Dy të rinj përplasen me armë, plumbi kap fëmijën që luante
Një fëmijë plagoset me pistoletë teksa luante shkujdesur para pallatit të banimit, ndërsa policia vë në pranga dy të rinj dhe vihet në kërkim të një të treti. Juxher Krasniqi ka qenë duke luajtur para pallatit nr. 1018 në një nga lagjet e qytetit bregdetar, kur një e shtënë arme ka jehuar në zonë dhe një plumb i ka përshkuar pjesën e sipërme të kofshës, duke i rrezikuar seriozisht jetën. Juxheri 10-vjeçar ndodhet në spitalin e Durrësit dhe mjekët thonë se pas ndërhyrjes kirurgjikale ai është jashtë rrezikut për jetën. Një plumb i destinuar në shenjë hakmarrjeje ndaj një të riu nga Durrësi, me banim në lagjen periferike të Spitallës, ka mbetur në trupin e vogëlushit. Ngjarja i ka terrorizuar të gjithë qytetarët dhe banorët e lagjes, që si zakonisht kalojnë orët e vona të netëve verore në sheshet para pallateve. Ngjarja e rëndë ndodhi natën e vonë të së hënës, në Lagjen 18 të qytetit, afër stadiumit "Niko Dovana". Pasditen e së martës, shërbimet e policisë bënë të mundur kapjen dhe ndalimin e dy prej të rinjve të përfshirë në përplasjen me armë zjarri. Fillimisht është ndaluar shtetasi Denis Hoxha, 27 vjeç, banor i Lagjes 18, ndërsa vazhdon të jetë në kërkim shoku i tij, Sajmir Myftari, 26 vjeç, banor i së njëjtës lagje. Nga marrja në pyetje e Hoxhës ka rezultuar se ata i janë kundërpërgjigjur personit tjetër të përfshirë në sherr me ta. Deklarimi në polici i Hoxhës se edhe Briken Shkoza, 22 vjeç nga Spitalla, ka pasur armë zjarri me vete, ka bërë që të kërkohet edhe ndalimi i tij, deri në sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes. Ka qenë Shkoza që ka akuzuar konkretisht Myftarin dhe Hoxhën për tentativë vrasjeje, ndërkohë që dje pasdite prangat janë shtrënguar edhe në duart e tij. Juxher Krasniqi po luante me shokët kur u godit nga plumbi që për pak sa nuk i preku njërën nga veshkat. Ndërkohë, grupi hetimor që shkoi menjëherë në vendin e ngjarjes, nga veprimet e para hetimore ka nxjerrë se Sajmir Myftari, 26 vjeç, në bashkëpunim me shokun e tij të lagjes, 27- vjeçarin Denis Hoxha, kanë tentuar të vrasin me armë zjarri 22-vjeçarin Briken Shkoza, banor i Lagjes 15 të qytetit. Si pasojë, në ngjarje mbeti i plagosur 10-vjeçari, që ndodhej në vendin e gabuar dhe në kohën e gabuar, ndonëse ai aty banon. Në vendngjarje u gjet një gëzhojë arme e kalibrit 9 mm dhe një plumb i po këtij kalibri. Ndaj Myftarit dhe Hoxhës policia shpalli kërkimin për "vrasje me dashje të mbetur në tentativë në bashkëpunim" dhe për "mbajtje armësh dhe municionesh luftarake pa leje". Burime të policisë së Durrësit thanë se Hoxha ka deklaruar se ai me Myftarin, pas një sherri për motive banale, kanë reaguar në shenjë vetëmbrojtjeje, pasi kanë parë se Shkoza kishte armë zjarri me vete. Sipas tij, nëse ata nuk vepronin, do të ishte 22-vjeçari që do qëllonte mbi ta. Ndalimi i Shkozës u bë nën akuzën e "konsumimit të veprës penale të mbajtjes së armëve pa leje", ndërkohë që policia vazhdon punën për kapjen e personit tjetër të përfshirë në këtë ngjarje të rëndë.