E Diel, 1 Nëntor 2026

E gjithë Roma në zi

"Po më ikën truri për atë humbje 4-1: ka pasur disa situata që nuk na kanë lejuar ta përgatisim mirë këtë sfidë. Kam disa lojtarë që nuk janë në formë të mirë. Pastaj na kanë penalizuar edhe episodet". Kështu e ka komentuar Luçiano Spaleti humbjen e pësuar në shtëpi ndaj Juventusit në prononcimin e dhënë për mikrofonat e "Sky". "Në rastin e golit të dytë, një devijim ka nxjerrë jashtë trajektores Meksesin, ka theksuar ai. Baptista? Unë jam i zhgënjyer për rezultatin, më vjen keq për publikun tonë dhe për lojtarët. Kundërshtari ishte Juventus, ishte një motiv më shumë për të demonstruar diçka ekstra në këtë takim. Por Juventus e ka merituar të fitojë dhe neve nuk na ngelet tjetër veçse të punojmë me kokën e ulur". Ka qenë vërtet një rezultat i hidhur. "Humbja na dhemb shumë, ka thënë ai, ne provuam të luanim dhe dëshironim të fitonim, por përgjigjet në bazë të asaj që kishte ndodhur, nuk ishin të mjaftueshme. Objektivi ynë mbetet vendi i katërt". "Por është e vështirë të përgatitësh ndeshje", ka nënvizuar më pas trajneri i Romës, me Vuçiniç, që për dhjetë ditë ka qenë në shtratin e infermierisë. "Ne i kemi evidentuar vështirësitë, por këtu kontribuuan episodet, si ai i golit të dytë, ku për shkak të një devijimi, topi përfundon pikërisht në kokën e Iakuintës. Ndoshta do të duhet të luftojmë më mirë në rastin e goditjeve nga këndi: Ata e bënë më mirë se ne në këtë ndeshje". Po si mendoi Spaleti t‘i zëvendësonte mungesat në mesfushë? "Ideja ishte të luanim me dy lojtarë në qendër, u përgjigj Spaleti. Pastaj mund të mbështeteshim edhe te mesfushorët e krahut...". Pas humbjes ka reaguar edhe presidentja e skuadrës së Romës, Rosela Sensi: "Të vjen keq gjithmonë kur humbet, mbi të gjitha kur humbet kështu. Por nuk jam e zhgënjyer nga skuadra". Ndërsa numri një i romanëve e komenton kështu dështimin e skuadrës në përballjen ndaj Juventusit. Një mbrëmje negative për Romën, por Sensi kërkon të gjejë anët pozitive: "Një gjë që më ka pëlqyer, ishte të shikoja shumë të rinj që luanin pa frikë në fushë. Kjo është e rëndësishme për Romën, por edhe për të gjithë futbollin italian. Vendi i katërt? Me tri pikë për ndeshje, gjithçka është e mundur".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›