E Shtunë, 31 Tetor 2026

Feith: Kosova ka nevojë për një lidership më të përgjegjshëm

Kosovë- Kreu i Zyrës Civile Ndërkombëtare (ICO) në Kosovë, Pieter Feith, ka deklaruar se vendit nuk i duhen administrator nga BE- ja, por të ketë politikanë dhe krerë komunash më të përgjegjshëm dhe ta ushtrojë detyrën e tyre sipas standarteve.

Duke folur në një intervistë për Kohën Ditore, ai është shprehur se ndërkombëtarët do të vijojnë mbështetjen për zbatimin e planit të Ahtisarit, por nuk mund të luajën rolin e lidershipit kosovar.

Politikanët duhet të kuptojnë se kanë përgjegjësi, për shkak se marrin besimin nga votuesit. Ata duhet të kenë përgjegjësi për ruajtjen e standardeve të veprimit të pastër dhe moralisht të pranueshëm. Kjo është diçka në të cilën bashkësia ndërkombëtare mund të ndihmojë, por nuk mund të marrë përsipër angazhimin. Nuk mund ti zëvendësojmë liderët vendorë politik,- ka thënë Feith.
Ai ka theksuar se komuniteti ndërkombëtar ka bërë mjaft për të promovuar standardet e qeverisjes së mirë, dhe se nuk mund të bëj më shumë se kaq.

Sipas tij, përgjegjësia për gjendjen aktuale në Kosovë nuk duhet ti vishet vetëm bashkësisë ndërkombëtare. Duhet përmirësuar një numër gjërash në shoqëri, vlerat, parimet, qëndrimet dhe standardet etike të qeverisjes… Duhet lidership më i përgjegjshëm, ka shtuar diplomati holandez.

Më tej ai ka pohuar për Kohën Ditore se kundërshtimi dhe sfidimi i pavarësisë nga Serbia ka penguar një mori procesesh dhe ia ka vështirësuar Qeverisë së Kosovës që të koncentrohet në reformat e brendshme. Marrë në përgjithësi, Feith është shprehur i kënaqur me arritjet e Kosovës dhe zbatimin e Planit të Ahtisaarit. Feith ka pranuar si dëshpëruese faktin që nuk është arritur më shumë përparim në veri, ndërkohë që si dëshpërim tjetër ka përmendur mos përmirësimin e situatës socio-ekonomike në nivel vendi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›