E Shtunë, 31 Tetor 2026

Georges Simenon, shkrimtari që dashuroi dhjetë mijë gra

Jeta e tij ishte një udhëtim i vazhdueshëm. Fëmija i lindur në Liegi, më 13 gusht të vitit 1903, do të bëhej një nga shkrimtarët më të njohur. Veçanërisht me personazhin legjendar, komisarin Maigre (Megre). Georges Simenon, që në fëmijëri, përjetoi konflikte sociale dhe kulturore që reflektonin shtresat e ndryshme sociale të prindërve. Simenon ishte njeri që pëlqente të provonte dhe ta sprovonte veten. Personazhet e tij i "ende" në një rrugëtim të vazhdueshëm nga njëri shtet në tjetrin, në varka të vogla me të cilat përshkonte lumenj, apo në skelete anijesh të braktisura. Ishte belg nga origjina, por pranonte Francën si kombësi, edhe pse për një kohë të gjatë francezët e konsideruan si një shkrimtar komercial. Në rastet më të mira si "piolicesk", për të cilin më e rëndësishme ishte të mbetej i lidhur fort pas personazhit që vet krijoi, Jules Maigret, sesa të prezantonte cilësitë e vërteta si shkrimtar. I vlerësuar nga shumë kolegë të tij, mbeten të memorizuara citimet e Hemingëay: "Nëse bllokoheni nga shiu gjatë kampingut në zemër të Afrikës, nuk ka asgjë më të mirë se sa të lexoni Simenon. Me të nuk më interesonte se sa do të kishte zgjatur ajo gjendje". Ndërsa Mauriac do të theksonte: "Arti i Simenon ka një bukuri gati të patolerueshme". I rrallë fati i Simenon, i cili i injoruar e më pas i toleruar nga kritika letrare e vendit të tij, nuk mundi të përfitonte nga çmimet e akademive letrare, të cilat nuk ia falën kurrë që talentin e tij e derdhi në letërsinë e zezë. Nuk e mohoi asnjëherë këtë gjini, së cilës i ishte kushtuar me kohë të plotë, letërsisë që i ishte kushtuar me pasion, e cila e pasuroi shumë shpejt dhe të cilën e krijonte me një disiplinë maniake. Ulej të punonte në të gdhirë, i "armatosur" me 20 lapsa të mprehur mirë e 12 llulla, përdorimi i të cilave e ndihmonte të përqendrohej e të shmangte ndërprerjet e mundshme. E rëndësishme ishte ta tregonte historinë me një frymë, duke shmangur stukimet formaliste. Mburrej se kishte përdorur gjithsej jo më shumë se dy mijë fjalë për të shkruar librat e tij. "Nëse gjej një fjali të bukur, e heq", përgjigjej thatë ndaj atyre që e kritikonin për një letërsi të thatë dhe esenciale. pastaj shtonte: "Unë jam artizan dhe kam nevojë të punoj me duart e mia. Do të më pëlqente t‘i gdhendja romanet e mia në një copë druri". Simenon, një personazh gricës, të cilin inteligjenca nuk e falte për një sërë gjërash. Ekstravaganca e karakterit të tij antikonformist, i cili për asnjë arsye nuk pranonte t‘u nënshtrohej rregullave të pashkruara të salloneve letrare pariziene, që nuk e mbante sekret që i pëlqente mondaniteti, rruga dhe prostitutat, gjallëria erotike që e çoi në dashurinë e dhjetë mijë grave. "Kam filluar shumë herët", përgjigjej ai kur të tjerët e quanin një shifër të pamundur. Shpërngulja në Paris, më 1922, ka qenë edhe periudha e artë seksuale, dëshmi edhe e vetmisë e vështirësive që përjetoi në ato vite. Para se të zhvendosej në Paris, ende shumë i ri, kishte punuar për tri vite në të përditshmen lokale ulta nacionaliste "La Gazzetta di Liegi". Aty mësoi të fshehtat e zanatit, duke u marrë me kronikën e zezë. Gazetaria e tij ishte ajo e vërdallosjes në mbrëmjet e vona, ato të kaluara duke pirë në lokale të vogla apo në kazerma të kryeqytetit, duke mbledhur informacione, gazetaria e një Parisi të jetuar plotësisht deri në intimitet, i cili në mënyrë të mahnitshme u pasqyrua në të gjitha romanet e tij, shumica e të cilëve të shkruar larg kryeqytetit francez, por gjithnjë i pranishëm në përshkrimet e Simenon. I riu Simenon ishte i pushtuar nga dëshira për të jetuar mbi dhe brenda rreshtave. Për të mbajtur veten shkruante tregime për gazetat dhe të përjavshmet. Ishin me qindra në pak vite. Libri i tij i parë erdhi më 1927, "Romani i një daktilografisti", por ngjarja më e rëndësishme e jetës së tij letrare ishte prezantimi i botimit të "Pietro il Lettone" më 1930, nga shtëpia botuese "Fayard", historia që nxori në qarkullim për së pari personazhin e komisarit Megre. Do të ishte e para e një serie të gjatë policeske që do të numëronte 75 romane dhe 28 tregime gjatë 42 vjet hetimesh. Deri më 1972, kur Simenon vendosi ta nxirrte në pension mikun e vjetër, kaq i ndryshëm nga ai vet. Komisari i tij u kthye në një personazh kinematografik, duke përfituar shumë të ardhura nga të drejtat e prodhimit. Në krijimtarinë e tij prej 400 romanësh dhe rreth 1000 tregimesh që i firmosi me emrin e tij apo me pseudonime, Simenon shkroi edhe romane që ai i quante "seriozë". I njohur edhe për publikun shqiptar, së fundmi është botuar në shqip nga ILAR romani i tij "Maçoku", përkthyer nga frëngjishtja nga Albert Nikolla. Më 1972 premton se nuk do të shkruante më. Filloi të regjistronte tregime në shirita magnetofoni. Vetëvrasja e së vetmes vajzë (kishte tre djem) Marie- Jo, më 1978 e shtyhu që në 1980 të shkelte betimin për të shkruar romanin autobiografik "Kujtime intime". I prekur nga tumori në tru, aventura e Simenon përfundon më 1989 në Losana. Njeriu që jetoi një jetë të zhurmshme e përjetësoi emrin e tij në letërsinë e zezë.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›