E Shtunë, 31 Tetor 2026

Seancë për Albin Kurtin

Kuvendi i Kosovës më në fund ka pranuar të merret me rastin e Liderit të Lëvizjes “Vetëvendosje”, Albin Kurti.

Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, tha sot se do të kërkojnë që në Kosovë njëherë e mirë të pushojë çdo përpjekje për të krijuar ndjekje dhe gjykime politike.

Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka shqyrtuar në mbledhjen e saj të rregullt kërkesën e Këshillit kundër procesit gjyqësor ndaj Albin Kurtit, për seancë të jashtëzakonshme në Kuvend.

Kryesia ka vendosur që kjo kërkesë t’i dërgohet Komisionit për të drejtat e njeriut, barazi gjinore, për persona të pagjetur dhe peticione dhe Komisionit për legjislacion dhe gjyqësi dhe pas raportit me rekomandime që do të sjellin këto komisione, do të vendoset për procedimin e mëtejmë të kësaj kërkese.

“Ne si organ ligjvënës nuk e kemi përgjegjësinë për të kualifikuar si gjyq politik ose jopolitik. Ne respektojmë kërkesën e shoqërisë civile dhe nënshkrimin e gati 150 mijë qytetarëve që të debatojmë këtë çështje dhe të kërkojmë që gjithçka të zgjidhet në kuadër të ligjeve që janë në fuqi”, ka thënë Krasniqi.

Ndërsa, i pyetur nëse do të kërkojë Kuvendi që të vihen para drejtësisë policët rumunë që kanë vrarë dy dhe plagosur mbi 80 qytetarë në protestën e 10 shkurtit të vitit 2007, kryeparlamentari Krasniqi ka thënë se, policët ndërkombëtar kanë një lloj imuniteti dhe nuk i përgjigjen legjislacionit të Kosovës.

“Ne jemi në përgjegjësinë institucionale dhe ne e dimë që të gjithë ata që kanë qenë në administratën ndërkombëtare në Kosovë nuk i përgjigjen legjislacionit vendor. Donë të thotë, në një mënyrë janë të amnistuar nga legjislacioni vendor. Por, do të kërkojmë që vërtetë në Kosovë njëherë e mirë të pushojë çdo përpjekje për të krijuar ndjekje dhe gjykime politike”, tha ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›