E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nis sezoni i Nobelit

Ndarja e Çmimeve Nobel filloi të hënën, me ndarjen e Çmimit Nobel për Mjekësi, që iu dha shkencëtarit britanik, John Gurdon, dhe tij japonez, Shinya Yamanaka. Kjo ngjarje nisi serinë e shpalljes së çmimeve prestigjioze, laureatët e të cilave do të dihen brenda javës.

Çmimet, të cilat në vitin 1895 u themeluan nga industrialisti suedez, Alfred Nobel, nderojnë punën në fizikë, kimi, letërsi dhe paqe. Vlera monetare që shoqëron Çmimin Nobel sivjet është ulur për 20 përqind – nga 10 milionë kruna suedeze (1.5 milionë dollarë), në 8 milionë kruna (1.2 milionë dollarë) – për shkak të trazimit të tregjeve financiare ndërkombëtare.

Dueti Gurdon dhe Yamanaka u shpërblye për hulumtimin e tyre të riprogramimit nuklear, një proces ky që udhëzon qelizat e rritura për formimin e qelizave burimore, të cilat pastaj mund të përdoren për krijimin e indit të çfarëdo lloji.

Të martën Komiteti pritet të shpallë laureatin për Fizikë, e një ditë më vonë edhe atë për të arriturat në Kimi. Ndërkaq, më 15 tetor komiteti do të shpallë fituesin e çmimit për Ekonomi.

Megjithëse ende nuk ka një konfirmim zyrtar, bazuar në traditën e deritanishme pritet që laureati i Çmimit Nobel për Letërsi të shpallet më 11 tetor. Sipas parashikimit të bastvënësve britanikë, dy kandidatët kryesorë për çmim janë shkrimtari kinez, Mo Yan, dhe ai japonez, Haruki Murakami.

Në mesin e kandidatëve kryesorë ndodhet edhe shkrimtari shqiptar, Ismail Kadare, i cili deri javën e kaluar radhitej në pozitën e katërt. Veç tij, në mesin e favoritëve të tjerë për çmim janë edhe poeti dhe këngëtari amerikan, Bob Dylan, dhe shkrimtari amerikan, Thomas Pynchon.

Nga ana tjetër, mediat suedeze në mesin e favoritëve për çmim përmendin edhe shkrimtarin kanadez, Alice Munro, shkrimtarët amerikanë, Don DeLillo dhe Philip Roth, novelistin somalez, Nuruddin Farah, dhe shkrimtarin egjiptian, Nawal el Saadawi.

Ndër fituesit e mëparshëm të çmimit prestigjioz për letërsi ishin edhe shkrimtari amerikan, William Faulkner, ai francez, Albert Camus, dhe kolumbiani, Gabriel Garcia Marquez. Shkrimtari i fundit japonez që u nderua me Çmimin Nobel ka qenë Kenzaburo Oe, në vitin 1984.

Për Çmimin Nobel për Letërsi sivjet garojnë 46 shkrimtarë. Fitues i Çmimit Nobel për Letërsi vitin e kaluar ishte poeti suedez, Tomas Transtromer.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›