Kur ushtrimi i dhunës shtetërore në Maqedoni bëhet normalitet, nuk ka integrim
Le t’i qëndrojmë formulës sipas së cilës formën e pushtetit brenda marrëdhënieve shoqërore e ndajmë si pushtet, ndikim dhe autoritet. Ç’do kuptonim me pushtet atëherë? Me pushtet do të kuptohej: bëj atë që dëshiroj unë, përndryshe do bëj atë që nuk e dëshiron ti. Bëjmë si bëjmë deklarojmë ngushtimin e shoqërisë brenda formulës së pushtetit. Karakteristike për rrjedhojë bëhet kërcënimi me përdorimin e sanksioneve. Me ndikim kuptohet: bëj atë që dëshiroj unë, me kusht që të bëj unë atë që do ti. Po prapë një formulë tjetër që shpreh një tjetër ngushtësi nën formën e këmbimit. Por ajo që shtohet është se marrëdhënia për t’u realizuar ka nevojë për bindjen. Me autoritet kuptohet: bëj atë që dëshiron ti, sepse je ti. Le të themi se shtesa është më e lartë po të mendojmë se marrëdhënia në këtë rast synon një proces integrimi. Kështu që duhet nisur me sanksionet. Pesha e sanksioneve është në raport të drejtë me pjesëmarrjen në vendimmarrje. Sa më vendimmarrës të jetë një subjekt, aq më shumë të drejtë i jep vetes për të shtrirë forcën dhe formën e sanksioneve. Sanksionet mund të jenë të buta apo të ashpra. Historia e sanksioneve nëpër shekuj dhe vende është e larmishme. Ashpërsia e tyre po ashtu. Një rend shoqëror i ka parë ndoshta të natyrshëm varjen e gijotinën në publik, torturën, dëbimin e gjer tek poshtërimi, turpërimi ose heqja e respektit. E cilës kohë i përket Maqedonia? Në Maqedoni pushtetin e ka VMRO-ja ndërsa BDI-ja përpiqet t’i zbatojë politikat e saja nëpërmjet ndikimit, pra këmbimit. Autoriteti i mungon secilës palë. Nuk është e habitshme të zbulojmë se është i tëri një shtet dhe shoqëri jashtë përmasës së autoritetit, pikërisht sepse nuk e ka përmasë të brendshme.
Kështu që do të jetë po aq e natyrshme të rritet pa kufi sanksioni dhe të rritet po ashtu pa kufi këmbimi. Sanksioni i radhës me poshtërim ishte lavdia institucionale e kriminelit Tarçullovski. Dhe këmbimi ishte po aq i lartë, heshtja dhe qetësia me të cilën e priti ngjarjen BDI-ja. Në listën e gjatë të ushtrimit të njëanshëm të pushtetit dhe në listën e gjatë të dëshirës për këmbim, mungon bindja. Tepron dhuna. Gjendet gjithnjë një masë që do pësojë teprinë e dhunës dhe teprinë e këmbimit.
Dhe ky element është ai që mund të vritet fizikisht, viktimat e Tarcullovskit, por edhe vrasja shkurt politike e këtij elementi. Shembull për vrasjen e dytë është raundi i dytë i zgjedhjeve lokale në Strugë. Përsëri zbret në fushë sanksioni, sepse këmbimi ka përfunduar me të drejtat e tij më sipër. Tarcullovski zbriti në aeroportin e Shkupit, në qendrat e votimit të Strugës zbarkoi një numër i madh i policisë së shtetit dhe zonat e banuara me shqiptarë u dukën si nën shtetrrethim. Si nën kërcënimin e një sanksioni të mëtejshëm.
Arsyeja? Strugën e kam te humbur si komune, por prapëseprapë zot i shtëpisë jam unë. Theksi i veçantë në këtë situatë vihet te fakti i dhunës. Me sa kollajllëk ndërmerren këto aksione policore që do ia kishte zili çdo sistem politik diktatorial. Këto represalie që irrituan jashtëzakonisht shqiptarët, u heshtën si nga politika zyrtare, por edhe më keq nga mediat kryesore të vendit. Përderisa Jankullovska deklaronte se procesi zgjedhor u zhvillua në atmosferë të qetë, korrekte dhe demokratike, mediat raportonin vetëm për disa parregullsi teknike. Dhuna flet vetëm në një kah. Shihet qartë, që autoriteti dhe integrimi nuk ekzistojnë. Nuk ka politikë në fakt aty ku nuk ka integrime dhe as qëllime integrimi. VMRO ka prodhuar një politikë që nuk i përfshin shqiptarët, ndërsa BDI shkëmben përfaqësimin e shqiptarëve me një pushtet të paemërt që do të ketë natyrisht një fund, kur masa e shqiptarëve të përfaqësuar do të jetë fshirë nga dhuna dhe sanksioni. A thua, e gjithë ajo prani e policisë së shtetit dhe njësitet speciale ishin të padukshëm në sytë e mediave? A thua dhuna është e padukshme. Historikisht, sa më shumë dhunë bën aq më e padukshme bëhet dhuna. Maqedonasit janë bërë mjeshtër të formulës. Por natyrisht, ata nuk kanë lidhje me politikën. Në kundërshtim me ligjet në fuqi, forcat policore jo që nuk qëndruan në distancën e paraparë me ligj nga vendvotimi, por u futën brenda vendvotimeve. Dhuna deklaroi se edhe vota mund të pësojë sanksionimin. Sipas përmasës së ushtrimit të pushtetit, tek njerëzit kjo u kuptua si përpjekja e fundit që me çdo kusht të instalohet sistemi i aparteidit në komunat me shumicë shqiptare. Megjithëse shqiptarët formalisht janë komb shtetformues në Maqedoni, struganët në këtë rast u ndjenë jetim. Të zhveshur krejtësisht nga pushteti i brendshëm, të braktisur e të harruar nga indiferenca absolute e Tiranës dhe Prishtinës, struganët ndjejnë se këmbimi ka përfshirë shqiptarët fund e krye. Se sanksioni do t’i përndjekë në çdo cep. Nëse pasuria e një kombi matet me territor dhe burime njerëzore, Tiranës dhe Prishtinës zyrtare u takonte të mbanin qoftë dhe një qëndrim formal. Tirana nuk do të mund të duronte glorifikimin e njeriut që shoi tetë shqiptarë të mbrojtur në Kushtetutën e Shqipërisë. Tirana do të ishte shprehur në mbrojtje të kushtetutës së saj. Ky do të ishte një autoritet integrues. Në fakt, ndodh e kundërta. Edhe kushtetuta këmbehet. Por ky nuk është fakt i ri për Tiranën. Ajo heshti tashmë kur shqiptarëve u rrezikohej edhe territori, në Kërçovë e sidomos në Strugë. Zaptimi i shumicës së vendvotimeve me deputet, ministra, kryedoganier, shefi i sigurimit të shtetit, mund të shpjegohet vetëm si invazion i aparatit shtetëror mbi vendzoterimin shqiptar.
Mbase në raundit e tretë, shpresoj i fundit, do të shfaqen veç policisë maqedonase dhe aparatit shtetëror maqedonas, edhe deputetë e ministra shqiptarë. Le ta aplikojnë edhe këta ministra shqiptarë autoritetin që vetë shqiptarët ua kanë dhënë. E ndoshta më në fund do të dëgjojmë ndonjë fjalë të Qeverisë të Tiranës ... mbase edhe Prishtinës. Shqiptarët do të jenë vetëm atëherë në zanafillën e autoritetit të të qenit shqiptarë. Ky quhet integrim.
Marrë nga e përditshmja e Shkupit "Lajmi"