E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dyert e hapura

Komuniteti sportiv në Kosovë po ndihet i lënë pas dore nga ana e Qeverisë së Kosovës, e veçmas që nga shpallja e pavarësisë së vendit më 17 shkurt të vitit 2008.

Që nga ajo kohë, shumica e federatave sportive kosovare kanë aplikuar nga disa herë për inkuadrim në federatat përkatëse ndërkombëtare, por vazhdimisht janë refuzuar nga këto të fundit, kryesisht me arsyetimin se Kosova nuk është anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB).

Pasi merrnin këtë përgjigje negative, drejtuesit e federatave sportive kosovare kanë thënë, dhe vazhdojnë të thonë edhe sot, se procesi i ndërkombëtarizimit të sportit kosovar është tejet i politizuar.

Si pasojë e kësaj, udhëheqësit e federatave kosovare vazhdojnë të thonë se pa u futur institucionet më të larta të shtetit në këtë proces nuk do të ketë ndërkombëtarizim të sportit kosovar.

Ata thonë se institucionet qendrore të vendit deri më tani i kanë mbajtur duart kryq karshi ndërkombëtarizimit të sportit, ndonëse, sipas tyre, duhet të bëhet krejtësisht e kundërta.

Madje nuk janë të vetmit krerët e federatave kosovare ata që kërkojnë ndihmë nga institucionet më të larta shtetërore, e veçmas nga qeveria, në rrugën drejt ndërkombëtarizimit të sportit.

I fundit që ua bëri një thirrje të tillë liderëve politikë të vendit ishte boksieri i njohur kosovar, Luan Krasniqi, i cili po lobon rreth inkuadrimit të Federatës së Boksit të Kosovës në Federatën Botërore të Boksit. Para pak ditëve, Krasniqi ishte në Prishtinë, ku tha se politika kosovare duhet ta merr më seriozisht çështjen e ndërkombëtarizimit.

Në anën tjetër, zyrtarët qeveritarë thonë të kundërtën. Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Memli Krasniqi, thotë se ky institucion ka pasur vazhdimisht koordinim me drejtuesit e sportit kosovar rreth çështjes së ndërkombëtarizimit.

“Qeveria e Kosovës ka pas një partneritet me përfaqësuesit e sportit të Kosovës sa i përket çështjes së ndërkombëtarizimit të sportit. Dihet se u pat krijuar një grup që do të merrej me ndërkombëtarizimin e sportit, në të cilin grup u patën përfshirë zyrtarë të federatave dhe njerëz të ndryshëm të sportit, por edhe përfaqësues të ministrisë përkatëse”, deklaroi Krasniqi për Express të enjten.

“Ju e dini se qeveria si e tillë e ka ministrinë e vet, e cila merret me sport, pra Ministrinë e Sportit. Në këtë drejtim, dikasteri përkatës ka pasur një bashkëpunim dhe koordinim me federatat sportive dhe me organizatat e tjera sportive për çështjen e ndërkombëtarizimit”, shtoi ai.

Krasniqi tha se qeveria është e vetëdijshme se procesi i ndërkombëtarizimit të sportit kosovar është i politizuar, por ai pohoi se nuk varet nga qeveria e vendit zgjidhja e këtij problemi.

“Është e vërtetë se kjo është çështje politike. Por, ato probleme nuk janë probleme të cilat janë të zgjidhshme prej vullnetit të Qeverisë së Kosovës. Vullneti ekziston për me ndodh ajo, por nuk është ajo që me një angazhim shtesë do të zgjidhej një problem i tillë”, tha Krasniqi.

Ai tregoi se para pak javësh zyrtarë të qeverisë, në koordinim me përfaqësues të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës dhe me përfaqësues të Federatës së Basketbollit të Kosovës, kanë pasur një takim me ambasadorët e huaj të akredituar në Kosovë, prej shteteve të të cilëve kanë kërkuar ndihmë rreth ndërkombëtarizimit të sportit kosovar.

Krasniqi premtoi se qeveria do të vazhdojë të veprojë njëjtë edhe në të ardhmen. “Forma të tilla të koordinimit dhe ndihmës ekzistojnë dhe normalisht që do të ekzistojnë edhe në të ardhmen. Në çdo moment aty ku federatat sportive kërkojnë një ndihmë konkrete, ne kemi qenë dhe do të jemi të hapur për ndihmë”, potencoi Krasniqi.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›