E Shtunë, 31 Tetor 2026

“E Djathta e Bashkuar dhe Qendra”

22-04-2013 / Gazeta 55

Vendos kryesia e PDIU-së: “Drejt koalicionit parazgjedhor me PD, Idrizi negociator i marrëveshjes”


Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet zhvilloi mbledhjen e kryesisë për të mbajtur bilancin e mandatit katërvjeçar të prezencës së kësaj force politike në Kuvend dhe për të nisur përgatitjet për zgjedhjet e 23 qershorit. Kryetari i PDIU-së, z. Shpëtim Idrizi vlerësoi se prezenca e kësaj force politike në mandatin katërvjeçar të Kuvendit ka ofruar një vizion të ri në politikën shqiptare  duke u paraqitur si partia që nuk bën kompromise mbi çështjen kombëtare. Në katër vitet e fundit, PDIU u afirmua si forca e vetme politike në vend me një bilanc të qartë dhe të prekshme, duke pasur nisma ligjvënëse dhe ekzekutive, si edhe duke krijuar një frymë të re politike në vend. Në mënyrë të veçantë, gjatë bilancit të punës së PDIU, u vlerësua miratimi i Rezolutës për Çështjen Çame, që për nëndë vjet rrinte e fshehur në sirtaret e Kuvendit dhe vetëm fal trysnisë pozitive të ushtruar nga deputetët e PDIU, shqiptar ët e Çamërisë dhe të gjithë shqiptarët që mbështesin këtë kauzë kombëtare, mori fuqi ligjore. Në analizën e punës së PDIU, antarët e kryesisë vlerësuan se bashkëfinancimi me qeverinë shqiptarei Varrezave Monumentale të shqiptarëve të Çamërisë në Kllogjer të Sarandës, ka qenë një sukses i të gjithë patriotëve shqiptarë, të cilët mbyllën hesapet me të kaluarën e Çamërisë duke respektuar ata që humbën jetën vetëm dhe vetëm pse ishin shqiptar ë. Kjo, u vlerësua si piknisja e rrugëtimit të gjatë drejt të ardhmes me qëllimin e qartë, rikthimin e shqiptarëve të Çamërisë në trojet e tyre, hapi i parë i së cilës ishte realizimi i rezolutës came. PDIU në katër vitet e fundit ofroi një fizionomi kombëtare, duke bllokuar tentativat antishqiptare. Shembull i pakontestueshëm i rolit të PDIU u vlerësuan amendamentet në ligjin e censusit, të cilat bllokuan oreksin për rritje artificiale të numrit të minoriteteve në Shqipëri. Këto amendamente i ofruan kombit shqiptar ndalimin e tentativave për të krijuar një shtet multietnik, çka u vlerësua si sukses historik i PDIU. Në vazhdën e bilancit të PDIU-së, u analizua ngritja e një fryme të re në shoqërinë shqiptar dhe u vlerësua roli i PDIU-së për rritjen e patriotizmit. Në këtë suazë, u vlerësua kontributi i PDIU-së në ringjalljen e çështjes çame, e cila sot, në krahasim me katër vite më parë, është në qendër të jetës politike dhe shoqërore në vend dhe me një sensibilizim të pakrahasueshëm ndërkombëtar. Për më tepër, gjatë mbledhjes së kryesisë, u vlerësua konseguenca e qendrimeve të strukturave drejtuese të partisë, të cilat kanë qenë në ballë të betejës kundër marrëveshjeve ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë për varrezat e ushtarëve imagjinarë të ushtrisë pushtuese greke, marrëveshjes së ujrave, lejimit të hyrjes në Shqipëri të forcave neonaziste greke, ngritjen e zërit për bashkimin ekonomik mes Shqipërisë dhe Kosovës, krijimi me VKM i Komitetit të Diasporës, ruajtjen e dinjitetit kombëtar  shqiptar dhe të të drejtave të shqiptarëve kudo ndodhen. Këto aspekte të jetës parlamentare të PDIU-së në Kuvendin e Shqipërisë, e kategorizojnë atë, si partia e vetme kuvendore përtej kabinetit qeveritar, që ka ndërmarrë me sukses nisma konkrete ligjore dhe ekzekutive, me një koseguencë dhe kauzë kombëtare, përgjatë këtyre katër viteve. Në këtë kuptim, kryesia vendosi që të nisin përgatitjet për zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit, duke pohuar vendosmërinë e rritjes së përfaqësimit parlamentar të PDIU-së në përbërjen e ardhshme të Kuvendit, çka do të kontribuojë në rritjen e zërit dhe trysnisë pozitive për çështjet kombëtare e në veçanti për çështjen çame, si edhe do të fuqizojë partinë që për katër vjet tregoi se në momentet kyçe të zhvillimeve të çështjes kombëtare, arriti të ndërhyjë me vendosmëri duke ndaluar abuzimet e duke fuqizuar pozicionin e kombit tone. Në fund të takimit, kryesia e PDIU-së, autorizoi me unanimitet kryetarin, z. Shpëtim Idrizi, që të zhvillojë negociata për koalicion parazgjedhor me Partinë Demokratike.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›