E Diel, 1 Nëntor 2026

Zeqo i kënaqur me lojën dhe rezultatin: Nëse dalim në finale, kupa e jona

Presidenti i Skënderbeut fajëson median për numrin e pakët të tifozëve, ndërsa parashikon një ndeshje më të fortë në ndeshjen e kthimit

Ka fituar ekipi që financon dhe natyrisht që ka qenë i kënaqur, por ka patur një peng, atë të tifozëve, që duhet thënë që dje kanë qenë të paktën në numër, ndryshe nga herët e tjera. Dhe për këtë numri një i Skënderbeut , Agim Zeqo, fajëson së pari median, të cilët i kanë cilësuar ndeshjet e korçarëve jo reale. Sa i përket ndeshjes së djeshme, Zeqo ka qenë i kënaqur si nga rezultati, edhe nga loja.

Ai ka pohuar se shanset për të shkuar në 4-1 ishin. Vetëm me atë rezultat ai thotë se do të ishin të kualifikuar, ndërsa tani do tu duhet të luftojnë edhe në Krujë për të dalë në finale. Nëse dalim në finale, kupa është e Skënderbeut, ka thënë mes të tjerash në intervistën e tij dhënë për Sportin shqiptar, presidenti i Skënderbeut, Agim Zeqo.

Zoti Zeqo, si e vlerësoni fitoren e sotme të Skënderbeut, a u kënaqët?

- Përpara se si përgjigjesha pyetjes tuaj, do të thoja se sulmet e medias ndaj Skënderbeut, nuk kanë bërë asgjë tjetër, veçse ia ka arritur qëllimit për të larguar tifozët nga shkallët e stadiumit. Pra, i vetmi dëm që keni bërë, jo ne, as ekipit, as mua personalisht, por i keni bërë dëm futbollit. Ne sot kemi luajtur dhe fituar ndaj një ekipi, i cili për mendimin tim është një ndër 2-3 ekipet më të mirë të kampionatit dhe nuk e meriton pozicionin që ka në renditje.

Për mendimin tim, Kastrioti është një ekip më i mirë se Teuta dhe Tirana, bën një lojë teknike. Krutanët sot (dje) na vunë në vështirësi, pasi për fatin tonë të keq, sapo ne kaluam në avantazh, ata menjëherë na barazuan. Por për meritën tonë dhe goditjen e bukur nga larg të Radasit, menjëherë e përmbysëm rezultatin dhe kaluam në epërsi.

Pastaj, në pjesën e dytë, pas golit të tretë dhe të qetësisë për ekipin tonë, ne ndryshuam taktikën e veprimeve tona për të administruar rezultatin, por edhe për ti thelluar shifrat nëpërmjet kundërsulmit. Dhe sipas meje, ndoshta duhet të kishim shënuar përsëri një gol të katërt, por edhe të pestë.

- Në fitoren e sotme ndaj Kastriotit, kush ju kënaqi më shumë, loja apo rezultati?

- Që të dyja më kënaqën. Loja më kënaqi shumë, pasi mundësitë u krijuan që ndeshja të përfundonte edhe 4-1, një rezultat ky që mund të na e kishte siguruar qysh në Korçë kualifikimin për në finalen e Kupës së Shqipërisë. Jo se shifrat 3-1 nuk janë të pëlqyeshme, ato të japin një lloj sigurie, por prap se prap gjithçka duhet konsideruar e hapur për ndeshjen e kthimit.

4-1 do të ishte i përfunduar dhe do të na krijonte edhe një ndjenjë psikologjike më të shëndetshme, qoftë për ne, por edhe dëshpëruese për kundërshtarin. Ne mund të ti kishim shënuar këto gola, por në futboll kështu është. Po të kishim patur pak më tepër fat, do të kishim mundur edhe Teutën.

- Si e mendoni ndeshjen e kthimit në Krujë?

- Për ndeshjen e kthimit do të mendojmë kur ti vijë radha, pasi përpara kemi dy ndeshje mjaft të vështira në kampionat, siç është ndeshja në Krujë këtë të diel po ndaj Kastriotit, por kësaj here për kampionat, si dhe ndeshja e mëpastajme ndaj Tiranës në Korçë.

Duhet të mendojmë fillimisht për to, pastaj për ndeshjen e kthimit të gjysmëfinales së Kupës së Shqipërisë. Të përqendrohemi në këto dy ndeshje që të japim maksimumin dhe të marrim prej tyre po maksimumin e mundshëm që të jemi të qetë në ndeshjen e kthimit të Kupës.

- Vazhdoni të mendoni dhe të deklaroni se Skënderbeu do ta fitojë titullin kampion?

- Ne kemi hyrë në garë me këtë mendim dhe do të bëjmë maksimumin që ta mbrojmë titullin kampion.

- Atëherë, po Kupën e Shqipërisë kush do ta fitojë?

- Kupa është e hapur, por Skënderbeu po doli në finale, me 100 përqind që do ta fitojë.

- Si po dolëm në finale?

- Po dolëm në finale, sepse kemi përpara Kastriotin.

- Keni dyshime?

- Jo, nuk kemi dyshime, por futboll është. Nëse ndeshja do të kishte përfunduar 4-1, ndeshja e kthimit do të ishte thuajse formalitet, me 3-1 me kemi siguruar thuajse 70 përqind të kualikimit për finale dhe 30 përqindshi në futboll nuk është pak.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›