Dy të plagosur në fshatin e Kryeministrit

Dy të plagosur rëndë dhe një tjetër i lënduar lehtë, është bilanci i një mosmarrëveshje qe ka përfunduar me përleshje, siç u tha për në çështje pronësore, qe ka ndodhur në Burojë të Skënderajt, të hënën pasdite.
Sipas burimeve spitalore në Skenderaj, Xhevat Jashari (1960) nga Buroja është plagosur me armë zjarri në ekstremitete, kurse Gentrit Seferi (1993) është plagosur në kokë me mjet të mprehtë, që besohet të ketë qenë thikë, derisa babai i këtij të fundit, Mustafë Seferi (1962), ka pasur disa lëndime trupore. Arton Shala, mjek kujdestar, ka treguar se të gjithë pjesëmarrësit e kësaj përleshje janë dërguar për trajtim në QKUK në Prishtinë. “Xhevati është plagosur me armë zjarri. Ai ka pësuar frakturë në ekstremitetet e poshtme dhe ka humbur shumë gjak. Gentriti ka marrë plagë në regjionin e kokës me mjete të mprehta dhe me mjete të forta, dhe që të dy kanë plagë serioze. Ndërkaq, Mustafa ka vetëm ndrydhje”, ka përshkruar gjendjen e viktimave, Shala.
Sipas burimeve nga fshati, e tëra kishte filluar me rrahje e mandej janë përdorur edhe armët e ftohta dhe të nxehta, kurse motivet supozohet të jenë mosmarrëveshjet pronësore. Policia në Skenderaj e ka konfirmuar rastin.
Buroja, është fshati i lindjes së Kryeministrti i Kosovës Hashim Thaçi./Indeksonline./