E Shtunë, 31 Tetor 2026

E bashkëfinancojnë Ballkonin

Fatos Berisha, drejtor i Qendrës Kinematografike të Kosovës, dhe Blerim Kuçi, kryetar i Komunës së Suharekës, nënshkruan një memorandum mirëkuptimi, përmes të cilit kjo komunë e mbështet financiarisht projektin filmik ‘Ballkoni’.

Qendra Kinematografike e Kosovës dhe Komuna e Suharekës, të hënën, nënshkruan Memorandumin e mirëkuptimit, përmes të cilit projektin filmik ‘Ballkoni’, të cilin QKK e ka subvencionuar në konkursin e sivjetmë, Komuna e Suharekës po ashtu e mbështet financiarisht.

Projekti ‘Ballkoni’ i shtëpisë filmike ‘N’Art’ me skenar dhe regji të Lendita Zeqirajt dhe me producent Bujar Kabashi, i subvencionuar me 10 mijë euro nga QKK në konkursin e vitit 2012, do të mbështetet nga Komuna e Suharekës me 5 mijë euro.

Drejtori i Qendrës Kinematografike të Kosovës, Fatos Berisha, dhe kryetari i Komunës së Suharekës, Blerim Kuçi nënshkruan Memorandumin e mirëkuptimit për bashkëfinancimin e një projekti filmik, të parin e këtij lloji mes QKK-së dhe një institucioni të pushtetit lokal.

Berisha u shpreh se ky është një lajm i mirë për industrinë e filmit të Kosovës.

Është lajm i mirë kur një institucion i pushtetit lokal e bashkëfinancon një projekt filmik të subvencionuar nga një institucion qendror i kulturës, në këtë rast filmit. Me këtë Suhareka përveç që kontribuon në prodhimin e një filmi vendor, ajo në fakt edhe bëhet shesh xhirimi i atij filmi dhe në fakt shumë nga ato mjete i kthehen në komunë. Ky është shembull i mirë i mbështetjes së kulturës dhe shpresoj të mos jetë i fundit”, tha Berisha pas nënshkrimit të memorandumit.

Ndërkaq, Blerim Kuçi theksoi se po mundohet që të përkrahë vlerat, për të cilat, sipas tij, Kosova ka nevojë.

“Ky është një shembull i mirë. Nuk është ndonjë shumë aq e madhe por kemi dashur ta gjejmë mënyrën se si ta përkrahim. Ne kemi marrë përsipër ta përkrahim edhe me logjistikë, pasi që filmi do të xhirohet në komunën tonë”, tha Kuçi.

Bujar Kabashi, producent i filmit, pasi falënderoi drejtorin e QKK-së dhe kryetarin e Komunës së Suharekës, theksoi se beson që ky të shërbejë si shembull edhe për komunat tjera. Ai tregoi se filmi është i metrazhit të shkurtë.

“E kemi planifikuar ta bëjmë 25 deri në 30 minuta. Është një parodi që trajton funksionimin e shoqërisë në përgjithësi e në veçanti atë të Kosovës. Është një gjë interesante se filmin do të mundohemi ta realizojmë vetëm me një plan sekuencë, një kuadër, nuk ka montazh, fillon dhe xhirohet deri në fund. Bëhet loja si në teatër”, tha ai. Kabashi shtoi se ekipi teknik, kameramani dhe ekspertët e zërit do të vijnë nga Franca.

Filmi i shkurtër ‘Ballkoni’ pritet të fillojë xhirimet brenda javës.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›