E braktisin foshnjën e sapolindur

Një foshnje e sapolindur, e gjinisë mashkullore, është gjetur e braktisur afër objektit të “Termokosit” në Prishtinë.
Gjendja shëndetësore e bebes ishte shumë e rëndë dhe ajo me urgjencë është dërguar në repartin e Gjinekologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Policia ka iniciuar rastin si foshnje e braktisur dhe është në kërkim të prindërve braktisës.
Zyrtarë për informim në Policinë e Kosovës, kanë deklaruar për Indeksonline se, foshnja është gjetur të hënën në rrugën “28 Nëntori”.
“Me datën 24 dhjetor, pas orës 22:00, policia është informuar se një fëmijë i braktisur ndodhet në rrugën "28 Nëntori". Policia ka reaguar menjëherë dhe e ka dërguar foshnjën në klinikë”, ka thënë Flora Ahmeti, zyrtare për informim në Policinë Rajonale në Prishtinë.
Ajo tha se gjendja shëndetësore e foshnjës së braktisur fillimisht ka qenë e rëndë, mirëpo është trajtuar më pas nga mjekët në gjinekologji.
Policia ende nuk ka persona të dyshuar në lidhje me këtë rast, mirëpo hetimet janë duke vazhduar intensivisht për t’i identifikuar prindërit e foshnjës./Indeksonline/