Dyshojnë në drejtësinë amerikane

Moska zyrtare ka paralajmëruar të enjten se do të përpiqet që ta sjellë në Rusi shtetasin Viktor Bout, i cili nga një gjykatë në New York është shpallur fajtor për trafikim të armëve.
Ministria e Jashtme ruse ka njoftuar se Rusia dyshon në korrektësinë e dënimit të Boutit, andaj do të angazhohet për kthimin e tij në vend.
Nga një gjykatë në New York, ish-oficeri ushtarak sovjetik, Viktor Bout (44), është shpallur fajtor për shitje të armëve militantëve të Kolumbisë, të cilët synonin të sulmonin ushtarët amerikanë. Bout mund të dënohet me 25 vjet burg, ose me burgim të përjetshëm.
“Tregtari i vdekjes” u arrestua në Tajlandë, dhe pastaj u ekstradua në SHBA, në vitin 2010. Rusia e kundërshtoi ekstradimin e tij në SHBA, duke e cilësuar ilegal dhe të kryer nën presion amerikan.