E Shtunë, 31 Tetor 2026

E drejta historike për ndryshim dhe përmbysje*

Prof. Dr. Agron Gani / Historian

(vijon nga dje)

...Forcat politike që sunduan në Francë deri në maj të vitit 1793, nuk u mjaftuan me aleancën që bënë me forcat monarkisto-feudale. Nevojat për të ruajtur pozitat sunduese në vend i detyruan ato të zgjidhnin midis detyrës për të mbrojtur integritetin territorial të Francës përballë ndërhyrjes së armatosur të shteteve feudale dhe domosdoshmërisë së shtypjes së rezistencës popullore kundër politikës së tyre. Dhe autoritetet franceze, pa hezituar asnjë moment, tradhtuan interesat kombëtare të Francës. Shumë zyrtarë dhe ushtarakë të lartë u arratisën jashtë vendit, duke dekonspiruar planet e mbrojtjes. Në shumicën e departamenteve u përmbys pushteti republikan dhe erdhën në fuqi shtresat e vjetra. Ushtritë e huaja përparuan drejt kryeqytetit. Dukej se gjithçka po përmbysej dhe revolucioni me demokracinë i kishin ditët të numëruara, gjë të cilën e deklaronin edhe forcat antifranceze, brenda dhe jashtë vendit. Por armiqtë e Francës nuk kishin llogaritur energjitë e pashtershme të popullit francez i cili u mobilizua totalisht në mbrojtje të republikës dhe tërësisë së saj territoriale. Çështjen e mbrojtjes së revolucionit dhe të demokracisë e morën në dorë jakobinët, një nga grupimet demokratike më të rëndësishme të borgjezisë franceze. Në krye të tyre ishin Robespieri, Dantoni etj.. Jakobinët e kuptuan mirë se në kushtet e atëhershme ishte në lojë jeta ose vdekja e Francës, kurse çështjet e tjera kalonin objektivisht në plan të dytë. Udhëheqësit e opozitës franceze e kuptuan se situata mund të përballohej vetëm në rast se krijohej një front i përbashkët i të gjitha grupimeve sociale dhe politike që vinin në plan të parë interesat madhore të Francës dhe të revolucionit. Në këto kushte grupimet e ndryshme të jakobinëve u bashkuan, duke dëbuar nga radhët e tyre të gjithë frikacakët dhe njerëzit e lëkundur. Fjalët e famshme të Dantonit: “Guxim, guxim përsëri guxim dhe Franca do të shpëtojë”, mobilizuan qindra- mijëra njerëz, të cilët u ngritën në revoltë të armatosur dhe siguruan suksesin e revolucionit. *** Ashtu si 220 vjet më parë në Francë, edhe në Shqipëri situata është kritike. Regjimi i Sali Berishës synon me të gjitha rrugët dhe mjetet që të zgjatë ditët e tij. Shqiptarët duhet të ndërgjegjësohen se kryeministri i sotëm është i gatshëm të shesë jo vetëm pasuritë natyrore të vendit, por, po të ketë mundësi edhe territore shqiptare. Këtë e provoi më së miri marrëveshja e nënshkruar me Greqinë për ujërat në detin Jon. Siç tregoi përvoja e 1997- ës, regjimi është i gatshëm të përdorë bandat e armatosura të mercenarëve për të shtypur me gjak pakënaqësitë e shqiptarëve. Dhe Berisha nuk e bën sot një gjë të tillë, sepse ekziston bota demokratike me SHBA në krye. Si mund të përballohet kjo situatë e rëndë? Në kushtet e sotme regjimi i kalbur i Berishës mund të rrëzohet nëpërmjet votës, aq më shumë që Shqipëria në 23 qershor do të mbajë zgjedhjet parlamentare. Sigurisht, largimi me votë i regjimit kërkon domosdoshmërisht krijimin e një fronti të bashkuar të forcave opozitare. Këtë e kuptoi qartë Edi Rama, kreu i PS-së që krijoi frontin më të gjerë opozitar në historinë e Shqipërisë postkomuniste. Domosdoshmëria e largimit me çdo kusht e regjimit antipopullor dhe antikombëtar të Sali Berishës dhe oborrit të tij përligj aleancën e PS-së me LSI-në, pavarësisht se kjo e fundit, deri para pak kohësh ishte pjesë e koalicionit qeveritar me PD-në. Socialistët dhe progresistët duhet të bëjnë gjithçka është e mundur për të maksimalizuar votat në favor të PS-së. Për këtë qëllim duhen demaskuar si bashkëpunëtorë të regjimit në fuqi edhe ata ish-deputetë socialistë që kandidojnë si “të pavarur”, por që në të vërtetë kërkojnë të përçajnë forcat opozitare dhe të mbajnë në fuqi Berishën. Përvoja e gjatë historike në Francë dhe gjetkë, ka provuar se kur forma e qeverisjes bie ndesh me interesat kombëtare, atëherë populli ka të drejtë ta ndryshojë, ose ta përmbysë atë dhe të krijojë një qeveri të re, të bazuar në parimet e lirisë dhe demokracisë. Këmbëngulja e regjimit të vjetër, për të ruajtur gjendjen ekzistuese, e detyroi popullin francez të rrëmbente armët në fund të majit 1793. Vjedhja e votës dhe përdorimi i dhunës në Shqipëri mund të shoqërohet me zhvillime të paparashikueshme. Prandaj për shqiptarët duhet të jetë moto udhëheqëse: “Guxim, guxim, përsëri guxim dhe Shqipëria do të shpëtojë”.

*Titulli është redaksional


Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›