E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dyshim për Dallavere

Një CT, fjala e fundit e teknologjisë, i cili ka një defekt të shkaktuar nga rryma, ka kohë që nuk përdoret.

Në Institutin Onkologjik të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, ndodhet kjo CT me 64 prerje, riparimi i së cilës kushton vetëm 35 mijë euro.

Por, në vend të kësaj, drejtuesit e QKUK-së, parapëlqejnë të riparojnë dy CT të tjera, në vlerë prej 260 mijë eurosh. Në fakt, riparimi i dy CT-ve të tjera që ndodhen në Radiologji, është kërkuar të bëhet edhe në kohën kur drejtor i QKUK-së ishte Jusuf Ulaj. Por ky nuk kishte pranuar që kjo të ndodhë.

Arsyetimi i tij kishte qenë se riparimi për 260 mijë euro i këtyre dy CT-ve nuk ia vlen.

“Unë nuk e kam aprovuar një gjë të tillë për shkak se ka qenë e disfavorshme ekonomikisht për QKUK-në të investojë në aparate që janë shumë të vjetra”, thotë ish-drejtori Ulaj për Express.

Shkaku që e ka shtyrë atë të refuzojë kërkesën për riparim, është edhe një fakt tjetër.

“Edhe Spitali i Shkupit ka poseduar disa CT të tilla, të cilat i ka përdorur për 15 vjet, por i ka hedhur, sepse janë shpenzuar shumë të holla për riparim, me të cilat lirisht do të mund të bliheshin edhe dy CT të reja”, shpjegon Jusuf Ulaj.

Ai tregon se gjatë kohës sa ka qenë drejtor, i ka bërë një kërkesë Ministrisë së Shëndetësisë që të bëhet një riparim i CT-së. Por jo i këtyre të dyjave për të cilat pritet të shpenzohen 260 mijë euro, por për atë që ndodhet në Institutin Onkologjik, e që rregullimi i saj kushton vetëm 35 mijë euro.

“E kam dërguar në Ministrinë e Shëndetësisë një kërkesë që të bëhet riparimi i CT-së, e cila është në Klinikën Onkologjike, sepse kam menduar që CT-ja e cila është në atë institut, duhet të funksionalizohet. Ajo ka qenë e re dhe e teknologjisë së fundit”, thotë Ulaj, duke shpjeguar se në atë kohë, Ministria nuk ia ka dhënë ato para.

“CT-ja e cila nuk është shfrytëzuar asnjëherë, përveç për punë provuese, është në Institutin Onkologjik, i cili ndodhet i mbyllur nga viti 2004, kur ka filluar renovimi i tij”, shprehet ish-drejtori Ulaj.

Sipas tij, menaxhmenti i QKUK-së duhet të ketë një arsyetim të fortë, për t’i shpenzuar gjithë ato para në këto CT të vjetra.

Por, ndryshe mendon Arben Kutllovci, shef i Qendrës Diagnostrike në repartin e Radiologjisë në QKUK. Sipas tij, CT-ja, riparimi i së cilës kushton 35 mijë euro, është në procedurë për riparim. “CT-ja e Onkologjisë është në procedurë për riparim... por procedura e prokurimit te ne është shumë e gjatë, merr shumë kohë”, thotë Kutllovci për Express.

Sa i përket njërës CT, e cila ndodhet në repartin e Radiologjisë, Kutllovci thotë se vetë e ka bërë kërkesën për riparim.

“Në këtë post jam që një muaj. Personalisht e kam bërë kërkesën për riparim të njërës CT që ndodhet në Radiologji. Kemi shumë pacientë dhe nuk mund t’i mbulojmë vetëm me një CT”, shpjegon Kutllovci.

Por ish-drejtori Jusuf Ulaj thotë se Arben Kutllovci, shef aktual i Qendrës Diagnostike, është përfaqësues për Kosovë i “Shimacu-Siemensit”, kompani e cila i bën riparimet e këtyre CT-ve. Ndërkohë, një gjë të tillë e mohon Arben Kutllovci.

“Para se të zgjidhem në këtë post, kam qenë pronar i një kompanie të medikamenteve, kurse përfaqësuesit e “Siemensit” i kam miq shumë të mirë, një gjë e tillë nuk është aspak e vërtetë”, thotë ai.

Për riparimin e dy skanerëve që ndodhen në Klinikën e Radiologjisë dhe në atë të Neurologjisë, pritet të investohen 260 mijë euro. Ajo e reja, në Onkologji, mbetet jashtë funksionit vetëm për 35 mijë euro.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›