E Martë, 3 Nëntor 2026

E diela me turistë, Tirana në listën e qyteteve të preferuara nga të huajt

E diela në kryeqytet është e turistëve të cilët sfidojnë edhe temperaturat për të vizituar atraksionet, siç është ky grup gjerman që prej dy ditësh ndodhen në Tiranë. Me udhërrëfyes në duar, ata janë njohur më pare me Shqipërinë dhe sot, ata prekin Tiranën për të cilën shprehen se kanë lexuar.

“Zgjodha Shqipërinë sepse më ka kuriozuar, dhe në librin që kam në dorë janë shënimet me vendet të cilat do t’i vizitoj, një prej tyre është Piramida për të cilën kam lexuar se është ndërtuar para viteve ’90, simbol i periudhës së tranzicionit”, tha turisti.

“Tirana është mikpritëse, njerëz të dashur, kulinaria është shumë e veçantë, pra ajo çfare kisha lexuar. Natyrisht, edhe Shkodra më ka pëlqyer, por më shume natyra e Luginës së Valbonës”, shprehet një tjetër.

E ndërsa banorët e Tiranës për fundjavë i janë drejtuar plazheve apo fshatrave përreth, për turistët e huaj, kryeqyteti ofron mundësi të ndryshme për të kaluar ditën. BunkArt ,Katedralia,  Xhamia Et’hem Beut, Kulla e Sahatit, apo Kalaja e Tiranës janë më të vizituarat, por edhe instalacioni në Sheshin “Skënderbej”.

“E vizitoj shpesh Shqipërinë, jam martuar me shqiptare ndaj edhe e flas gjuhën tuaj. Ne italinëve na pëlqen shumë Shqipëria, Tirana”, shprehet turisti.

“Kam ardhur dje në mbrëmje dhe Tirana është qyteti i parë qe shoh, xhamia Ethem Beut ishte mjaft interesante, por kam ende për të eksploruar”, thotë turisti.

“Prej dy ditësh jemi në tiranë, dhe me miqtë e mi do të vizitojmë dhe zonat përreth pasi kemi dëgjuar e lexuar se  natyra jashtë kryeqytetit është e veçante, si edhe ushqimi për të cilin shumë na e kanë këshilluar”, shprehet një tjetër turist.

E diela e sotme përkon edhe me ndeshjen e Shqipëri-Poloni ku dhe për mbarëvajtjen e këtij aktiviteti qarkullimi i automjeteve në kryeqytet është më i kufizuar, por jo ai i tifozeve që ndjekin ekipin ekipin e tyre të zemres kudo që luan.

Gazetare: Melisa Shameti 

/rtsh/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›