E Diel, 1 Nëntor 2026

Ri-tenderuan projektin që po hetohet për keqpërdorime

Komuna e Prizrenit po akuzohet nga organizata “Ec ma ndryshe” për keqpërdorime në një tender që kishte të bënte me fshatin turistik Prevallë.

Kjo organizatë po pretendon se kryetari i komunës, Ramdan Muja dhe Drejtoria për Urbanizëm i kanë rishpallur një tender i cili ishte duke u hetuar nga prokuroria për keqpërdorime.

Deri te ky konstatim “Ec ma ndryshe” pohon të ketë ardhur pas hulumtimit që kanë bërë në në tenderin “Ndërtimi me koncesion i infrastrukturës në fshatin turistik Prevallë”

Në një kumtesë të kësaj organizate thuhet se në muajin tetor kryetari i komunës, Ramadan Muja në takimin e rregullt me drejtorët komunal ka miratuar konkluzionin për ri-tenderimin e projektit për rregullimin e infrastrukturës në fshatin turistik Prevallë.

“Ec ma ndryshe” pretendon se tenderi ka shkuar në ri-shpallje edhe pse Prokuroria e Qarkut në Prizren ka nisur hetimet në bazë të dyshimeve për keqpërdorim të mjeteve të dedikuara për rregullimin e infrastrukturës në Prevallë.

Por, Drejtor i Urbanizmit ne Komunën e Prizrenit Sadik Paçarizi ka thënë se pohimet e kësaj organizate nuk qëndrojnë. 

“Nuk qëndrojnë këto konstatime te kësaj organizate. Nuk ka asnjë keqpërdorim apo hetim në këtë tenderë. Unë nuk kam asnjë informatë se ky tender është duke u hetuar. Ajo qe mund të jetë nen hetime është ndërtimi, ngase ka disa raste që janë kaluar kriteret”, ka thënë për Indeksonline Paçarizi.

Ai mohoi edhe akuzat e “EC Ma Ndryshe “ se nuk u është lejuar qasja në dokumente t zyrtare që kanë të bëjnë me këtë projekt./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›