E drejta e jetës i jep jetë gjithë të drejtave
Gërdeci, përveçse një dëshmi tragjike e dështimit të shtetit në mbrojtje të jetës dhe interesave të shtetasve, na bën të reflektojmë edhe lidhur me reagimin qytetar, të politikës në përgjithësi dhe medias hetimore në ngritjen e zërit për të drejtën e jetës përmes ekspozimit në kohë të gjëmave në pritje.
Fabrika e çmontimit të municioneve ndodhej në vendin e gabuar. Autoriteti që vendosi për të, nuk bëri transparencë dhe shoqëria fatkeqësisht nuk arriti ta imponojë atë. Mendësitë rutinë “E di qeveria”, “Nuk ia vlen, se nuk të dëgjon kush”, “Shyqyr që nuk e kam në prag”, po rrënojnë përditë indin e qytetarisë shqiptare me pasoja të përditshme deri në katastrofë për jetën, pronën, besimin te ky vend dhe të ardhmen e fëmijëve tanë.
Kjo tragjedi na shkundi për të kuptuar përfundimisht, se e drejta e jetës i jep jetë çdo të drejte e se duhet të reagohet në kohë ndaj çdo fatkeqësie në pritje, duke e zhbërë ndodhjen e saj. Kemi ende depo armatimi, dhjetëra pika karburantesh në vendin e gabuar, industri dhe depozita nafte që bashkëjetojnë me qendra urbanë, grumbuj pesticidesh të harruar prej vitesh, djegie mbetjesh urbane dhe re toksike që i shoqërojnë, ujëra të zeza që na rrethojnë kudo, shpate malesh të shpyllëzuar që rrezikojnë shkarje dheu, tela elektriku që amatorë i varin mbi kokat tona, ndërtesa të paverifikuara teknikisht dhe pa dalje zjarri, dendësi urbane që nuk lë hapësirë për ekipe urgjence, rrugë ku nuk zbatohen rregullat e qarkullimit, trotuare të ngushta me puseta të hapura, ndërtime pa skela mbrojtëse, kalimtarë që në sy të policit bëjnë zigzage pa të keq mes vargut të makinave, fëmijë që luajnë mes predhave, bebe në prehërin e shoferëve, makina që vjellin blozë, etj., “mina me sahat” që përditë zhvleftësojnë jetën tonë dhe provokojnë vdekje absurde. Ndërsa marrja e masave pas një fatkeqësie lehtëson dhimbjen dhe mund të parandalojë fatkeqësi të ngjashme, sfida mbetet vlerësimi dhe mostolerimi i asnjë rrethane që mund të ndjellë fatkeqësi në përgjithësi. Duke e shndërruar në praktikë rutinë, sa e vështirë dhe financiarisht e kostueshme mund të jetë një strategji e tillë, aq dhe përligj vetveten në rast “qoftëlargu”.
Përgjegjësia sidoqoftë nuk mund të jetë vetëm e shtetit, ndonse ajo fillon me të. Qytetari duhet të fillojë të vlerësojë si duhet jetën e tij dhe të mos marrë më asgjë si të mirëqenë. Media, që tragjedinë e Gërdecit e përcolli me aq profesionalizëm, përfundimisht nuk duhet më të dominojnë kryetitujt e saj vetëm me realitete të politikës, por t’i kushtojë akoma më shumë kohë problemeve reale që përcaktojnë fate njerëzore. Më shumë përgjegjësi duhet të ndjejë dhe vetë opozita që të “lexojë” më mirë e në kohë hallet e njerëzve, për t’u bërë zëdhënëse e shqetësimeve të tyre. Mbi të gjitha, “E di qeveria”, i duhet lënë së shkuarës. Qytetari duhet të kërkojë të informohet dhe të dëgjohet. Sot, në Vlorë, me industrinë e naftës, nesër gjetkë, kurrkujt nuk mund t’i mohohet e drejta e informimit dhe shprehjes së vullnetit për të vendosur për sigurinë e jetës dhe mirëqenien e tij. Tragjedia e Gërdecit kërkon zgjidhje të shpejta e të drejta. Sekonda është shumë për të lënduarit që momenti u mori gjithçka. Krahas qeverisë, edhe opozita është në gjendje të ndihmojë falë ekspertizës së akumuluar në vite për përballimin e situatave të krizave. Përtej Gërdecit, siguria e jetës duhet të përbëjë thelbin e një fushate të vazhdueshme, sipas motos “E drejta e jetës i jep jetë çdo të drejte” jo thjesht e vetëm në tërheqjen e vëmendjes së opinionit për të vlerësuar shenjtërinë e jetës, por dhe në përpjekjet për të hartuar përmes një debati të gjerë publik e politik një kuadër ligjor, pasuar me ngritjen e një trupe që do të jetë në gjendje të vlerësojë, vëzhgojë dhe denoncojë çdo rrethanë vrastare që kërcënon çdo ditë.
Këmbana që ra në Gërdec ishte shumë e madhe për të harruar oshëtimën, siç ka ndodhur më parë. Jetët e pafajshme kërkojnë drejtësi dhe humbja e tyre nuk duhet lejuar kurrsesi të shkojë në zbrazëti.