E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rirreshtimi përmes dyshimeve

27-09-2012 / Nga Ibrahim Rexhepi

Ndonëse përherë do të mbesin dyshimet për saktësinë e rezultateve nga regjistrimi i popullatës, megjithatë shifrat mund të përdoren për heqjen e iluzioneve për potencialet dhe për të arriturat, por edhe për ridefinimin e politikave makroekonomike dhe llogaritjen e serishme të indikatorëve të saj. Në vlerësimet e institucioneve ndërkombëtare të pranishme në Kosovës, si është Fondi Monetar Ndërkombëtar, apo Banka Botërore, asnjëherë nuk është thënë se këtu jetojnë më shumë se 1,8 milionë veta. Ndërkaq, vendorët gjithmonë kanë llogaritur për një numër shumë më të madh. Madje edhe vetë Agjencia e Statistikave e Kosovës në ballinë të faqes së saj të internetit ka pasur shifrën për rreth 2,2 milionë banorë sa ka ky shtet. Pas publikimit të rezultateve përfundimtare të regjistrimit të popullatës po del se edhe po të përfshiheshin në këtë proces edhe tri komunat në veri, nuk do të arrihej kjo shifër. Rezultatet janë zhgënjyese. Atë nuk e zvogëlon as dyshimi për rregullshmërinë dhe saktësinë e numërimit, meqenëse procesi ka marrë vulën zyrtare, si nga institucionet vendore, apo ndërkombëtare. Edhe për dhjetë vjet do të evidentohet se Kosova ka pak më shumë se 1,7 milionë banorë, se migruesit marrin pjesë 22 për qind, se 61 për qind e tyre jetojnë në zonat rurale, janë mbi 297 mijë ekonomi familjare, se jemi popullatë e re me një moshë mesatare 26,3 vjeçare, se janë pak më shumë se 285,5 mijë punëtorë, përkatësisht se shkalla e punësimit është vetëm 24,5 për qind. Njëkohësisht mbetet e vulosur edhe fakti se gjysma e ekonomive familjare kanë 0,65 hektarë tokë, se ato kanë pak shpezë e kafshë, por që numri i makinave bujqësore tejkalon nevojat e tyre. Ka edhe përplot shifra që përbëjnë mozaikun e gjendjes në Kosovë, por njëherit edhe bazë për dyshime shumë të mëdha. Dyshimi më i madh do të jetë te numri i banorëve- a janë vërtetë 1,7 milionë banorë, apo më shumë. Në vitin 1981, kur llogaritet se ishte regjistrimi i fundit pak më normal, sado që ishte bërë në ditët kur në tërë vendi zhvilloheshin demonstrata, Kosova ka pasur afër 1,6 milionë banorë. Tash del se që na atëherë numri i banorëve është rritur vetëm për 155.385 veta. Po të ishte saktë kjo shifër, atëherë duhet pranuar se shtimi i popullatës ka hyrë në zonë e rrezikut- të alarmit. Se kjo popullatë po shkon kah zhdukja.
E në fakt, kjo nuk është e vërtetë, sado që është shtyrë mosha e martesës, apo se një rëne të lehtë të natalitetit. Por, të gjitha këto nuk kanë mundur të ndikojnë që secilin vit numri i banorëve të rritet vetëm për 5.179 veta. Të dhënat e mëhershme, sa do që ato kanë dalë nga përllogaritjet përmes metodologjisë shkencore, e jo nga regjistrimi, kanë treguar shifra më të larta të shtimit të popullatës, si edhe të numrit të përgjithshëm të saj. Kjo popullatë dika është, por ASK-ja nuk e ka gjetur. Kjo duket kur kemi parasysh se edhe numri i emigrantëve duhet të jetë shumë më i madh se sa ajo që thonë të regjistruarit. Sa do që është vështirë të thuhet një shifër e saktë për madhësinë e emigracionit, megjithatë shuma e parave që secilin vit ata dërgojnë në Kosovë, ardhja gjatë kohës së pushimeve, si përmes rrugëve tokësore, ashtu edhe ajrore, demanton atë që thotë ASK. Ka gjasa që kjo dilemë të hiqet gjatë viteve në vijim, përkatësisht atëherë kur bëhet një regjistrim i numrit të kosovarëve që jetojnë jashtë vendit. Dilema tjetër, del nga deklarimet për punësim. Është krejt e pabesueshme se në këtë vend punojnë vetëm 285,5 mijë veta. Këtë e demantojnë shifrat e Trustit të Kursimeve Pensionale, i cili ka mbi 399 mijë kontribuues. Edhe kjo shifër mund të mos e paraqesë gjendjen e saktë, për shkak se në evidenca mbeten edhe ata që njëherë kanë paguar, por në ndërkohë mund ta kenë humbur vendin e punës. Megjithatë është më reale se ajo që del nga regjistrimi. Janë edhe disa fakte të tjera- ta zëmë se në institucionet publike e qeveritare janë afër 80 mijë të punësuar. Kur këtyre ua shtojmë edhe mbi 12 mijë veta që punojnë në tri ndërmarrje publike, plus edhe së paku dy të punësuar në rreth 60 mijë ndërmarrje që paguajnë tatim ( MTI-ja evidenton mbi 100 mijë ndërmarrje), atëherë shifra e nxjerrë nga regjistrimi i fundit i popullatës lehtë mund të kontestohet. Sado që dyshimet do të mbeten edhe për një kohë të gjatë, megjithatë rezultatet e regjistrimit të popullatës do të jenë të përdorshme për të hequr disa iluzione për gjendjen aktuale, si edhe të arriturat në zhvillimin përgjithshëm të vendit. Njëkohësisht , në bazë të tyre, duhet të rishkruhen politikat makroekonomike, si edhe të bëhen disa përllogaritje të tjera kur janë në pyetje indikatorët e përgjithshëm. Duhet të pranojmë se nëse marrim parasysh numrin e konsumatorëve, atëherë Kosova nuk është vend atraktiv për investime. Gjendja vështirësohet edhe më shumë, nëse kemi parasysh se norma e punësimit është e ulët. Kjo tregon se edhe ata pak banorë sa janë këtu kanë fuqi të ulët blerëse. E krejt kjo ndërlidhet me mungesën e politikave të drejta, të cilat edhe më shumë e kanë varfëruar këtë vend. Për shkak të tyre shkalla e papunësisë te gjenerata e re është alarmante, ndërkaq për shkak të zhvillimit joharmonik të vendit 165 mijë veta secilën ditë duhet të bëjnë rrugë të gjatë deri te vendi i punës, apo deri në shkollë. Këto fakte janë pasqyra më e mirë e punës së qeverisë aktuale, por edhe e atyre të mëparshme. Ndërkaq, ato mund të përdoren edhe për qëllime të mira, posaçërisht me rastin e hartimit të politikave zhvillimore, të cilat duhet të mbështeten në potencialin real të vendit. Njëkohësisht, bujqësia si njëra prej degëve strategjike dhe me prioritet që duhet ta ketë vendi, aktualisht nuk ka mundësi që të që ta merr këtë primat, pa marrë parasysh numrin madh të banorëve që jeton në fshat. Së pari, sipërfaqja e parcelave është aq i vogël, sa që aty nuk mund të bënë punë as mekanizimi që qenka në numër të mjaftueshëm. Njëkohësisht, sipas pyetësorit të ASK-së, fermerët edhe më tutje mbeten besnik për kultivimin e kulturave tradicionale. Të regjistruarit janë deklaruar se 58,5 për qind të sipërfaqeve i mbjellin me grurë, me misër – 3 për qind, patate – 3,9 për qind dhe me speca- 3,6 për qind. Po ashtu Po ashtu mbi gjysma e ekonomive familjare nuk kanë kafshë shtëpiake. Sipas kësaj, del se oferta aktuale e këtij sektori është e varfër, ndonëse potencial është i madh. Mirëpo, duhet një qasje tjetër, një strategji e qëndrueshme dhe një organizim krejtësisht tjetër. Shifrat nga regjistrimi do të lënë edhe dilemën për ndarjet buxhetore për nevojat e komunave. Nëse këtu kriter merret numri i banorëve, atëherë shumë komuna do të mbesin pa para. Mirëpo, Ministria e Financave gjatë hartimit të buxhetit duhet të merr për bazë numrin nxënësve, të mësimdhënësve, të mantelbardhëve, apo nevojën për financimin projekteve të ndryshme. Kjo do të mundësonte ndarje më reale, se sa shifra e ASK-së.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›