E Shtunë, 31 Tetor 2026

E dëbojnë nga partia

Ish-lideri komunist kinez, Bo Xilai, që deri vonë cilësohej si pasardhës i kreut të Partisë Komuniste të Kinës, Hu Jintao, është përjashtuar nga Partia. Veç kësaj, ai do të përballet edhe me akuza kriminale, njofton televizioni BBC.

Mediat shtetërore kineze raportuan të premten se në akuzat kundër Bo Xilai përfshihen ato për korrupsion, shpërdorim të detyrës, marrje të ryshfetit, dhe për raporte të pahijshme me disa femra.

Bo Xilai, i cili ishte shef i Partisë Komuniste për qytetin Chongqing, humbi pushtetin pas skandalit të vrasjes së biznesmenit britanik, Neil Heywood, në nëntor të vitit të kaluar. Gruaja e tij, dhe një ish-shef i policisë lokale, janë arrestuar dhe dënuar për rastin.

Ndërkohë, Pekini zyrtar gjithashtu ka njoftuar se kongresi i partisë, në kuadër të të cilit do të zgjidhen liderët e ri partiakë, do të mbahet më 8 nëntor. Pritet që gjatë punimeve të kongresit Hu Jintao të japë dorëheqje nga posti i kreut të Partisë Komuniste, pas dhjetë vitesh të kaluara në këtë post. Jintao pritet të zëvendësohet nga Xi Jinping.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›