Dynden pushuesit në plazhe, del në pah problematika
Durrës
Mungesa e nyjeve hidrosanitare publike nuk ka marrë zgjidhje as në këtë prag sezoni
Temperaturat e larta dhe fundjava kanë sjellë dyndje të pushuesve nga Durrësi, Tirana, Kosova dhe Maqedonia drejt plazheve të Adriatikut. Që në orët e para të mëngjesit, trafiku në rrugën e plazhit ka qenë i mbingarkuar, ndërsa përgjatë vijës bregdetare gjurmët e dimrit janë ende të dukshme. Bizneset kanë nisur të sistemojnë me shpejtësi brezin ranor të destinuar, si çdo herë, për plazhe private, një pjesë e të cilave është vënë në punë, ndonëse pushteti lokal nuk ka dhënë ende asnjë leje për këtë sezon turistik.
Po ndonëse jemi në muajin maj, ende asnjë investim publik nuk është ndërmarrë në prag të fillimit të sezonit. Ndryshimi i menjëhershëm i kushteve atmosferike ka rinxjerrë në pah situatën kritike që rrezikon të diktojë një sezon turistik që lë të pakënaqur pushuesit e shumtë që frekuentojnë këtë pjesë të Adriatikut. Ky vit vazhdon të mbartë problematikën e qytetit bregdetar e turistik, e cila po kthehet në një precedent të rrezikshëm prej disa vitesh: Durrësi akoma nuk ka një buxhet të miratuar edhe pse është muaji maj. Megjithëse u vu në funksionim impianti i ujërave të zeza dhe deklarohet drejt përfundimit sistemi i kanalizimeve të tyre, mungesa e nyjeve hidrosanitare publike nuk ka marrë zgjidhje as në këtë prag sezoni. Punonjësit e ndërmarrjes komunale të plazhit mjaftohen nën ritmin e ngadaltë të punës së përditshme për pastrimin e plazhit dhe mbledhjen e mbeturinave urbane në një zonë tepër të ngarkuar në numër banorësh, por edhe pushuesish. Është fundjava e parë e majit dhe as paketa fiskale e vitit 2013 nuk është miratuar dhe as buxheti i Bashkisë së Durrësit nuk është paraqitur për diskutim e miratim në Këshillin Bashkiak. Bashkia duhet të bëjë dhe hartimin e buxhetit mbi bazën e paketës fiskale. Ndërsa një vit më parë paketa fiskale u miratua në janar, këtë vit ajo është larg miratimit, ndonëse me aleancën e re PS-LSI, në Durrës shumicën e Këshillit Bashkiak nuk e zotërojnë më të djathtët, po të majtët. Kjo situatë ofrohet rishtas nga të zgjedhurit vendorë si një pengesë për moslëvrim fondesh për vendosjen e banjave dhe dusheve publike. Mungesa e tyre detyron një pjesë të mirë të pushuesve që ti kryejnë nevojat e tyre fiziologjike në Adriatik. Vali Qyrfyçi
Dynden pushuesit në plazhe, del në pah problematika burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email