E Diel, 1 Nëntor 2026

Dy shkolla në Babrru pa mësim, Hysi: Fëmijët në antimiting

TIRANE- Edhe pse sot nuk është një ditë zyrtare pushimi dhe në kalendar 7 maji nuk shënohet si ditë feste, dyert e shkollave “Gramoz Palushi” dhe “Kodra e Kuqe” kanë qenë të mbyllura. Deputetja e Partisë Socialiste, Vasilika Hysi ka denoncuar për News24 se fëmijët e këtyre shkollave janë përdorur nga zyrtarët e qeverisë për mitingjet e tyre.

Sipas Hysit, nxënësit e këtyre shkollave nuk kanë zhvilluar sot mësim, pasi kanë qenë të detyruar të marrin pjesë në tubimin e organizuar nga Këshilli Kombetar Studentor, kundër grevës së urisë.
Deputetja socialiste i kë bërë thirrje kryeministrit Berisha dhe ministrit të Arsimit që ti japin fund përdorimit të fëmijëve dhe mbylljes së shkollave për antimitingje ashtu sic bënë në fushatën elektorale.

“Gjatë kohës që po vinim në këtë shkollë ne qëndruam përpara bashkisë dhe intervistuam fëmijë të cilët ishin sjellë me forcë për të protestuar ndaj nënave , motrave, vajzave, baballarëve të tyre që sot janë në grevë për liritë dhe të drejtat e fëmijëve. I bëj thirrje zonjës Topalli dhe zotit kryeministër dhe Ministrit të Arsimit që ti japin fund përdorimit të fëmijëve në antimitingje” u shpreh Hysi.

Gjithashtu, deputetja socialiste u ka bërë thirrje të gjithë prindërve që të mos lejojnë përdorimin e fëmijëve të tyre për antimitingje të tilla.
(e.n/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›