Taçi zgjidh problemet me azerbajxhanasit jashtë gjyqit
Avokatja Erinda Ballanca: Padia mund të ringrihet sërish nëse nuk zbatohet marrëveshja
Gjykata e Tiranës ka pushuar padinë e Bankës Ndërkombëtare të Azerbajxhanit, e cila kërkonte nga kompanitë e biznesmenit Rezart Taçi një shumë prej 75 milionë eurosh. Seanca e djeshme gjyqësore, me palë të paditur azerbajxhanasit dhe i paditur biznesmeni Taçi, si palë e tretë banka Credins, është zhvilluar dje në gjykatë, ku të pranishëm kanë qenë avokatët e biznesmenit dhe të bankës, ndërsa pala paditëse, nuk ka qenë e pranishme. E kontaktuar në telefon, avokatja Erinda Ballanca, që mbron interesat ligjore të Bankës Ndërkombëtare të Azerbajxhanit, tha për gazetën Shqip se palët në këtë proces gjyqësor e kanë zgjidhur këtë problem me një marrëveshje jashtëgjyqësore. Sipas saj, pas zgjidhjes së problemit, nuk është paraqitur në seancën gjyqësore, duke sjellë rrjedhimisht pushimin e padisë. Pushimi i çështjes është i barasvlershëm me mosdorëzimin e padisë. Pra jemi në pikën zero, ku palët kanë zgjidhur problemin dhe ne vendosëm, në këtë moment, që të mos marrim pjesë në seancë, pohoi Balanca, duke shtuar se klientëve të saj u lind e drejta të bëjnë sërish padinë, nëse mes palëve nuk zbatohet marrëveshja aktuale. Nëse jemi në të njëjta kushte, atëherë Banka Ndërkombëtare e Azerbajxhanit, mund të ngrejë sërish padi, gjithmonë nëse çështja nuk është parashkruar, pohon avokatja, ndërsa thekson se parashkrimi i çështjeve tregtare ka një afat 10-vjeçar.
Sipas Gjykatës së Tiranës, Banka Ndërkombëtare e Azerbajxhanit paditi shoqërinë ARMO sh.a., shoqërinë Anika Mercuria Refinery Associated Oil sh.a. (AMRA Oil) dhe Shoqërinë Banka Credins sh.a. Sipas të dhënave zyrtare nga Gjykata e Tiranës, paditësi kërkoi kthimin e shumës së parave prej 75 milionë eurosh, detyrim i palëve të paditura për të shpërblyer dëmin e shkaktuar nga mospërmbushja në kohë e detyrimit. Nga padia mësohet se kemi të bëjmë me mosrespektimin e kontratës bankare, objekt i një urdhri ekzekutimi të dalë më parë për sekuestro të tri kompanive, po nga Gjykata e Tiranës. Bëhet fjalë për vendosjen e sekuestros, sipas kërkesës së bërë nga Banka Ndërkombëtare e Azerbajxhanit, (International Bank of Azerbajixhan, I.B.A), e cila ka provuar me fakte para gjykatës se për të realizuar investime në Shqipëri, në nëntor të vitit 2008 ka depozituar në bankën Credins 75 milionë euro. Mësohet se shuma e përmendur më sipër është depozituar në tre këste. Kësti i parë është depozituar më datë 18 nëntor 2008, në shumën 30 milionë euro, kësti i dytë është depozituar më datë 19 nëntor 2008, në masën 40 milionë euro dhe kësti i fundit, më datë 21 nëntor i të njëjtit vit, në shumën 5 milionë euro. Gjatë kohës në të cilën është kryer transferta bankare, AMRA Oil kishte fituar tenderin për shitjen e 85% të aksioneve të shoqërisë ARMO sh.a. dhe ishte në proces të përmbylljes së kontratës dhe kryerjes së pagesës. Në këtë periudhë, këto fonde ishin të domosdoshme për të realizuar blerjen e 85% të aksioneve të shoqërisë. Në kushtet kur I.B.A nuk arriti të kryente investime, aktivitet në Shqipëri, ose të kishte pjesëmarrje në shoqëri të tjera, kërkoi nga banka dhe shoqëria Amra Oil sh.a, rikthimin e shumës prej 75 milionë eurosh të depozituar. Kjo e fundit në datë 15.07.2010, i kthen bankës IBA një shumë prej 1.5 milionë euro, e cila është dhe shuma e vetme e kthyer deri tani palës kërkuese. Në këto kushte IBA kërkoi kthimin e menjëhershëm të të gjithë vlerës së detyrimit, së bashku me interesat dhe fitimin e munguar, në vlerën totale prej 115 milionë eurosh. Në mungesë të një përgjigjeje zyrtare nga debitorët, IBA i është drejtuar Gjykatës së Tiranës me kërkesën për Marrjen e Masës së sigurimit të padisë. Megjithatë, një lëvizje e ditëve të fundit, ka sjellë zgjidhjen e problemit në mënyrë jashtëgjyqësore, ndërsa Gjykata e Tiranës pritet të bëjë zhbllokimin e të gjithë shumës së sekuestruar.
Taçi zgjidh problemet me azerbajxhanasit jashtë gjyqit burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip