E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përse Edi Rama i bëri harakiri “Refleksionet”?

02-06-2013 / Nga Kostaq Xoxa

Sot nuk jemi në kohën e Inkuizicionit që të mendojmë se, duke nxjerrë jashtë qarkullimit një libër, të mendojmë se kemi mundur të mbulojmë të gjitha paudhësitë që kemi pas shkruar në të. Vërtet që tashmë ky libër nuk jepet në asnjërën prej bibliotekave tona. Nuk gjendet dot në asnjërën prej librarive. Por miku im Astrit Taullaj, bashkëpunëtor në “Letërkëmbimet” e gazetës, e kishte ruajtur librin “Refleksioneve” të cilin e printova dhe e lidha. Tani e kemi secili këtë libër, për të cilin ngrihet pyetja: - Përse autori i librit, Edi Rama, shkoi me mendimin se ajo që shkruhet, e zezë mbi të bardhë, mund të zhbëhet, në kohën e kompjuterëve e të printerëve? “Scripta manent” shkruanin shekuj e shekuj më parë latinët, për të treguar se ajo që shkruhet, mbetet.
Por autori i librit të cilin e trajtoi sikur të ishim në kohën e Xhiordano Brunos, nuk ka vetëm huqin e inkoherencës, që e bën të mos dijë se ç’do e ç’nuk do, por fut brenda edhe megalomaninë dhe prite kur ta bëjë hasha edhe librin e dytë, “Kurbanin”.  A nuk është mendjemadhësi ajo që, megjithëse e ka pushkatuar librin e parë, në librin e dytë e quan: “Refleksionet e famshme” (f. 285)? Vdis pa të të dua!  Nuk ka dalë më kot ajo shprehja “Lotët e krokodilit”! Shumë të lajthitur të mëdhenj kaluan nga stalinizmi në antikomunizëm. Destalinizimi qé një elektroshok që ua hoqi iluzionet një pjese të madhe të intelektualëve të spikatur, që u magjepsën në fillim pas Bashkimit Sovjetik të Lenin-Stalinit, vendit të fshatarëve të kolkozeve e të sovkozeve, të klasës proletare, e të njerëzve të barabartë. Njëri ndër këta ishte edhe Zhan-Pol Sartri. Nuk ma merrte mendja që edhe ai, së bashku me bashkëshorten Simona dë Bovuar, do të ishin shndërruar në antikomunistë të prapë. Këtë shndërrim e vura ré në një bashkëbisedim me Isuf Luzajn, ballistin tonë, tanimë profesor në universitetet e Argjentinës. Ky i fundit e kishte thirrur për intervistë në universitet të Argjentinës Zh.-P. Sartrin. Në intervistat e tij, babai i teorive ekzistencialiste, i kishte ‘pasuruar’ leksionet e veta me një argument filozofik kundërkomunist dhe kundërstalinist  të thekshëm. Ishte në unison me Luzajn për totalitarizmat në përgjithësi. Dihet se koha i shndërroi bindjet marksiste në një kritikë të rreptë, mbështetur në dy të meta që shkaktuan tragjedi kontinentale: Në ekonominë e centralizuar dhe në diktaturën e proletariatit. E para e çoi ekonominë e përqendruar në greminë, përkundrejt ekonomisë së tregut, që nuk e përballoi dot kompeticionin me kapitalizmin që, ndonëse me defekte, kishte mundësinë që të ndreqte hap pas hapi dobësitë eventuale ekonomike, sepse të metat e kësaj ekonomie  nuk ishin të ngurtësuara. “Një punëtor amerikan rron më mirë se unë”, - tha Krushovi në Shtetet e Bashkuara, në një alegori që bëri bujë, për mprehtësinë e domethënies së saj. Ndërsa diktatura e proletariatit  krijoi përbindësha në krye të shtetit komunist, për të mbajtur në këmbë  një shtet të falimentuar si sistem, me anën e një retorike boshe, që të mbulonte dështimin. Indro Montaneli i ka shpjeguar në mënyrë të qartë këto dukurí. Pra, u quajt i natyrshëm kalimi i heronjve të mendimit nga komunizmi në kundërkomunizëm. Ndërsa Edi Rama është një përjashtim i kësaj ‘rrjedhe’ historike. Nuk mjaftoi mungesa e destalinizimit nga ana e Enver Hoxhës, që solli një avalangë keqbërësish në funksion të ruajtjes së pushtetit të tij individual absolut, por u desh edhe pushteti supervetjak i Edi Ramës, në shërbim të asaj kaste enveristësh të pandëshkuar për krime të hatashme, që né të rrezikohemi të pësojmë sërish një fatkeqësi të ré nëse, për një hipotezë të pamundur, ai do të mund të arrinte të vinte në dorë një ‘kryepushtet’ të pamerituar.
***
Ai, Edi, është në kundërrymë, siç e thamë. Ecuria e çoroditur e Edi Ramës është nga antikomunizmi ekstrem, në komunizmin e jashtëkohshëm. Është anakronik. Kërkon ta çojë vendin në ‘rotacion’ së prapthi. Që të na përcjellë  sërish, me ndihmë të mëkatarëve të pandëshkuar, - që ia kanë vënë shtrëngueshëm kapistrën, - në një sistem si ai që na e vuri lakun në fyt (në ’97-n bolshevike) me propagandën absurde “na vranë, na prenë, na dogjën, na shkatërruan kadastrat”, kur vërtetohet edhe me prova statistikore, se duhej të shpreheshin “i vramë i premë, i dogjëm...”. Se ç’ishte Edi Rama, askush nuk mund të na përgënjeshtrojë, se po përdorim fjalët e tij. Mjafton të citojmë “Refleksionet”. Në f. 24 e quan mashtrues E. Hoxhën : “Në demonstratën 28 nëntorit (të kohës së pushtimit italian), thotë se E.H.-a nuk kishte marrë pjesë. Në f. 48 shkruan për “marrëdhëniet intime midis Enver Hoxhës dhe udhëheqjes serbe”. F. 114: Kundër ligjit për mbrojtjen e përmendoreve, që synonte mbrojtjen e statujës së E. H,-s. “Ky dekret  i përkiste tendencës për të ndaluar gojët e njerëzve të  kritikonin Enver Hoxhën, tendencë e kolltukofagëve që rriten me plagët e infliktuara të Shqipërisë në lëngim”. (Por nuk tha asnjë fjalë kundër historianëve enveristë që kërkonin t’ia ngrinin sërish përmendoren E.H-s). Në f. 51: “Ka ardhur koha që figura e ish-udhëheqësit të shqiptarëve të rishikohet. “...Të shihen me skepticizëm ata intelektualë që renden të himnizojnë E.H.-n...”. Për Partinë e Punës thotë se duhet nxjerrë jashtë ligjit (Sot në koalicionin e tij ka dy PP dhe dy PK!). Në f. 18  Zërin e Popullit e quan, sipas fillestareve Z.P.,  “Zuska Plakë”!. Tani kjo Zuskë bën propagandën elektorale për Edi Ramën! - Ç’ është socializmi? – pyet E.R.-a në f. 40. Dhe përgjigjet vetë : “Alternativa e socializmit është që për të ngrënë pak duhet të gënjesh vetveten, ndërsa për të ngrënë pak më shumë, duhet të gënjesh të tjerët”. Në f. 180 i tërboi veteranët dhe historianët e enverizmit për luftën civile: “Lufta kundër okupatorit degjeneroi në një luftë të përgjakshme civile”: Flet edhe për një revansh të ngadhënjimtarit... Në f. 181: “Histeria e luftës për pushtet që kishte projektuar gjenerali Enver Hoxha dhe marrja e pushtetit me dhunë që ka qenë thelbi politik i çdo lëvizje komuniste është shkaku i vetëm që ajo luftë e nisur kundër okupatorit degjeneroi në luftë civile”. Po në atë faqe flet për terrorin komunist: “Shifrat e terrorit komunist janë jashtëzakonisht të mëdha në krahasim me popullatën e Shqipërisë”.
Nuk po zgjatemi më tej me këto thënie (1990-91) që E.R.-a i kundërshton tërësisht me librin e dytë. Më duket se janë të mjaftueshme këto citime. Në faqen 124 kemi një Ultimatumn nga Organizata “Dragonjë e Kuq” të Smokthinës, që e dënon Edi Ramën me vdekje. E tani këta “dragonj” i bëjnë lavde Edit dhe e mbështesin këtë që të bëhet kryeministër(!). (Në u bëftë!). Çudira shqiptare...

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›