Bardhesia mbulon rruget e Korces dhe shume komuna
Reshje të shumta dëbore kanë sjellë bllokim të disa rrugëve rurale në zonat malore të rajonit të Korçës, ndërkohë që vështirësi në qarkullimin e mjeteve janë paraqitur në të gjitha rrugët e këtij rajoni. Reshjet e rëna gjatë natës, duke u gdhirë dita e enjte, krijuan një trashësi deri në 30 centimetra, por në zonat e larta malore edhe më shumë, duke vështirësuar së tepërmi lëvizjen e mjeteve. Komunat malore si Voskopoja, Moglica e Lekasi, fshati Dardhë, Vithkuqi në rrethin e Korçës, si dhe Komuna e Mokrës në rrethin e Pogradecit janë bllokuar përkohësisht nga reshjet e dëborës që pengojnë lëvizjen e mjeteve. Më shqetësuese ka qenë gjendja në Komunën e Voskopojës, ku për shkak të trashësisë së dëborës që nuk lejonte lëvizjen e makinave është ndërprerë edhe mësimi në shkollën e mesme të këtij fshati. Lëvizja e mjeteve është ndërprerë gjatë ditës së enjte edhe në drejtim të fshatit turistik të Dardhës, ndërsa në lartësitë më të mëdha, si Qafa e Thanës, Qafa e Pllocës në Pogradec dhe në Qafën e Qarrit në Kolonjë, ka qenë shumë i vështirë qarkullimi i mjeteve. Ndonëse u ndërhy në akset rrugore më problematike me trashësi dëbore, lëvizja e mjeteve drejt Korçës nga Pogradeci ka qenë me vonesa të shumta. Edhe brenda qytetit të Korçës lëvizja e mjeteve ka qenë e detyrueshme me zinxhirë mbrojtës, për faktin se janë krijuar ngrica nga rënia e dëborës së para pak ditëve. Edhe pse ka qenë një situatë e rënduar e qarkullimit rrugor nga rënia e reshjeve të dëborës në rajonin e Korçës nuk janë regjistruar aksidente automobilistike.