E Diel, 1 Nëntor 2026

Fushata, Berisha takon biznesin: Kemi nevojë për 50 miliardë euro

U desh fillimi i fushatës elektorale që Kryeministri Sali Berisha dhe ministrat e tij të marrin në konsideratë qëndrimet e biznesit. Nisur nga nevoja që ka sot komuniteti i biznesit për më shumë lehtësi fiskale, u gjet rasti i Forumit Ekonomik, që të bëhen premtimet e radhës. Kryeministri kërkoi nga biznesi mbështetje me votë në këmbim të uljes së taksave. Duke folur për investimet, Berisha tha se Shqipëria ka nevojë për rreth 50 miliardë euro që të marrë veten plotësisht, ndërsa sa i takon krizës, Kryeministri theksoi se "jemi larg efekteve negative". Forumi Ekonomik, organizuar nga Ministria e Ekonomisë dhe shoqatat e biznesit, shërbeu si mjetin e duhur që Berisha të shpaloste strategjinë e ardhshme 4-vjeçare të politikave fiskale. Në takimin e zhvilluar dje, fill pas inaugurimit të Qendrës Kombëtare të Licencimit, Kryeministri nuk harroi të sulmonte kryetarin e Bashkisë së Tiranës, për lejet e ndërtimit.

Si fillim, Berisha e nisi me ligjin "Për Gjykatën Administrative", duke premtuar që në ditën e parë pas ardhjes në pushtet. Më pas, kreu i qeverisë u ndal te konkurrenca në treg, duke thënë se do të punohet me përkushtim të madh për të ngritur lirinë e konkurrencës. "Mendoj të kontraktoj një kompani dhe kam filluar përpjekjet për të kontaktuar "babanë" e kësaj doktrine, profesorin e Harvardit, Paul. Janë në investim e sipër apo do të investohen 15 miliardë euro, por Shqipëria ka nevojë për 50 miliardë euro", tha Berisha.

Sa u takon taksave, Kryeministri pranoi rishikimin e tyre, mbi baza preferenciale. "Parqet industriale detyrimisht do të jenë zona të sistemit të veçantë. Investimet në shëndetësi, investimet në arsim do të jenë të çliruara nga një seri taksash", nënvizoi kreu i qeverisë. Duke folur për krizën financiare në botë, Berisha pranoi se janë evidentuar disa efekte. "Megjithatë, jemi shumë larg vendeve në krizë për sa i përket aspektit të krizës", tha Berisha, duke shtuar se, kemi rënie të eksporteve nga 5-8%, por që nuk kanë dhënë ndikim në buxhet. Sipas tij, pavarësisht krizës, qeveria do të vijojë me uljen e taksave. "Për sa kohë ju të votoni këtë forcë politike, PD do të mbetet forcë e qëllimit të taksave më të ulëta në Evropë, forcë e qëllimit barra burokratike më e lehtë në BE", shtoi në fund Kryeministri.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›