E “plotëson” Rothko’n

Muzeu Tate Modern u mbyll për pak kohë, kur në skajin e pikturës së Rothko’s - të punuar për rrokaqiellin Seagram, në New York - u zbulua një njollë e zezë.
“Tate Modern mund të konfirmojë se një vizitor ka dëmtuar një pëlhurë të Rothko’s (nga seria) për Seagram, duke vendosur mbi të pak ngjyrë të zezë me brushë”, sqaroi zëdhënësi i muzeut. Ndërkaq, mashkulli që pranoi se ka dëmtuar pikturën e Rothko’, ka deklaruar se "Marcel Duchamp do të ishte i lumtur me atë që ka bërë”.
Një dëshmitar i incidentit ndërkohë ka publikuar në rrjetin Twitter fotografinë që tregon sesi në këndin e djathtë të pikturës është shkruar fjalia: “Vladimir Umantes '12, A Potential Piesce of Yellowism".
Një zë mashkulli, që është lajmëruar në numrin e celularit që është postuar në web-faqen www.thisisyellowism, i ka thënë agjencisë Reuters se quhet Vladimir Umantes, përderisa ka pranuar se ka dëmtuar veprën.
"E di që policia do të më arrestoj”, ka thënë zëri me theks europiano-lindor për Reuters. "Kjo ishte një shprehje artistike, ndonëse edhe më tepër ishte një mënyrë që të flitet lidhur me galeritë dhe artin”, tha ai tutje, derisa po sqaronte veprimin e tij, duke shtuar se nuk dëshiron që ta konsiderojnë si vandal, apo si dikë që dëshiron të shkatërrojë diçka, aq më pak një vepër të vlefshme artistike.
"Krejt kjo më shumë ka të bëjë me ndryshimin e percepcionit. Pra, të idesë”, sqaroi ai.