe Prokurorinë e Krimeve të Rënda, si dhe ekspertë të kriminalistikës për të bërë identifikimin e kufomës.

Identifikimi

Duke u nisur nga një palë këpucë që viktima i ka pasur ende veshur, si dhe nga disa shenja të tjera, konkluzioni i parë ka qenë se trupi i përket seksit femër. Ndërsa, duke u nisur nga fakti që gjatë vitit të fundit Fllanza Rexhmati ka qenë e vetmja grua e shpallur e humbur, janë thirrur familjarët Rexhmati për të identifikuar viktimën. Burri i viktimës, G.Rexhmati si dhe djali i madh 15 vjeç, kanë identifikuar se kufoma i përket Fllanzës. Familjarët nuk kanë dashur të flasin për median, madje ata kanë kërkuar të mos filmohen, ndërsa nga burime konfidenciale mësohet se burri i viktimës ka thënë se është i pikëlluar për çfarë ka ndodhur, por të paktën tani ndihet i lehtësuar, që gjithsesi trupi i saj u gjet, duke mbyllur edhe spekulimet e panumërta lidhur më humbjen e saj.

Vetëmbytje

Nëpërmjet një komunikate të Drejtorisë së Policisë së Qarkut, konfirmohet fakti se kufoma e gruas u gjet rreth orës 07:00 nga një peshkatar. Menjëherë u informua grupi hetimor dhe pas këqyrjes së vendit të ngjarjes, kufoma u transportua në morgun e Spitalit Rajonal Kukës, ku nga këqyrja e jashtme e saj, nga veshjet, si dhe nga shenja të veçanta, u arrit të identifikohej nga familjarët si shtetasja Fllanza Rexhamati, vjeç 38. Sipas policisë, shtetasja e lartpërmendur figuronte e shpallur në kërkim për largim nga banesa, pasi, më datë, 15 mars 2012 rreth orës 13:30, është larguar nga banesa e saj në drejtim të paditur. Prokuroria e Krimeve të Rënda ka regjistruar procedimin penal për veprën penale të Rrëmbimit ose mbajtjes peng të personit. Në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Renda, si dhe me Institutin e Mjekësisë Ligjore në Tiranë, u kryen një sërë veprimesh hetimore, nga të cilat rezultoi se shkaqet e vdekjes së shtetases Fllanza Rexhmati, nuk kanë ardhur nga ushtrimi i dhunës apo e shkaqeve të tjera jonatyrore.

Zhdukja

38-vjeçarja Rexhmati, nënë e 4 fëmijëve, u zhduk nga shtëpia në datën 15 mars 2012 në rrethana shumë misterioze, duke lënë dyshime të ndryshme për adresën e saj dhe shkaqe për spekulime për largim nga banesa me dëshirë. Paraditen e asaj date, ajo ishte parë e shqetësuar nga komshinjtë, ndërsa në mesditë, kur ishte diktuar se mungon, policia kishte gjetur një thikë dhe njolla gjaku, për të cilat u tha, jo zyrtarisht, se kishte qenë gjak bagëtish. Familjarët patën pikasur edhe humbjen e më shumë se 3 milionë lekëve të vjetër, fakt i cili ka shërbyer për të motivuar një vetë sakrifikim apo vetëvrasje të gruas, por që më vonë doli se lekët u gjetën në një vend në shtëpi. Pas këtij fakti, spekulimet shkonin deri aty sa persona të identifikuar tregonin se e kanë parë diku në Bathore, në Tiranë, të tjerë thoshin se e kanë parë në Greqi, e kështu me radhë. Policia, paz zhdukjes, hetoi edhe pistën e mbytjes në liqen, madje organizoi kërkimin në bregun e liqenit për gjetjen e ndonjë shenje, por më kot. Gjetja e kufomës ka qenë krejt e rastësishme dhe ndodhi kur kërkimet për të ndoshta ishin arkivuar.

Hetimet

Pasi qëlloi me thikë veten, u hodh në liqen. Dyshonte për një sëmundje të keqe. Familjarët pranojnë ekspertizën

Ekspertiza: Gruaja është vetëmbytur, nuk ka asnjë shenjë dhune në trup  

Një grup hetimor, i përbërë nga prokurorë të Krimeve të Rënda dhe mjekoligjorë nga Tirana, ka kryer të gjitha ekzaminimet dhe ka dalë në konkluzionin se Fllanza Raxhmati është vetëmbytur. Për më shumë se tetë orë, grupi hetimor ka mbledhur të gjitha provat për Fllanzën, duke verifikuar të gjitha provat për këtë dosje, e cila u regjistrua si rrëmbim personi. Prokuroria e Kukësit kishte shpallur mos kompetencën për këtë çështje dhe ia delegonte Krimeve të Rënda, të cilët i fokusuan hetimet tek familjarët e saj dhe tek provat e gjetura në vendngjarje. Të gjithë familjarët janë pyetur dje në Policinë e Kukësit nga një grup hetimor, i kryesuar nga Prokurori Anton Martini. Sipas burimeve policore, familjarët kanë pohuar e Fllanza vuante prej kohësh nga depresioni. Ajo ka qenë operuar njëherë në Tiranë dhe dyshonte për një sëmundje të keqe. Madje, sipas dëshmive, Fllanza kishte probleme me mitrën, të cilën e kishte hequr dhe nga ai moment u thoshte të afërmve se nuk ndihem më grua. Megjithëse kishte katër fëmijë, ajo ka tentuar fillimisht të qëllojë veten me thikë dhe më pas është hedhur në liqen. Paralelisht me pyetjen e të afërmve, mjeko-ligjorët kanë këqyrur trupin e pajetë për ndonjë shenjë të mundshme dhune, pasi kishte dyshime se Fllanza mund të ishte dhunuar e më pas të ishte hedhur në liqen. Të gjithë treguesit sollën rezultatin se 38-vjeçarja është vetëmbytur. Ajo është gjetur me të njëjtat rroba që kishte veshur ditën që u zhduk. Nuk kishte asnjë shenjë në trup dhe kokë pohojnë burimet nga policia, të cilat saktësojnë se kishte vetëm shenja karakteristike të mbytjes.

Familjarët, mund të jetë vetëmbytur

Të pikëlluar për humbjen e zonjës së shtëpisë, familjarët, nga njëra anë, kanë pohuar se janë lehtësuar disi, pasi gjetja e trupit të viktimës i jep fund kërkimit nëpër vende të ndryshme, me njerëz e me media. Në shtëpi kanë nisur mortin, sipas zakonit, dhe sapo ekspertët e mjekësisë ligjore dhe kriminalistikës të mbarojnë punë, trupi i gruas do të varroset sipas traditës. Njerëzit e saj kanë ruajtur distancë me median dhe ndonjë qëndrim të tyre e mësojmë vetëm nga bisedat që ka bërë policia me ta. Burri i viktimës, G.Rexhamti, ka thënë se gruaja e tij vuante nga depresioni dhe ka shumë të ngjarë që të jetë mbytur vetë. Merrte ilaçe antidepresivë dhe besoj se është vetëmbytur, ka thanë në bisedat me policinë bashkëshorti i saj. Ai ka shtuar edhe faktin e humbjes fillimisht të 3.5 milionë lekëve në shtëpi, të cilat më pas u gjetën, por që ishte në fillim një alibi e fortë për vetëmbytjen. Gruaja mund të ketë humbur lekët dhe nga frika ka mbytur veten, u tha në fillim, kurse, pasi u gjetën lekët përsëri, mbetej si alibi, ajo ka ngatërruar vendndodhjen e lekëve duke menduar se i ka humbur dhe për këtë ka vrarë veten.

Hetimet

Çështje të pazbuluara në Kukës

Gruaja e humbur ishte një nga tri çështjet shumë të bujshme për policinë lokale të Kukësit, pas Bleona Matës, fëmijës 6 vjeçe nga Zapodi, ndodhur dy vite më parë, s

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›