E Shtunë, 31 Tetor 2026

E drejta per informim dhe Wikileaks

Georg Bernard Show thoshte dikur se gazetarët nuk arrijnë dot të bëjnë dallimin mes një aksidenti me biçikletë dhe shembjes së një qytetërimi.

Gjatë 15 vjetëve të fundit, kanë ndodhur ndryshime, të cilat për nga rëndësia, thellësia, përfshirja, ndikimi mund të përmblidhen me një fjalë, "revolucion".
Në fillimet tona si gazetar në vitin 1990, realitetin virtual që po përjetojmë sot as që e kemi parë në ëndërr. Interneti në vetvete dukej një mrekulli më vete. Deri para viteve ’90, në literaturën politike në universitet brezi im lexonte për teorinë e tri botëve të Mao Ce Dunit.

Në një analogji që nuk është perfekte, sot ata që besojnë mund të flasin për tri jetë. Jetën reale, jetën e përtejme dhe jetën virtuale. Gjithsecili prej nesh e ka një identitet në botën reale. Pak para liberalizimit të vizave kishte njerëz që kishin shumë identitete. (Në të vërtetë po t'u besosh thashethemeve unë sot prisja më pak njerëz në sallë, sepse është 15 dhjetori dhe pritej që i "fundit që do të largohej të mos harronte të fikte dritat në Rinas") Tani falë sistemit të ri dhe pasaportës biometrike të shoqëruar me shenjat e gishtërinjve askush nuk mund të ketë identitet të dyfishtë apo shumëfishtë. Për botën e përtejme mund të flasim vetëm pasi të shkojmë atje, ndërsa për botën virtuale kemi shumë për të folur.

Në vitin 1998, bashkë me një grup kolegësh gazetarë ishim në një "trajnim" në Kajro të Egjiptit. Në një leksion, pedagogu amerikan pyet sa vetë kishin adresë email-i. Shumica ngritën dorën. Sot pyetja nuk është A, por Sa? Nëse u besojmë gjërave që lexojmë në Shqipëri 1 milion njerëz lundrojnë në faqen “Facebook”... Ne jemi bërë dhe bëhemi çdo ditë gjithnjë e më të varur nga teknologjia. Në disa vende sot diskutohet që e drejta e aksesit në internet të jetë e "drejtë themelore e njeriut". Të gjithëve na ka qëlluar që të largohemi nga shtëpia duke harruar, portofolin, çelësin e makinës, fjalimin apo shkrimin që kemi përgatitur, por nuk kam ndeshur ende një njeri që të ketë harruar në shtëpi celularin. Penetrimi i telefonisë mobile është mbi 140% dhe të gjitha kompanitë ofrojnë akses në internet. Për të folur për të mirat e internetit do të duhen disa ditë e net dimri, por mund të themi përmbledhtas se ka ndryshuar jetën tonë në mënyrë të pakthyeshme. Aty merr informacion, komunikon, ble dhe shet, hap dhe mbyll biznes, gjen miq të rinj dhe të vjetër (unë për shembull kam diku afro 3000 "miq" në “Facebook” - aq sa është numri i ushtrisë shqiptare - por kafen e pi me dy-tre persona, që për fatin e tyre të "zi" nuk janë ende në familjen e madhe prej 600 milionë pjesëtarësh të “Facebook”.

Po çfarë informacioni merr në “Facebook”? Të pafund. Madje atë që nuk ua pret mendja. Aty për shembull lexon që një mik "është i mërzitur", një tjetër sapo ka "gjerbur kafenë", një i tretë "po mediton" dhe ai poshtë tij "po vështron yjet në qiell".
Në "miqtë" e mi hyjnë edhe emra të tillë si "i forti i lagjes", apo "Akrepi blu", "Pa viza në Europë", "Milani kampion" - (nuk di pse prirem ta konsideroj mik të afërt këtë të fundit, ndoshta pse jam me Milanin etj... Gjithsesi këta janë të parrezikshëm, sepse e ke vetë në dorë të bësh "block this person" ose "report this person", por këtu mund të hapim temën interesante të "anonimeve" apo "identiteteve të shumëfishta".
Dikur kemi qeshur me lot me "anonimet e Jovan Bregut", sot vetëm mund të rrudhësh vetullat me ato çfarë lexon nga anonimët në blogje, në faqe diskutimesh, në “Facebook”, apo “Twitter”. Një sociolog më tha një ditë se kjo që po ndodh është mrekulli "nuk ka fare problem, madje janë shumë të shëndetshme, se njerëzit çlirohen, downlodohen... me një fjalë, njerëzit janë të frustruar dhe për herë të parë u jepet mundësia të thonë çfarë mendojnë pa frikë dhe me germa të mëdha (në fakt nëpër komente germat janë shumë të vogla) për punën dhe për njerëzit.

Duke mos qenë shumë dakord me mikun tim sociolog më duhet të theksoj se nuk kam lexuar deri më sot asnjë koment për punën. Analiza e mikut tim shkoi deri në atë pikë sa tha se kjo tregon edhe një shkallë të lartë civiliteti. Personin që ti e njeh, (pedagog i ri universiteti privat i kthyer nga Perëndimi) përshëndetesh dhe i buzëqesh, duhet ta mirëkuptosh kur zbulon se me një emër të rremë ka shkruar diçka shumë të keqe për ty...! Nuk ka dashur të humbë miqësinë, ndaj mendimin e sinqertë e ka shprehur në mënyrë anonime. Po të mos ishte anonimati, do të rrëshqisnim në censurë! Dhe censura na çon në diktaturë!

Unë ëndërroj që një ditë çdo njeri të ketë identitetin e vërtetë në botën virtuale. Ne në këtë anë të botës na mbetet të ëndërrojmë, sepse nëse gjendet zgjidhja një ditë - kjo do të vijë nga përtej oqeanit nga Sillicon Valley.
Anonimët janë një problem që duhet menaxhuar dhe më i vogli problem në kontekstin e debatit të sotëm. Por u ndala pak më shumë se ç'meritojnë, për të treguar shkallën e lartë të bezdisjes që të shkaktojnë.

Por një rast personal ilustron dhe marrëdhënien e medias dhe gazetarëve me internetin. Para disa javësh më mbërrin nga Bjellorusia një email prej një shqiptari që punon dhe jeton atje. Më thotë se më kishte parë në një emision investigativ rus, ku shfaqesha si kreu i një karteli kriminal në Ballkan që merrej me trafikimin e organeve të njerëzve. Për shkak të njohjes ai e dinte se bëhej fjalë për një Lutfi Dervishi tjetër me profesionin mjek. E pashë kronikën në internet dhe veten time me një foto që gazetarët investigativë e kishin marrë nga “Google”. I shkruaj producentit të programit, asnjë përgjigje. Iu drejtova një të njohuri në Moskë që kontaktoi me programin dhe i shpjegoi gjithë historinë. Autori i programit kërkonte ndjesë të thellë dhe premtoi një korrigjim, por kërkonte që unë t’i gjeja Lutfi Dervishin për të cilin bëhej fjalë në program. I ktheva një përgjigje, duke theksuar se në këtë mënyrë rrezikoja të bëja të njëjtin gabim si gazetarët e emisionit.

Për një moment më kapi paniku. Po sikur edhe Interpoli të punojë vetëm me “Google”. Sot unë nuk do isha në gjendje ta shijoja "lëvizjen e lirë".

* * *

Debati i sotëm, transparenca dhe interneti në kontekstin e “Wikileaks” ngre disa pyetje që nuk kanë përgjigje të lehta?

- Cili është kufiri i transparencës?

- How much is too much?

- A na duhen sekretet? Më pak (sekrete) më mirë?

- Më mirë të dijë qeveria se çfarë bëjmë ne, apo të lexojmë ne se çfarë bën qeveria?

- Kush cakton të drejtën dhe kush do ketë fuqi në të ardhmen të përcaktojë se disa faqe interneti duhet të qëndrojnë se kanë informacion të shëndetshëm dhe disa duhet të hiqen se kanë informacion të dëmshëm?

- A është “Wikileaks” media?... Si duhen trajtuar nga media klasike, informacionet që rrjedhin apo "pikojnë" prej saj?

(Një parantezë që flet shumë se sa ka ndryshuar bota këto 50-60 vitet e fundit. Deri në ‘90 problemi ishin dy superfuqitë, më pas me rënien e murit të Berlinit dhe shkërmoqjen e BS u fol për botë multipolare, më pas për shtete problematikë si Irak, Iran, në skenë dolën organizata jo qeveritare ndërkombëtare, më pas 11 shtatori 2011 e Bin Laden dhe më 2010 kemi botën përballë një njeriu: Julian Assange.)

Një proverb shqiptar thotë se "sekreti mbetet sekret kur e dinë dy vetë", me kushtin që njëri prej të cilëve nuk jeton më. Pak vite më parë me ‘Google earth” po shikoja bazën e Pasha Limanit në Vlorë. Dalloheshin qartë 4 nëndetëset e famshme, të ndryshkura në ujë, dallohej në detaje reparti i shkretuar aty pranë... Personi që kisha në krah, më i moshuar se unë, i ra ballit me pëllëmbë dhe tha: Uau... Sa vetë janë futur në burg vetëm se kanë kaluar aty pranë dhe kanë parë bazën..."
Por tani jetojmë në një kohë tjetër...

Duke ardhur nga një shoqëri e mbyllur për të bërë hapjen e plotë më 30 qershor 1999, Parlamenti shqiptar miratoi ligjin për të drejtën e informimit të publikut me dokumente zyrtare. Një ligj shumë i mirë për kohën, por pak i zbatuar. Teknologjia edhe në këtë rast e la shumë mbrapa legjislacionin. “Wikileaks” me publikimin e telegrameve diplomatike la prapa procedurat e marrjes së informacionit me ndihmën e ligjit 8503 të vitit 1999.

Pyetja ironike do të ishte: Na vlen më shumë ky ligj apo një hacker në gazetë?
Pyetja vijuese: pasi ke gjithë këtë informacion përmes internetit çfarë duhet të bësh me të? Në SHBA prevalon amendamenti i parë i Kushtetutës dhe precedenti i "letrave të Pentagonit", por sasia e informacionit që rrjedh nga “Wikileaks” është e pakrahasueshme. Nëse në vitet ‘70 gazetari fotokopjoi gjithë "letrat e Pentagonit", 7000 kopje, në rastin “Wikileaks” kemi 250 mijë telegrame diplomatike dhe përafërsisht 500 000 mijë faqe informacion.

“Wikileaks”... dhe përballë është media tradicionale (televizioni, gazetat, radiot...)
Nga ajo që lexojmë prej raportimeve të diplomatëve amerikanë si gazetarë duhet të bëhemi pak xhelozë për stilin, qartësinë dhe fuqinë e analizës së diplomatëve. Deri më tani kemi mësuar se pavarësisht nuancave ka një konsistencë mes asaj që amerikanët thonë në biseda private dhe asaj që thonë publikisht. Po ashtu shohim se shoqëri të tjera si bota arabe për shembull ka një kontrast të fortë mes asaj që thuhet sy më sy dhe asaj që kumtohet për sytë e botës. Kemi lexuar gjëra që diheshin dhe ishin bërë publik më parë nga mediat e vendeve përkatëse (rasti Berluskoni p.sh.) dhe kemi parë pak tendencën e përcjelljes së informacionit në formë thashethemi. Por këtu nuk kemi pse të qahemi kur shohim lajmet tona.

Një nga kritikat zyrtare që i bëhet “Wikileaks” është ajo që lidhet me rrezikun e jetës së individëve të përmendur. Për shkak se këto informacione i adresohen superfuqisë së vetme të mbetur mbi tokë, problemi i rrezikut shihet edhe në raportet mes shteteve dhe organizatave të ndryshme. Sërish del në sipërfaqe debati dhe dilema që pasoi 11 shtatorin për të zgjedhur mes lirisë dhe sigurisë". Sigurisht që detyra jonë është të informojmë në mënyrë të paanshme dhe objektive dhe në këtë rast na vjen ndihmë një skeç i estradës së dikurshme të Fierit "Ke faj o Cane"... Ku fshatarët nuk fajësonin hajdutin e lopës, por të zotin që nuk kishte mundur ta ruante atë. Ne mund të citojmë në këtë kontekst edhe kanunin e Lek Dukagjinit (lajmësi nuk ka faj). Por në një periudhë afatmesëm dhe afatshkurtër togfjalëshi që na pëlqen kaq shumë "liria shtypit" do të vijë duke u përkeqësuar se qeveritë do të bëjnë hapa prapa në drejtim të transparencës dhe sidomos transparencës online.

Detyra jonë si gazetarë është të informojmë, por si mund të informojmë dhe përballojmë këtë cunam informativ?

Prej kohësh është folur për internetin si një magazinë pa inventar. “Google” (një lojë fjale me termin matematik Googol që përshkruan 1-n të ndjekur nga 100 zero) e ka përshkruar misionin e vet "për të bërë informacionin e botës universalisht të aksesueshme dhe të përdorshme". “Google” doli në skenë në një kohë kur po ndiheshin efektet e para të ANARKISË DIXHITALE.

Po cili është roli, vendi, misioni i medias në kohën e internetit? Ndoshta na vjen në ndihmë ajo që quhet gazetari e mirë, gazetaria që jep e sheh problemet dhe fenomenet duke i vendosur në një kontekst, duke i dhënë një kuptim sa më të plotë informacionit që kemi në dorë.

Në një botë që sa vjen dhe bëhet më komplekse dhe ku më shumë mbytemi nga informacioni sesa nga shiu, publiku ka nevojë për orientim. Sot nuk vuajmë as për burime, as për kanale informacioni. Ndoshta do të na duhet të ndërtojmë diga për të mos u mbytur në informacion. Me mijëra stacione televizive satelitore, me qindra mijëra stacione televizive në internet, faqe të pafund dhe tani edhe “Wikileaks”. Por sa herë duam të informohemi dhe të kuptojmë, zgjedhjet tona, janë të kufizuara ne marrim pultin në dorë dhe kërkojmë BBC, CNN, RAI, DW, Al Jazeera... jo më shumë. I njëjti kufizim edhe në faqet e internetit. Gazetat?.... (gazetat tani i lexojnë televizionet). Ne shkojmë kërkojmë të informohemi në ato stacione që ne i besojmë. Besueshmëria është monedha më me vlerë që ka në dispozicion media. Duhen vite punë për ta ngritur dhe mjafton një moment për ta rrëzuar.

Në oqeanin e informacionit detyra e medias është të tregojë trekëndëshin e Bermudës... dhe të trajtojë cunamet informative si ngjarje apo "katastrofa" që duhen raportuar me profesionalizëm.

Në fillim përmenda fjalën REVOLUCION. Kjo që ka ndodhur dhe po ndodh është një revolucion në fushën e informacionit. Por kur përmendim fjalën revolucion nuk ka pse të harrojmë viktimat dhe ndër viktimat do të rendisja:

-vetiakësinë (apo siç i themi në shqip privacy),

- gjuhën e urrejtjes (apo siç i themi në shqip "hate speach")

- sigurinë (security)

Shumë shkurtimisht për termin "siguri". Jemi dëshmitarë të luftës cyber që shkaktoi çështja “Wikileaks”. Amazon dhe Pay Pal i mohuan shërbimet “Wikileaks” dhe ushtarë anonimë të dashuruar pas “Wikileaks”, edhe të moshës 16 vjeç (rasti i adoleshentit nga Holanda) e ndien veten të thirrur nën armë dhe filluan luftën ndaj Pay Pal dhe Amazon. Në anën tjetër, ata që urrenin “Wikileaks” iu kundërpërgjigjen me të njëjtat armë.

Betejë e vërtetë. Dhe është betejë që nuk ka të bëjë vetëm me mohimin e shërbimit në internet të një apo disa kompanive, por nesër kjo mund të shtrihet me infrastrukturën vitale të shteteve, aeroporte, banka, sistemi mbrojtjes etc. Lufta e yjeve e viteve ‘80 rrezikon të na duket luftë fëmijësh para betejave të mëdha dixhitale që na presin.
Pasi jemi gëzuar pa masë Mrekullisë dixhitale? Pyetja është e thjeshtë, përgjigjja ndoshta do të kërkojë dekada: Si do ta menaxhojmë këtë mrekulli?
 Welcome to the very new world! - do të thoshte ndonjë britanik cinik.

*P.S. Fjalim i mbajtur në seminarin e organizuar me gazetarë në Tiranë më 15 dhjetor nga Instituti i Medias dhe PNUD

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›